Musk nuk po ia hap telefonin Trumpit - miliarderi refuzon komunikimin me presidentin amerikan

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson, bëri të ditur së fundmi se Elon Musk ka ndryshuar numrin e telefonit pas një skandali të rëndë që ndodhi mes tij dhe presidentit amerikan, Donald Trump. Më tej, sipas Johnson, Musk ka ndërprerë çdo komunikim me Trumpin.
Johnson tha se ai vetë ka tentuar të ndërmjetësojë dhe të pajtojë dy figurat publike, duke e konsideruar të rëndësishme ruajtjen e një marrëdhënieje të mirë ndërmjet tyre.
Ai theksoi se Trumpi ishte i gatshëm të diskutonte dhe të zgjidhte konfliktin, por përpjekjet dështuan pasi miliarderi injoroi të gjitha përpjekjet për t’u lidhur me të.
Fillimi i konfliktit daton nga momenti kur pronari i kompanisë së veturave Tesla akuzoi publikisht liderin amerikan për lidhje me trafikantin e ndjerë të grave, Jeffrey Epstein.
Musk aludoi në çështje shumë të ndjeshme, duke përmendur akuzat për pedofili në mënyrë indirekte ndaj Trumpit. Këto deklarata shkaktuan një tronditje të madhe në opinionin publik dhe në qarqet politike, dhe menjëherë pas reagimeve të shumta, Musk fshiu ato mesazhe në rrjetet sociale.
Nga ana tjetër, 79-vjeçari hodhi poshtë të gjitha këto akuza, duke i cilësuar ato si një “mashtrim politik” nga ana e demokratëve. Ai theksoi se nuk ka nevojë për mbështetjen e askujt që i ka besuar këtyre akuzave, duke e konsideruar veten të pafajshëm dhe duke mbrojtur reputacionin publik.
Kjo përplasje mes dy prej figurave më të njohura dhe me ndikim në botë ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe publikut, ndërsa nuk dihet nëse do të ketë një përpjekje të re për pajtim në të ardhmen. /Telegrafi/



















































