Bizneset në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të përballen me sfida serioze për rritjen dhe zhvillimin e tyre, sipas gjetjeve kryesore të raportit Balkan Barometer 2025, të publikuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).

Tri pengesat kryesore për rritjen e biznesit janë: taksat e larta, ekonomia informale, konkurrenca e pandershme, dhe korrupsioni.


Raporti tregon se vetëm 48% e bizneseve në rajon shprehen të kënaqura me klimën aktuale të biznesit në vendet e tyre, duke reflektuar një nivel të ulët besimi në mjedisin ekonomik dhe institucional.

Ndërkohë, 67% e bizneseve raportojnë se gjatë 12 muajve të fundit janë përballur me rritje të kostove të energjisë, fuqisë punëtore, qirasë dhe shpenzimeve të tjera operative.

telegrafi.com

Sipas të dhënave të raportit, mungesa e fuqisë punëtore vlerësohet me 6.8 pikë në një shkallë nga 1 deri në 10, si faktor që ndikon në rritjen e bizneseve në rajon. Ky vlerësim tregon se bizneset e konsiderojnë mungesën e punëtorëve të kualifikuar si një pengesë të konsiderueshme për zhvillimin dhe zgjerimin e tyre.

Në të njëjtën kohë, 69% e bizneseve në Ballkanin Perëndimor theksojnë se heqja e barrierave tregtare është e rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve të biznesit brenda rajonit. Ky perceptim nënvizon nevojën për lehtësim të procedurave tregtare dhe rritje të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve të rajonit, shkruan Telegrafi.

Raporti nxjerr në pah edhe perceptimin e bizneseve lidhur me luftën kundër korrupsionit. Sipas Balkan Barometer 2025, vetëm 44% e bizneseve besojnë se lufta kundër korrupsionit është efektive, çka tregon për një nivel relativisht të ulët besimi në institucionet përgjegjëse dhe mekanizmat ekzistues të sundimit të ligjit.

Tutje në raport theksohet se bizneset në Ballkanin Perëndimor kanë ndjerë drejtpërdrejt efektet pozitive të masave për lehtësimin e lëvizjes dhe komunikimit brenda rajonit.

Sipas të dhënave të Balkan Barometer 2025, 39% e bizneseve deklarojnë se regjimi i roamingut falas brenda rajonit ka ulur kostot e operimit.

Ndërkohë, 35% thonë se kanë përfituar edhe nga ulja e tarifave të roamingut të të dhënave me Bashkimin Evropian.

Ndërkaq 66% e bizneseve në rajon presin përfitime nga udhëtimi vetëm me letërnjoftim brenda Ballkanit Perëndimor, një rritje prej 6 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Kjo shihet si lehtësim konkret për lëvizjen e stafit, takimet e biznesit dhe bashkëpunimin ndërkufitar.

Të dhënat e Balkan Barometer 2025 sugjerojnë se, për të përmirësuar klimën e të bërit biznes në Ballkanin Perëndimor, institucionet duhet të fokusohen në politika që adresojnë mungesën e fuqisë punëtore, përmirësojnë qasjen tregtare brenda rajonit dhe rrisin efektivitetin e luftës kundër korrupsionit.

Raporti Balkan Barometer realizohet çdo vit nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, me mbështetje të Bashkimit Evropian, dhe paraqet një pasqyrë të qëndrimeve të bizneseve dhe qytetarëve lidhur me zhvillimet ekonomike dhe institucionale në rajon.

Raportin e plotë e gjeni KËTU. /Telegrafi/