Murati kritikon LDK-në për mosmiratimin e buxhetit të Prishtinës: Kush është bllokuesi i buxhetit?

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj mosmiratimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025, duke kritikuar LDK-në për qëndrimet e saj në Kuvendin Komunal.
Murati ka kujtuar se LDK-ja deri dje ishte ankuar për buxhetin e Prishtinës, ndërsa tash, pas konstituimit të Kuvendit, po refuzon ta miratojë atë, përcjell Telegrafi.
Sipas ministrit, buxheti i Komunës së Prishtinës, si dhe i dy komunave të tjera, mbetet ende i pamiratuar, ndonëse nuk ka më pengesa ligjore për ta proceduar.
Ai ka paralajmëruar se vonesa në miratimin e buxhetit ka pasoja të drejtpërdrejta, pasi “janë me miliona euro fatura të papaguara si rezultat i mungesës së buxhetit për vitin 2025”, ndërsa “shumë punëtorë të ndërmarrjeve publike lokale janë pa paga”.
Murati e përmbylli reagimin e tij me pyetjen retorike: “Çka mund t’i thuhet këtij veprimi të LDK-së? Kush qenka bllokuesi i buxhetit?”.
Ky reagim vjen pas diskutimeve të fundit në nivel lokal për vonesat në miratimin e buxheteve komunale, që po ndikojnë në funksionimin e shërbimeve publike dhe pagesat ndaj punëtorëve komunalë. /Telegrafi/

















































