LAJMI I FUNDIT:

Nacionalizmi, një efekt anësor i koronavirusit

Nacionalizmi, një efekt anësor i koronavirusit

Libri i Kenichi Ohmae-s, “Bota pa kufij”, u botua në 1990 -një vit pas rënies së Murit të Berlinit. Ai u bë një nga tekstet klasike të epokës së globalizmit. Por, kufijtë tani po kthehen në një hakmarrje të nxitur nga koronavirusi. Kur të kalojë pandemia, pengesat më ekstreme për të udhëtuar do të hiqen. Por, nuk ka të ngjarë që do të ketë restaurim të plotë të botës së globalizuar, siç ekzistonte para virusit Covid-19. Shteti komb po rikthehet, i nxitur nga kjo krizë e jashtëzakonshme.

Ekzistojnë tri arsye kryesore për këtë. Së pari, pandemia tregoi se në raste urgjence njerëzit kanë nevojë për shtetin-komb – i cili ka forca financiare, organizative dhe emocionale që u mungojnë institucioneve globale. Së dyti, sëmundja po zbulon brishtësinë e rrjeteve të furnizimit global. Së fundi, pandemia është duke forcuar tendencat politike që ishin të fuqishme edhe para se të fillonte kriza – veçanërisht kërkesat për më shumë proteksionizëm, lokalizim të prodhimit dhe kontrolle më të ashpra kufitare.

Në situatën aktuale, shtrëngimi i kontrolleve kufitare për një kohë ka kuptim. Dhe, ky kthim në shtetin-komb, brenda kufijve, në këtë rast nuk ka asgjë të keqe. Thjesht është një lloj i korrigjimit të kursit politik që bëhet në demokraci, në përgjigje të ngjarjeve dhe ndryshimeve në gjendjen shpirtërore të publikut. Por, rreziku është që ringjallja e shtetit-komb do të rrëshqasë në nacionalizëm të pakontrolluar, duke çuar në rënie të tregtisë globale dhe në braktisjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. Skenarët më të këqij përfshijnë rënien e BE-së dhe shkatërrimin e marrëdhënieve ShBA-Kinë që mund të kulmojë me luftë.


Kthimi në shtet-komb ka qenë veçanërisht i dukshëm në Evropë, pasi BE-ja ka për qëllim të jetë organizata që ka shkuar më larg për të kapërcyer kombin. Kur kancelarja gjermane Angela Merkel foli para kombit për urgjencën e pandemisë, ajo nuk e përmendi asnjëherë BE-në. Kontrollet kufitare që ishin zhdukur në thelb – për shembull midis Francës dhe Gjermanisë – papritmas u rikthyen. Ndihma financiare për bizneset, familjet dhe të papunët kryesisht vjen nga qeveritë vendore, jo nga BE. Politikanë të njohur në Poloni, Itali dhe Spanjë kanë kritikuar BE-në për dështim në përmbushjen e premtimit për solidaritet.

Duke pasur parasysh madhësitë relative të buxheteve të BE-së dhe kombeve evropiane, është e pashmangshme që qeveritë të marrin pjesën më të madhe të peshës teksa përpiqen të largojnë depresionin. Në ditët në vijim, BE do të përpiqet të arrijë masa të mëdha fiskale pan-Evropiane. Por, teksa kriza intensifikohet – dhe burimet financiare e mjekësore pakësohen – presionet ndaj solidaritetit evropian do të rriten.

Antagonizmat që janë hapur nga pandemia midis ShBA-së dhe Kinës janë më të dukshme. Vendimi i Donald Trump-it për ta etiketuar Covid-19-shin si “virusin e Kinës”, është tipik për stilin politik të fajësimit nga presidenti amerikan. Por, është gjithashtu një reagim ndaj përpjekjeve të zyrtarëve kinezë për të sugjeruar që virusi mund ta ketë origjinën nga Amerika. Bill Bishop, një vëzhgues me përvojë, komentoi kohët e fundit: “Nuk kam parë kohë më të rrezikshme në marrëdhëniet ShBA-Kinë në këto 40 vitet e fundit.”

Pandemia gjithashtu forcon dorën e atyre që janë në administratën e Trump-it e që kanë kohë që duan të çmontojnë rrjetet e furnizimit ndërkombëtar dhe të riatdhesojnë prodhimin në ShBA. Peter Navarro, mbrojtësi më i zjarrtë në Shtëpinë e Bardhë, argumenton se virusi tregon se “në një emergjencë globale të shëndetit publik, ShBA mbeti e vetme”. Është sigurisht e vërtetë që një situatë në të cilën 97 për qind e të gjithë antibiotikëve në Amerikë importohen nga Kina, nuk ka më gjasa që do vazhdohet kështu.

Por, këto lloj konsiderimesh shtrihen përtej ilaçeve dhe marrëdhënies së tensionuar ShBA-Kinë.

Shtytja e nxitur nga pandemia kundër globalizmit do të çohet më tej, fillimisht nga proteksionistët dhe skifterët e sigurisë kombëtare. Por, ajo do të mbledhë forcë e me të do të bashkohen rrymat tjera politikë që po fitonin forcë edhe para virusit Covid-19. Në të majtë, lëvizja mjedisore tashmë po stigmatizonte udhëtimet e shumta dhe kërkonte që lokalizimi të renditej para globalizmit. Në të djathtë, kërkesat e zhurmshme për të mbajtur jashtë refugjatët dhe imigrantët e paligjshëm po rriteshin gjithnjë e më shumë.

Por, teksa antiglobalistët ka të ngjarë të kenë erërat politike në favor të tyre, pas përfundimit të pandemisë ata në fakt nuk do të kenë zgjidhje më të mira. Përkundrazi, një pandemi që është një problem thelbësor global, kërkon përfundimisht një formë të koordinimit ndërkombëtar. Ringjallja e ekonomisë botërore gjithashtu do të jetë shumë më e vështirë nëse vendet lëvizin drejt autarkisë. Në nivel kombëtar, askush nuk i pranon rrëmbyesit që marrin gjithë pakot me letër tualeti dhe gjithë kutitë e qumështit nga raftet e supermarketeve. Por, çfarë ndodh kur vendet e tëra sillen kështu? Duhet të përgatitemi për ta parë. /Burimi: Financial Times/Përgatiti në shqip: Mapo/