LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Së shpejti vendimi për Brezovicën

Mustafa: Së shpejti vendimi për Brezovicën

Fituesi i projektit zhvillimor për kompleksin turistik “Brezovica”, konzorciumi francez “MDP Consulting-Compagnie des Alpes”, ka dorëzuar në Ministrinë e Tregtisë, dokumentet që kërkohen me kontratë. Kurse, tash i mbetet komisionit të verifikojë se a janë në përputhje me kriteret e parapara.

Kështu ka thënë për KosovaPress, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas vizitës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit,ku ka ofruar mbështetje ligjore Bordit të AKP-s. “Ministria e Tregtisë ka marrë dokumentacionin nga konzorciumi.Ai dokument do të analizohet këto ditë dhe pastaj do të vendosim varësisht se a i kanë plotësuar kushtet. Nuk mund të them tash lidhur me të sepse akoma komisioni i cili është i autorizuar nuk e ka përfunduar punën sepse dokumentacioni sapo është dorëzuar”, tha Mustafa.

Mustafa i ka premtuar bordit të AKP-së që do t’iu ofroj mbështetje ligjore. Ai po ashtu ka përgëzuar AKP-në për ndihmën e ofruar në operacionin për lirimin e pronave të uzurpuara.


“Do ta mbështetim krejtësisht në kërkesat që mund t’i ketë Agjencinë prej nesh sa i përket ndryshimeve dhe plotësimit të ligjeve dhe infrastrukturës së tjetër që duhet t’i bëjnë përmes Parlamentit . Shprehëm po ashtu interesimin që të bëhet një plan, për të cilin do të shihet se si do përmbyllet puna e Agjencionit. Pas përfundimit të të gjitha çështjeve në fushëveprim të Agjencionit si mund të bëhet shfrytëzimi më i mirë i mjeteve që janë në mirëbesim për zhvillim ekonomik , mirëpo duke mos i rrezikuar fare ato mjete . Biseduam po ashtu edhe për zgjidhjen e çështjes së ‘Trepçës’ , sepse është një punë e cila po bëhet bashkërisht…Është bërë një punë e mrekullueshme për lirimin e pronave të uzurpuara dhe ne e përgëzuam AKP-në për këtë aktivitet që e kanë marrë”, tha Mustafa.

Petrit Gashi, kryetar i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, tha se e ka njoftuar kryeministrin për sfidat dhe problemet që kjo agjenci ka dhe se është diskutuar për mënyrën e përmbyllur të privatizimit. Gashi ka thënë se AKP do të veprojë në çdo cep të territorit të Kosovës, duke përfshirë e pjesën veriore

“Jo në asnjë mënyrë nuk ka dështuar aksioni në veri. Ne jemi në koordinim të plotë me Policinë dhe Prokurorinë këto janë çështje operacionale të policisë. Kështu që ne nuk mund të përfshihemi në atë hallkë të procesit. Por iu garantoj se ne kemi qenë në koordinim të plotë me policinë kohëve të fundit edhe secila pronë në secilin cep në territorin e Kosovës do të trajtohet njëjtë”, tha Gashi.

Gashi po ashtu tha se e ka njoftuar kreun e Qeverisë edhe për problemet që kanë me trajtimin e lëndëve nga ana e Dhomës së Posaçme. /Telegrafi/