Ndalet njësia A4 e Termocentralit ‘Kosova A’

Njësia A4 e Termocentralit Kosova do të ndalet së punuari sonte, të shtunën, më 10.05.2025, në ora 24:00 për shkak të një sinjalizimi për defekte në ventilatorët e kullës ftohëse, ka njoftuar para pak minutash Korporata Energjetike e Kosovës.
“Kjo ndalesë bëhet me qëllim të parandalimit të një defekti me përmasa më të mëdha dhe për të mundësuar trajtimin sa më të hershëm të problemit” – thuhet në njoftimin e vonshëm të së shtunës nga KEK.
“Partnerët tanë afaristë janë njoftuar me kohë për këtë ndalesë, dhe kapaciteti i kësaj njësie nuk është planifikuar për prodhim gjatë ditës së nesërme.” – thuhet tutje në njoftim.
KEK ka njoftuar se ekipet janë në gjendje gatishmëria për sanimin e defektit të paraqitur.
“Ekipet e Termocentralit Kosova A janë në gjendje të plotë gatishmërie dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin dhe sanimin e defektit, sapo të krijohen kushtet teknike. Objektivi ynë mbetet rikthimi i njësisë në operim sa më parë që të jetë e mundur” – thuhet në fund të njoftimin.


















































