Murat Meha thotë se Qafa e Qakorrit në këtë hartë është lartë te kthesat e rrugës, jashtë territorit të Kosovës

Kryetari i Komisionit qeveritar për përcaktimin e vijës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi, reagon ndaj artikullit “Në atlaset e Murat Mehës, kufiri është deri në Çakorr”, të publikuar tek Telegrafi, më datën 19 gusht 2016.
Në artikullin e Telegrafit, është publikuar harta e një Atlasi shkollor, autor i së cilës është Meha, ku shihet se kufiri i Kosovës me Malin e Zi kalon në Çakorr. Po ashtu, vija kalon edhe te Kulla e Zhlebit.
Meha, në reagimin e tij thotë se Atlasi gjeografik “nuk ka asnjë devijim të kufirit të Kosovës”. Sipas tij, harta është keqinterpretuar dhe, ndonëse këto dy pika janë në vijën kufitare, thotë se “Qafa e Çakorrit është lartë te kthesat e rrugës, jashtë territorit të Kosovës ashtu si shihet rrethi i kuq në hartën”.
Reagimin e tij, mund ta lexoni të plotë më poshtë.
“Duke përcjell mediat e shkruara dhe elektronike, shpesh herë të krijohet përshtypja se gjithçka mund të kontestohet bile edhe ajo që është reale, e prekshme dhe e pakontestueshme. Që në fillim, dua të sqaroj se Atlasi gjeografik shkollor, i vitit 2012, i botuar nga Libri Shkollor, autor i të cilit jam unë, është vazhdimësi dhe azhurnim i atlaseve paraprake. Ky atlas gjeografik është shumë i përpiktë dhe i saktë, dhe nuk ka asnjë devijim të kufirit të Kosovës nga vija e paraqitur në hartën turistike, faqe 50. Këtu, vija e kufirit me Malin e Zi shihet se është pikërisht sikur ka qenë vija administrative e Kosovës. Rrethi i kuq në hartë tregon Qafën e Çakorrit. Në shkrim thuhet se ‘Telegrafi ka siguruar disa pjesë nga ky Atlas përmes të cilit ilustrohet qartë se deri ku është ’mexha’ e Kosovës, sipas profesorit universitar Murat Meha’. Në këtë rast, Telegrafi me apo pa qellim, apo nga mungesa e njohurisë për leximin e hartës, e ka keqinterpretuar hartën e Kosovës. Jam i bindur se nxënësit që e mësojnë gjeografinë e lexojnë qartë këtë hartë, dhe shihet që Qafa e Çakorrit është lartë te kthesat e rrugës, jashtë territorit të Kosovës ashtu si shihet rrethi i kuq në hartën në vijim. Disa nga kundërshtarët e shënimit të vijës kufitare Kosovë-Mal i Zi, në mungesë të argumenteve relevante për kufirin, kanë filluar hulumtimin dhe interpretimin e hartave dhe atlaseve nga autorësia ime. Ndaj, për kënaqësinë time profesionale, por edhe të atyre që hulumtojnë, dëshiroj t’ju informoj se përveç punimeve të shumta profesionale e shkencore kam përpiluar dhe botuar shumë harta dhe atlase gjeografike. Sigurisht që këtu nuk ka hapësirë t’i prezantoj të gjitha botimet e atlaseve dhe hartave, por disa në forme kronologjike janë në vijim e mund t’i gjeni dhe t’i analizoni. Të gjitha këto botime, besoj se disa prej tyre i gjeni edhe në vitrinat e shtëpive tuaja, që janë të paraqitura në vijim, janë me kufirin e Kosovës korrekt, zyrtar i cili është edhe në Komunën e Pejës. Do t’ju falënderoj për komentet dhe publicitetin qe ua keni dhënë këtyre publikimeve hartografike dhe së shpejti do të ribotohen në tirazh të madh.























































