Muharrem Jashari, pas një sezoni të mrekullueshëm në Ukrainë, është gati të bëjë një hap përpara në karrierën e tij. Mesfushori kosovar ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve evropiane me paraqitjet e tij mbresëlënëse.

Një nga klubet që ka shfaqur interes konkret për të është gjiganti hungarez Ferencvaros. Ata janë në garë për shërbimet e Jasharit, por nuk janë të vetmit.


Lufta për kartonin e tij është bërë shumë e fortë, pasi në garë janë përfshirë edhe LASK Linz nga Austria, Karpaty Lviv, Polissya Zhytomyr dhe CSKA Sofia.

Pavarësisht interesimit të madh, LNZ Cherkasy dëshiron ta mbajë lojtarin dhe i ka ofruar një rritje të konsiderueshme page, pothuajse dyfishim të asaj që merr aktualisht.

Muharrem Jashari

Kontrata e mesfushorit 23-vjeçar është e vlefshme deri në fund të vitit 2026, gjë që i jep Cherkasyt një pozicion të favorshëm në negociata.

Jashari regjistroi 30 paraqitje në sezonin e fundit, duke shënuar 5 gola dhe duke dhënë 8 asistime, statistika që reflektojnë rëndësinë e tij në fushë.

Klubi ukrainas synon të përfitojë rreth 2 milionë euro nga shitja e tij, ndërsa Jashari pritet të jetë një nga emrat më të përfolur të merkatos verore për klube që kërkojnë kreativitet në mesfushë. /Telegrafi/

telegrafi sport app