LAJMI I FUNDIT:

Nga një maji, prindërit njoftohen përmes email-it për suksesin e fëmijëve në shkollë

Nga një maji, prindërit njoftohen përmes email-it për suksesin e fëmijëve në shkollë

Mësimdhënësit në shkollat fillore në komunën e Vushtrrisë nga një maji do të informojnë prindërit përmes e-mail-it për suksesin e fëmijëve të tyre.

Drejtori për Arsim i Komunës së Vushtrrisë, Afrim Namani, ka njoftuar se prindërit do të njoftohen një herë në muaj për të arriturat, sjelljet e fëmijëve dhe planin mësimor.

Ndërsa kryetari i komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri u ka bërë thirrje prindërve për bashkëpunim me mësuesin dhe shkollën.


“Kjo qasje e re kërkon domosdoshmërish bashkëpunimin e prindërve, prandaj të dashur prindër, ju që dëshironi të pranoni informacion të rregullt lidhur me suksesin e fëmiut tuaj në shkollë, bashkëpunoni me mësuesin/en dhe shkollën. Po ashtu, njoftoni rregullisht edhe DKA për cilëndo brengë lidhur me fëmiun tuaj dhe shkollën” ka shkruar Tahiri në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas Tahirit, kjo qasje e re në shkollat e Vushtrrisë ka qenë një nga premtimet elektorale që tani po gjen zbatim.