Momente sikleti për Yamal në Turqi, e humbi pasaportën dhe nuk mund ta gjente edhe pas kontrolleve

Futbollisti i Barcelonës dhe i ekipit kombëtar spanjoll, Lamine Yamal, përjetoi një situatë të pakëndshme pas ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës kundër Turqisë.
Konkretisht, Yamal nuk mundi ta gjente pasaportën e tij dhe u detyrua të zbriste nga autobusi për ta kërkuar atë, por, për fat të keq, nuk ia doli dot.
Siç mund të shihet në videon që u publikua, situata ishte mjaft e tensionuar për Yamalin, i cili e kontrolloi me dëshpërim çantën e tij dhe më pas u kthye edhe në dhomën e zhveshjes, duke u përpjekur të kujtonte se ku mund të ishte pasaporta e tij, por pa sukses.
Megjithatë, siç raporton Marca, lojtari më i mirë i ri në botë nuk do të ketë shumë probleme për shkak të humbjes së pasaportës së tij dhe do të kthehet në Barcelonë gjatë ditës për detyrat e klubit.
Kujtojmë se Spanja e mposhti Turqinë si mysafire me rezultatin 6:0 në kualifikueset për Kupën e Botës dhe bëri një hap tjetër drejt kualifikimit në Kupën e Botës.



















































