Ndalojini rrjetet sociale edhe për ata që janë mbi 65 vjeç!

Nga: Sophie Heawood / The Independent (titulli: It’s not the under-16s who need a social media ban - it’s the over-65s)
Përkthimi: Telegrafi.com
Një mikeshë e imja në të dyzetat, një nënë e tre fëmijëve që drejton biznesin e saj dhe është duke rinovuar shtëpinë e saj të re, kohët e fundit postoi në llogarinë e saj në Instagram një fotografi shumë të bukur të një dhome elegante ndeje të viteve ‘70 të shekullit XX, me një nga ato "qoshet për biseda" me divane të ulëta. Nëna e saj i shkroi, e shqetësuar, duke i thënë se nëse ky ishte plani për shtëpinë e re, nuk dukej aspak praktik, “dhe nuk më pëlqen fare ajo gjëja si shkallë”. Fill pas kësaj, shoqja ime ia shpjegoi konceptin për “frymëzim për ambientet të brendshme” dhe të rishpërndarjes së një fotografie nga diku tjetër - diçka që në fakt nuk e bën vetë.
Në të njëjtën mënyrë, së fundmi thashë diçka në internet për arkitekturën e bukur të një kishe ku do të ishte gjë e bukur të martoheshe. “Oh? Me kë?” - erdhi menjëherë përgjigjja nga nëna ime, syri i të cilës sheh gjithçka dhe që do të mund t’ia kalonte edhe nënës së Bridget Jonesit. Falë qasjes së pakufizuar dhe në dukje të përhershme të nënës në rrjetet sociale, ajo nuk humbet asgjë nga jeta ime. Përveç sensit tim të humorit. Nuk mund t’ju them sa herë ka komentuar në postimet e mia me një varg pikëpyetjesh.
Kështu që, e habitur, vura re se Australia ka ndaluar rrjetet sociale për të rinjtë. Qeveria federale në Kanberë ka zbatuar një ndalim për Facebook-un, Instagram-in, Threads-in, X-in, TikTok-un, Snapchat-in, Kick-un dhe Twitch-in për ata që janë nën 16 vjeç, dhe nëse një kompani zbulohet se ka lejuar qasjen, përballet me ndalim deri në 50 milionë dollarë australianë (rreth 28.6 milionë euro).
YouTube-i dhe Reddit-i - që nuk janë tamam faqe të rrjeteve sociale - janë gjithashtu pjesë e ndalimit, kështu që ata atje nuk po tallen aspak. Nuk po them se është një gjë e keqe. Jo, kjo ndalesë ndoshta është diçka shumë e mirë. Si nënë e një adoleshenteje me qasje në internet, i pres me padurim rezultatet e tyre. Por, gjithsesi, më duhet të pyes nëse nuk duhet ta drejtojmë vëmendjen tonë tek ata që janë mbi 60 vjeç?
Duke pasur parasysh se prindërit tanë, si kushdo tjetër, shfaqen vazhdimisht në internet dhe, nëse janë në pension, ndoshta kanë edhe më shumë kohë për të kaluar në internet, do të mendoje se do të kishin mësuar të dallonin llafet e kota nga planet e jetës, ose të njihnin dallimin mes një fotoje të pronave luksoze dhe një fotografie të asaj që bëjnë ndërtuesit. Por, nuk e kanë mësuar, dhe nëse është shumë vonë për ta mësuar, ndoshta duhet t’u revokohet qasja në internet.
Ndjehem mjaft e sigurt se adoleshentja ime shumë e zgjuar nuk do të binte kurrë viktimë e ndonjë mashtrimi financiar në internet - por, babai im ka rënë. Qëndroi zgjuar për orë të tëra në telefon me një “linjë ndihme” të rastësishme ndërkombëtare, e cila po përpiqej t’ia zbrazte llogarinë bankare duke pretenduar se po ia rregullonin një virus në kompjuterin e tij - të cilin në fakt ata vetë ia kishin futur.
Nuk po them se përdorimi im i telefonit është krejtësisht i shëndetshëm, ose se vajza ime nuk kalon shumë kohë para ekranit, por ne të paktën e dimë që nuk e përdorim këtë pajisje gjatë darkës. Nëna ime dhe shoqet e saj, megjithatë, do të të fotografonin teksa je duke ngrënë, me ushqimin që të rrjedh nga goja, do ta ngarkonin menjëherë në rrjetet e tyre sociale dhe do të fillonin të tregonin se kush e ka pëlqyer - përpara se të kesh mbaruar përtypjen.
Sa herë më është dashur të sugjeroj që, meqë është një rast i veçantë, ndoshta nuk duhet të shohim Facebook-un gjatë një vakti familjar? Të rinjtë e dinë që nuk duhet, por etika e telefonit e gjeneratës së pensionuar ka dalë jashtë kontrollit. Këta njerëz janë pa rregulla, me shikimet e tyre të pafundme në Samsung-ët e tyre dhe iPhone-t me tekst të zmadhuar - ju lutem, dikush duhet t’i ndalojë! Të paktën adoleshentët do të postojnë vetëm një foto të dikujt kur duket bukur, jo me gojën hapur ose sytë gjysmë të mbyllur.
Pastaj është babai i një shoqeje, i cili e zbuloi Facebook-un vetëm pasi u martua me gruan e tij të tretë, por shumë shpejt e përdori për t’u rilidhur me të dytën. Ia dërgoi asaj një mesazh privat duke i thënë se si tani po çon një jetë plot keqardhje, se kishte bërë një gabim të tmerrshëm dhe se ajo kanë qenë gjithmonë dashuria e vërtetë e jetës së tij. Epo, ndoshta ndjenjat ishin të vërteta, por jo edhe besimi i tij se ky ishte një mesazh privat. E kishte shkruar atë në faqen e saj publike në Facebook, për t’u parë nga të gjithë të afërmit e tyre, fëmijët e tyre dhe gruaja e tij aktuale.
Një 14-vjeçar më parë do të vdiste sesa të bënte një gabim kaq fillestar, prandaj këto platforma janë qartazi më të sigurta me ta. Natyrisht, duhet t’u hiqen, por kryesisht për shkak të efektit që prania e tyre atje ka tek unë.
Kur vajza ime ishte në shkollën fillore, një shok klase i saj më ndoqi në Twitter dhe raportoi në klasë se unë bëja rregullisht shaka atje me faktin e të qenit nënë - një tmerr absolut! Tani që vajza ime është në shkollën e mesme, një shoqe e ngushtë e saj më ka gjetur në Instagram, kështu që ajo mori një bllok të menjëhershëm - që të mos ketë ndonjë mendim për postimet e mia provokuese. A nuk mund të postojë e qetë një nënë e zjarrtë beqare një selfi me minifund?
Kështu që, vendimi im për këtë është përfundimtar: ndalojini që sot të moshuarit dhe të rinjtë nga të gjitha rrjetet sociale. Interneti duhet të ekzistojë vetëm për idiotët në moshë të mesme si unë. /Telegrafi/
















































