Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kritikuar ashpër planin e Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në vende të treta, duke e cilësuar si një tregues të gjendjes dëshpëruese të Britanisë pas Brexit-it.

Në një intervistë për gazetën britanike The Guardian, Rama u shpreh se ide të tilla dikur ishin të paimagjinueshme për një vend si Britania.


“Është një nga ato gjëra që 10 vjet më parë nuk do të kishin qenë të imagjinueshme… që Britania do të kërkonte vende për të lënë emigrantët,” tha ai nga Tirana.

“Fakti që kjo është jo vetëm e imagjinueshme, por edhe po ndodh, nuk është sepse Keir Starmer apo Rishi Sunak po bëjnë diçka skandaloze, por sepse vendi ndodhet në një pozitë shumë dëshpëruese.”

Deklarata e Ramës vjen pas vizitës së kryeministrit britanik Keir Starmer në Shqipëri muajin e kaluar, ku prezantoi planin për ngritjen e “qendrave të kthimit” në vende të treta për të trajtuar kërkesat për azil të atyre që u janë refuzuar të gjitha rrugët ligjore në MB. Në një konferencë të përbashkët për shtyp gjatë vizitës, Rama e bëri të qartë se Shqipëria nuk do të jetë pjesë e këtij mekanizmi.

Në intervistën për The Guardian, Rama sqaroi se edhe pse Starmer nuk e ka bërë një kërkesë të drejtpërdrejtë publikisht, ideja është diskutuar më herët nga liderë të tjerë britanikë, përfshirë Boris Johnson dhe Rishi Sunak – dhe se përgjigjja e tij ka qenë gjithmonë “jo”.

Rama krahasoi qëndrimin e Shqipërisë ndaj Britanisë me marrëveshjen e arritur me Italinë, ku Shqipëria ka pranuar ngritjen e qendrave për emigrantët e ndaluar në det nga autoritetet italiane. Sipas tij, marrëdhëniet e veçanta historike me Italinë justifikojnë një qasje të ndryshme.

“Praktikisht jemi një komb i ndarë në dy shtete të pavarura… Italia ka qenë aty për ne në çdo moment të errët që nga dita kur dolëm nga ferri i të qenit Koreja e Veriut e Europës,” tha Rama. “Kështu që kur Italia na kërkon diçka, ne themi po, pikë.”

Kryeministri shqiptar, i njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë, shprehu shqetësim për gjendjen e diskursit publik në Britani, duke thënë se 80% e gjërave që thuhen sot në Britani do të ishin konsideruar të papranueshme para Brexit-it.

Në intervistë, Rama foli edhe për perspektivën europiane të Shqipërisë, duke theksuar se vendi është më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian, falë “frymës së re gjeopolitike” pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ai vlerësoi gjithashtu ndikimin e Donald Trump në “zgjuarjen” e Europës nga vetëkënaqësia, duke thënë se është “100% i bindur” se fitorja e tij ishte një gjë e mirë për kontinentin.

Më vonë këtë vit, Rama planifikon një “tur falënderimi” për diasporën shqiptare, pas pjesëmarrjes së saj për herë të parë në zgjedhjet e fundit, duke ndihmuar në fitoren historike të mandatit të katërt për Partinë Socialiste.

Ai shpreson që emigrantët të kthehen, duke argumentuar se “pagat në Shqipëri po afrohen me ato të Greqisë dhe ky është vendi i tyre”.

Pavarësisht akuzave të shpeshta për autoritarizëm dhe korrupsion, Rama mbetet një figurë dominuese në politikën shqiptare dhe një partner i rëndësishëm për BE-në.

“Nëse Shqipëria arrin anëtarësimin, do të ishte momenti i duhur për të dorëzuar stafetën,” tha ai. “Një arritje që do ta bënte Europën më pak të mërzitshme dhe më diellore.”