NË ATELIENË E YLLKA BRADËS
Yllka, këtë muaj diplomon në Paris dhe shumë shpejt prezantohet me koleksionin unik për meshkuj dhe ‘ready to wear’ për femra.
Yllka Brada, tash e 10 vite, krijimet e saj mjaft origjinale, i prezanton në një formë të veçantë. Me një shkollim profesional dhe të lartë, ajo arriti të kurorëzojë talentin e saj me një punë të palodhshme dhe të vazhdueshme me klientë të shumtë, në emisione te ndryshme televizive, në seriale të mirënjohura vendore, në reklama televizive, në shfaqje teatrale, në filma artistik, e shumë projekte tjera.
Por, cilat janë tendencat e fundit në veshje? Çfarë sugjeron ajo që të ndihemi jo vetëm në modë, por edhe komod me veshjet tona. Ç’marrëdhënie kemi me ekstravagancën dhe a jemi në hap me modën? Këto e disa pyetje të tjera, Brada i trajton në këtë intervistë si më poshtë...
Një fustan të kuq duhet ta keni patjetër në gardërobën tuaj për këtë sezon. Secili disenjator luan me prerje të ndryshme, varësisht prej stilit që ka, por këtë sezon më shumë kanë ndikim vitet e 60’ta.
A është përsëritur më përpara kjo lloj tendence? Moda gjithmonë përsëritet, por në forma të ndryshme. Gjithnjë ka diçka të re, psh. ndryshohet materiali ose ngjyrat, gjë që e bën të dallojë prej herëve tjera edhe nëse prerja apo dizajni është krejtësisht i njëjtë.
Sa të këshillueshme janë në përditshmëri takat dhe a abuzojnë femrat me takat e larta? Nuk do të thosha që femrat po abuzojnë me takat, sepse ka taka të cilat mund të përdoren edhe gjatë ditës.
Meshkujt i ndjekin tendencat e fundit të modës, si edhe femrat? Një pjesë e madhe e meshkujve nuk e ndjekin modën sikur femrat, ju duket humbje kohe dhe shpenzim kot. Kjo është krejtësisht e gabuar, sepse prezantimi i parë ndaj të tjerëve është dukja e jashtme. Nuk kërkohet ekstravagancë, por thjeshtësia dhe një kombinim i duhur, bën të dukemi shumë special.
A dinë njerëzit e televizionit ose politikanët të vishen mirë? Nuk i pëlqej fare këto veshje, sidomos të politikanëve të cilët duhet të kenë një pamje në përputhje me protokollin e shtetit. Shumicë prej tyre mendojnë se duhet të blejnë vetëm ‘kat’ dhe me atë përfundon gjithçka. Është ky një gabim i madh. Por, disa politikanë, vishen shumë me shije, por fatkeqësisht janë numër shumë i vogël.
Duhet të kemi gjithmonë kujdes në veshje. Cila do të ishte këshilla juaj? Së pari, secili duhet të krijojë imazhin e tij, pavarësisht tendencave dhe duhet të ketë kujdes me përmasat trupore. Duhet përshtatur veshjen me trupin, nuk do të thotë të veshësh diçka që është “IN” këtë sezon nëse nuk të përshtatet, sepse, kështu shpeshherë njerëzit duken qesharakë dhe pa stil.
A është Prishtina një vend që prodhon modë? Ne ende jemi një vend shumë i vogël edhe një kryeqytet i ri, i cili është në zhvillim e sipër. Jemi larg prodhimit, sepse nuk ka fabrika të mëdha që prodhojnë për shumicën. Ne të gjithë punojmë me porosi për një numër të klientëve,por nuk mund te themi si krijojme mode te cilen vendet perendimore mund ta ndjekin sepse kemi pak disenjatore te cilet kane ndikim ne kete aspekt.
Duke qenë se artisti e harron veten kur jepet shumë pas punës, a mendoni se preokupoheni sa duhet për veshjen tuaj? Kjo është shumë e vërtetë, kur jam shumë e zënë mundohem të vesh diçka sa më komode dhe i përvishem punës, por shumicën e kohës i kushtoj shumë vëmendje, sepse veshja ndikon shumë në disponimin tim.
Atelieja juaj është nga me të preferuarat për shumë artistë dhe organizatorë të evenimenteve të ndryshme. Ju vjen mirë për këtë? Sigurisht që më vjen shumë mirë. Unë e kam këtë profesion dhe e bëj këtë punë me shumë dashuri dhe përkushtim. Më pëlqen që punoj me artistë të ndryshëm me të cilët, vërtet, kaloj shumë mirë.
Cilat janë sfidat që do t'ju ndjekin gjatë muajve në vazhdim? Më presin shumë projekte dhe jam duke punuar intensivisht. Tashmë e ceka edhe më lart që jam duke startuar me linjën e meshkujve, e cila do te publikohet në muajin mars; poashtu është edhe një koleksion ‘ready to wear’ për femra. Në këtë muaj, do të diplomoj në Paris në fushën e Kostumografisë. Poashtu në qershor, do të diplomoj në Shkup, në Fashion design, dega modelizëm dhe, do ta prezantoj përmes një ‘fashion show’ Kolekcionin Traderm, në të cilin jam duke punuar qe një vit. Për momentin, këto janë planet e mia...dhe shumë shpejt, vazhdojmë me të tjerat. /Telegrafi/
Foto: Boubkar Benzabat (cover, 1,2,3)
Flokët: Alban Abdullahu
Fotot tjera: Royal Colection
Photograph: Shenoll Zehri
Grimi dhe flokët: Passion






































