Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë nisur zbatimin e sistemit elektronik për monitorimin e komunikacionit rrugor, të njohur si “Qyteti i sigurt”, përmes të cilit do të evidentohen automatikisht shkeljet në trafik.

Sipas informacioneve zyrtare, monitorimi do të realizohet përmes pajisjeve teknike dhe kamerave inteligjente, të cilat regjistrojnë shkeljet e dispozitave të komunikacionit në përputhje me legjislacionin përkatës të Maqedonisë së Veriut.


Në fazën e parë, sistemi do të zbatohet në qytetet Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë Korridorit 8 dhe Korridorit 10. Në këto zona do të evidentohen shkelje si: tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, kalimi në semafor të kuq, ndalimi dhe parkimi i parregullt, si dhe qarkullimi me automjete të paregjistruara.

Autoritetet kanë bërë të ditur se sistemi “Qyteti i sigurt” do të vlejë edhe për automjetet me targa të huaja, përfshirë ato nga Kosova. Në rast se një shtetas i huaj kryen shkelje të konstatuar nga ky sistem, ai do të njoftohet gjatë hyrjes ose daljes nga territori i Maqedonisë së Veriut.

Qytetarët e huaj kanë të drejtë që ta paguajnë 50 për qind të gjobës nëse pagesa realizohet brenda afatit prej tetë ditësh. Ndërkaq, në rast të mospajtimit me shkeljen ose mosrealizimit të pagesës, ndaj tyre do të iniciohet procedurë kundërvajtëse për të huaj para gjykatës kompetente.

Ky njoftim u është adresuar qytetarëve me qëllim të informimit dhe rritjes së kujdesit, si dhe respektimit të dispozitave ligjore gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në Maqedoninë e Veriut./Telegrafi/