Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar qytetarët e Republikës së Kosovës se nga sot, 10 prill 2026, Sistemi i Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES) i Bashkimit Evropian zbatohet plotësisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Zonës Schengen.

Sipas njoftimit, sistemi ka qenë në zbatim gradual që nga 12 tetori 2025, ndërsa tashmë kalon në fazën e implementimit të plotë në nivel të gjitha shteteve anëtare.


EES është një sistem i automatizuar dhe biometrik që regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jo anëtare të BE-së, përmes mbledhjes së të dhënave si gjurmët e gishtërinjve, fotografia e fytyrës dhe të dhënat e dokumentit të udhëtimit.

Me zbatimin e plotë të tij, sistemi zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave dhe mundëson identifikimin automatik të tejkalimeve të afatit të qëndrimit.

Ministria ka rikujtuar se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të udhëtojnë pa vizë në Zonën Schengen për qëndrime afatshkurtra deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore, duke respektuar kushtet e përcaktuara.

Ndër kushtet kryesore përfshihen posedimi i pasaportës biometrike valide, justifikimi i qëllimit të udhëtimit, dëshmi për mjete të mjaftueshme financiare, bileta e kthimit ose vazhdimit të udhëtimit, si dhe mosqenia në listat e ndalimit të hyrjes në Schengen.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se do të vazhdojë të informojë qytetarët për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë sistem. /Telegrafi/