Në Kosovën e pasluftës, patriotizmi ka qenë lëmi shumë fitimprurëse për një grup njerëzish, përkatësisht një pjesë të çlirimtarëve të cilët meqë kontribuuan në çlirimin e vendit, i dhanë të drejtë vetes që atdheun e të gjithëve ta marrin nën përkujdesje, dhe për ironi ta ruajnë atë pikërisht nga njerëzit e vendit (që është ne kundërshtim të plotë me logjikën). Kjo i bëri ata të dukeshin më patriotë se të tjerët, madje të rrinë qartazi në mes të patriotizmit dhe njerëzve, njëjtë sikurse rrinë klerikët në mes të njerëzve dhe Zotit dhe përfitojnë nga ky ndërmjetësim.

Ndërmjetësuesit e një ideologjie me interes të përgjithshëm gjithmonë përfitojnë pasuri dhe pushtet nga tregtimi i ideologjisë. Këta njerëz përqafojnë çdo ideologji duke llogaritur përfitimin personal. Këta mund të bëhen patriotë, fetarë të devotshëm apo çkado tjetër për të cilën ka interesim të përgjithshëm e rrjedhimisht edhe fitim. Këtu nuk ka asgjë të keqe, përderisa këta njerëz nuk marrin në ruajtje vlerat e përgjithshme. Nëse kjo lejohet të ndodhë, atëherë shoqëria është në rrezik.


Kjo gjendje shpi pashmangshëm në diktaturë e cila përveçse pengon zhvillimin e përgjithshëm, është edhe një fyerje e vazhdueshme për popullin që e përjeton. Një popull që rron nën diktaturë është larg më i padenjë se një popull që rron nën pushtim, sepse përderisa për popullin e pushtuar mund të thuhet se është i pafuqishëm, për popullin që rron nën diktaturë mund të thuhet që është veçse i padijshëm. Diktatura është pushtim i brendshëm që mund të arrihet duke manipuluar me njerëzit, e ku vetëdija e popullit ka rol thelbësor.

Pas luftës edhe këtu tek ne pati një tendencë për instalimin e një diktature nga një pjesë e çlirimtarëve të cilët përvetësuan meritat e të gjithëve dhe morën atdheun në ruajtje. Por, kjo nuk qe e thënë të bëhej për shkak se prania ndërkombëtare e mori pushtetin për vete, se nuk u zbeh pushteti paralel i kësaj pjese të çlirimtarëve dhe këmbëngulja e tyre për shpagimin e mundit, i cili Kosovës i është llogaritur me fajde. Këta përvetësuan edhe dëshmorët me synim të marrjes në pronësi të patriotizmit, i cili në këtë rast përdoret si mjet për pasurim dhe për nënshtrimin e të tjerëve.

Dëshmorët mund të konsiderohen si patriotët më të mëdhenj, meqë dhanë jetën për atdhe dhe pikërisht për këtë arsye ata shpeshherë përdoren nga bashkëluftëtarët për të marrë nën përkujdesje atdheun. Bashkëluftëtarët paraqiten si njerëz më kompetent për të quar në vend amanetin e dëshmorëve, dhe meqë nuk ka e as nuk mund të ketë kurrfarë amaneti - sepse vendi nuk ishte as i dëshmorëve dhe ata nuk mund t'ia lënë amanet askujt - ky zotim solemn i të gjallëve është keqpërdorim me dëshmorët për interesa personale e grupore. Këtu, tek ne, çuditërisht edhe shkalla e patriotizmit u mat me njohjen apo pasjen shok të një dëshmori. Ngritja e dëshmorit ngriste edhe shokët e tij të gjallë, të cilët përfitonin nga të gjithë dëshmorët, e veçanërisht nga dëshmori që e njihnin dhe pikërisht këtë ishin të interesuar ta ngrisnin më lart.

