Neymar bëhet çështje te klubi i ri, shpërthen trajneri Jorge Jesus: Nuk e kuptoj fare këtë

Neymar ka kompletuar transferimin në elitën e futbollit arab ku është bashkuar me skuadrën Al-Hilal nga Paris Saint Germain.
Megjithatë për ta pritur debutimin e sulmuesit brazilian tek skuadra e tij e re duhet pritur edhe për disa javë.
Reprezentuesi brazilian u prezantua para tifozëve vendas, por ai është i lënduar dhe nuk do të mund të luaj për një kohë me skuadrën e tij të re.
Këtë e ka konfirmuar trajneri i Al Hilal, Jorge Jesus që ka thënë se Neymar do të zbres në fushë në mesin e muajit shtator.
Megjithatë trajneri portugez është shprehur i ashpër me Federatën e Futbollit në Brazil që e kanë ftuar Neymarin për ndeshjet e muajit shtator, edhe pse sulmuesi është i lënduar.
“Neymar ka mbërritur i lënduar, ka një problem muskulor. Nuk mund të them me saktësi se kur mund të rikthehet në fushë dhe të jetë gati për t’u stërvitur normalisht".
"Edhe pse e shoh të pamundur që të luaj të paktën deri në mesin e muajit shtator", u shpreh Jorge Jesus.
"Nuk duhej të ishte në dispozicion as të Kombëtares së Brazilit sepse është në fazën e rikuperimit. Nuk e kuptoj pse trajneri i kombëtares e ka grumbulluar. Ai është i lënduar dhe nuk mund të luaj, kjo nuk qëndron", tha Jorge Jesus i zemëruar pas ftesës që Brazili i ka bërë sulmuesit brazilian. /Telegrafi/













































