Nga pemët te mishi - produktet që u shtrenjtuan më shumë gjatë shkurtit

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin shkurt 2026, sipas të cilit çmimet e konsumit kanë shënuar rritje vjetore prej 6,0 për qind dhe rritje mujore prej 0,6 për qind.
Sipas njoftimit të ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 6,0 % në muajin shkurt 2026, krahasuar me muajin shkurt 2025.
Rritja vjetore e çmimeve, sipas agjencisë, është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i një sërë produkteve dhe shërbimeve.
“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it, si shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (42,5 %), bileta të fluturimeve (39,0 %), furnizim me ujë dhe shërbime që kanë të bëjnë me vendbanimin (33,4 %), lëndë djegëse të ngurta si dru zjarri dhe pelet (16,8 %), pemë (16,4 %), mirëmbajtje dhe riparim të pajisjeve personale të transportit (15,1 %) dhe mish (14,7 %)”, thuhet në raport.
Në të njëjtën kohë, ASK thekson se janë shënuar rritje edhe te shërbimet hoteliere, kafeja, çaji dhe kakaoja, si dhe te produktet ushqimore si peshku, perimet, qumështi, djathi dhe vezët.
Megjithatë, në disa kategori është regjistruar edhe ulje e çmimeve.
“Rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (-7,6 %) me një ndikim prej -0,4 për qind në IHÇK”, thuhet në njoftim.
Sa i përket ndryshimit mujor, ASK njofton se inflacioni në shkurt 2026, krahasuar me janarin e këtij viti, ishte 0,6 për qind.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,6 % në muajin shkurt 2026, krahasuar me muajin janar 2026”, theksohet në raport.
Rritja mujore e çmimeve u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i shërbimeve të transportit personal, perimeve, pemëve, pajisjeve audio-vizuele, shërbimeve ambulantore dhe atyre hoteliere.
Ndërkohë, ulje mujore e çmimeve u regjistrua te biletat e fluturimeve, energjia elektrike dhe produktet si qumështi, djathi dhe vezët. /Telegrafi/





















































