Nga 1 deri në 3 paga, qeveria shpërblen efektivët e angazhuar në shuarjen e zjarreve

Qeveria ka miratuar këtë të martë vendimin për shpërblimin me 1 deri në 3 paga mujore të punonjësve të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Mbrojtjes Civile dhe shërbimeve zjarrfikëse, për angazhimin e tyre gjatë operacioneve të shuarjes së zjarreve në verën e vitit 2025.
Shpërblimi do të jepet në varësi të kohëzgjatjes së angazhimit në terren:
1 pagë mujore për angazhim nga 1 deri në 7 ditë; 2 paga mujore për angazhim nga 8 deri në 15 ditë dhe 3 paga mujore për angazhim 16 ditë e më shumë.
Kategoritë e përfituese përfshijnë:
Punonjës të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë; punonjës të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile; punonjës të Policisë së Shtetit; punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi si dhe punonjës të strukturave zjarrfikëse në bashki.
Shpërblimi do të llogaritet mbi pagën mujore bruto të çdo punonjësi të përfshirë në operacionet kundër zjarreve.
Financimi i këtij vendimi do të mbulohet nga fondet e buxhetit të shtetit për vitin 2025 dhe nga buxhetet përkatëse të njësive të vetëqeverisjes vendore.
Në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes janë parashikuar rreth 193 milionë lekë, ndërsa në atë të Ministrisë së Brendshme rreth 69.6 milionë lekë për mbulimin e këtij vendimi.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në Fletoren Zyrtare.















