Edhe lufta, nën ndikimin e kësaj pjese të çlirimtarëve, u pa dhe ende shihet me syrin e tyre, që nëse e zbusim pak fjalën, do të thoshim se është subjektiv. Lufta pati shumë të meta në organizim, megjithatë ato nuk u thanë asnjëherë. Lufta u shpall e shenjtë dhe u mor në mbrojtje nga ky grupim që është karakteristikë për çdo diktaturë, e cila megjithëse nuk mund të jetë me të gjitha vetitë, rron në kushtet tona dhe në sistemin demokratik. Si ndër vetitë kryesore të diktaturës është marrja në mbrojtje e disa gjërave të shenjta, të cilat një grup njerëzish i ka shpallur si të tilla.

Pengimi që lufta të shihej në mënyrë shkencore, i hapi rrugë shumë keqpërdorimeve, ku rol të rëndësishëm luajti dhe luan klasa intelektuale e vendit e cila me fjalë a me heshtje u vu në shërbim të këtij grupimi që tregoi sa e sa tregime heroike, të cilat po të mblidhen e t'i jepen dikujt që nuk di asgjë për ne, do të mendonte se bëhet fjalë për ndonjë popull të cilit të afërmit e të largëtit i bëjnë nderime me temena.

Por, realiteti ynë demanton shumëçka. Organizimi i luftës ka lënë shumë për të dëshiruar. Këtë e kam parë nga afër dhe për këtë mendoj që faji qëndron tek luftërat e mëparshme që ka bërë populli ynë, përkatësisht mos shikimin e luftërave a betejave me sy kritik, gjë që ka pamundësuar ndreqjen e gabimeve në luftën a betejën e ardhshme. Nga luftërat e mëparshme ne kemi trashëguar tregimet heroike që mund t'i hyjnë në punë një grupi të caktuar, por neve assesi jo. Neve na duhet e vërteta, çfarëdo qoftë ajo. Tekefundit, një kryengritje e organizuar keq, madje qoftë edhe e humbur, nuk mund të jetë kurrë më turpëruese se durimi i pushtimit.

Prandaj, lufta nën organizimin e UÇK-së, sido që të jetë meriton respekt, por edhe si çdo etapë tjetër meriton një studim objektiv. Ndërsa, keqpërdorimet që bëhen në emër të kontributit të dhënë në luftë, kurrsesi nuk duhet të tolerohen. Ky popull duhet të vetëdijesohet që këtu nuk mund të ketë pronar tjetër përveç tij dhe shteti duhet t'i shërbejë të gjithëve njësoj. Përndryshe, nëse shteti është në shërbim të vetëm një grupi, aty kurrë nuk mund të ketë mirëqenie, sepse grupimi që ka marrë peng shtetin është i interesuar që ta mbajë nën kontroll popullin, i cili më së miri kontrollohet me anë të varfërisë.

Në këtë keqmenaxhim të vendit e të vetvetes, mendoj që pjesa më e madhe e fajit i takon një pjese të ish luftëtarëve të cilët në emër të luftës përvetësuan pushtet e pasuri, bënë që shteti të mos funksionojë si duhet dhe që ne të mos jemi në shërbim të vetvetes.

Dëmi u bë. Dhe, sikur kjo të ishte e kaluar, atëherë thjeshtë do duhej lënë historisë. Por, kjo është edhe e tashme, e siç po shihet edhe e ardhme. Prandaj, vetëdijesimi i njerëzve është i domosdoshëm, jo për t’u liruar nga këta njerëz, por për t’u liruar nga kjo mendësi e manipuluar. Njerëzit duhet ta dinë se sado që të ketë qenë kontributi i këtyre njerëzve, Kosova i ka paguar tashmë shumëfish. Duhet ta dinë që ky popull ka një histori të gjatë rezistence dhe nuk ka ardhur deri këtu falë zhurmaxhinjve të patriotizmit, paudhësitë e të cilëve assesi nuk mund të mbulohen duke u thirrur në kontributin e dhënë apo të deklaruar.

Por, nëse kjo gjendje zgjatë, ku shteti është në shërbim të një grupimi, atëherë është krejt e pritshme që shërbëtorët e së keqes do të shkojnë duke u shtuar. Madje, si gjithmonë, shumica nga ta do t'i shërbejnë të keqes duke qenë të bindur se po bëjnë gjëra të mira.