LAJMI I FUNDIT:

Na lini të ëndërrojmë – o nuk u lëmë të flini!

Përfunduan edhe zgjedhjet studentore në Universitet të Prishtinës. U ndanë mbi 20 mijë euro për zgjedhje, që trembëdhjetë vitet e fundit kanë treguar se janë mjeti i fundit për zgjidhjen e problemeve dhe përmirësimin e kushteve të studentëve të UP-së.

Përkundrazi, organizatat elektorale studentore, për as edhe një çast nuk i panë zgjedhjet si mjet për zgjidhje të problemit. Për ata, zgjedhjet ishin qëllimi: kurorëzimi i grabitjes jo vetëm të votës së studentit, por edhe të dinjitetit të tij. Zgjedhjet shërbyen për grabitjen e qenësisë intelektuale dhe të sensit kritik të studentit.


Por, sa këto organizata ia arritën qëllimit? Studentët e UP-së nuk pranuan të kthehen në kukulla, që vetëm një herë në dy vite i shfrytëzojnë të drejtat e tyre qytetare e demokratike. Ata nuk pranuan as që Universiteti të kthehet në një bordello zgjedhore. Më shumë se dy të tretat e studentëve të UP-së bojkotuan procesin e padrejtë zgjedhor. Nën thirrjen e Klubit Politik të Studentëve, studentët treguan se të jesh student aktiv, duhet bojkotuar korrupsioni kancerogjen brenda Universitetit elektoral – duhet penguar deuniversitetizimi i Universitetit publik dhe duhet filluar me forma aktive të debatit akademik dhe antikonformizmit qytetar.

Hapi i radhës që ndërmorën aktivistët e Klubit Politik të Studentëve, ishte organizimi i shfaqjes së filmave dokumentarë, pasuar me një debat studentor rreth temave të caktuara shoqërore. Studentëve të Fakultetit Filozofik që iniciuan këtë ide, iu përplas fytyrës porta e dekanit. Ai kërkoi që për secilin film të dërgohej përmbajtja e detajuar dhe në fund nuk pranoi fare.

Kjo më së paku është akademike. Kjo është censurë. Kjo është shenjë e shfaqjeve diktatoriale në universitet publik.

Kërkesa e dytë ishte organizimi i debateve ekstra-kurrikulare me profesorë dhe ligjërues të jashtëm. Dekani Ramush Mavriqi mbi asnjë bazë ligjore, por vetëm mbi bazën e paragjykimeve, refuzoi gjithë listën e profesorëve, analistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile që studentët i ftuan të ligjërojnë. I quajti rrugaç, të paaftë, etj. për të na propozuar në fund fare si alternativë disa nga profesorët – nënkryetarët e partisë në pushtet(!). Dhe, kjo është shkelje ligjore: ligjërim brenda fakultetit i personave partiak.

Por, siç thotë filozofi francez, Alain Badiou, “miu është ai që ka nevojë të nxitojë në kohësinë që i ofrohet, pa qenë i aftë aspak të ndërtojë një tjetër kohësi… Të mos jesh as mi dhe as i dëshpëruar do të thotë të ndërtosh një kohësi tjetër nga ajo që përcakton shteti ose gjendja e situatës. Pra, një kohë të pamundshme, por që do të jetë koha jonë”.

Andaj, aktivistët e Klubit Politik të Studentëve po reagojnë sot! Ne nuk do të lejojmë që as dekanët, as profesorët e as rektorati ta kthejnë Universitetin publik në pronë private të tyre. Aktivitetet e lira, sidomos ato për qëllime akademike, nuk guxojnë të pengohen politikisht nga ana e askujt. Ata që ndalojnë debatin, ligjërimin dhe fjalën e lirë në UP, po iu japin leje organizatave-marionetë që të organizojnë koncerte në oborret dhe hapësirat universitare. Dhe, kjo na qenka shkencë, profesor Mavriqi!?

Për këtë arsye, aktivistët studentor të KPS-së kanë ngritur zërin. Për këto anomali brenda UP-së duhet reaguar ata që po e quajnë veten “përfaqësues legjitim” të studentëve. Por, nuk kanë kohë. Po merren me organizime koncertesh e ekskursionesh, me zhvatje të parasë së studentit dhe me particizim të zërit studentor. Për këtë arsye sot ne po kërkojmë universitet që i shërben studentit, dhe jo studentë që i shërbejnë universitetit.

Nuk duam mefshtësi e as psikozë frike në mesin e studentëve tonë. Nuk duam organizata-surrogate të partive politike. Nuk duam individ labil e prozelit, por studentë të vendosur, kritikë dhe aktivistë. Nuk duam silueta kërcënimi dhe këpucë polici në oborret tona. Duam libra, ligjërata e debate akademike.

Kushdo që mendon t’i frikësoj studentët në këtë rrugë që po nisin sot me Klubin Politik të Studentëve, ne ju themi: na lini të ëndërrojmë, o nuk u lëmë të flini!

*autori është koordinator i përgjithshëm i Klubit Politik të Studentëve.