Moment i veçantë, në Mitrovicën e Veriut, asamblistja Aida Ferati Doli ushqen me gji foshnjën gjatë betimit

Një skenë e rrallë dhe e pahasur më parë në institucionet lokale të Kosovës është parë sot në seancën konstituive të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut. Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati Doli, u betua në detyrë ndërsa në krah mbante foshnjën e saj, të cilën e ushqente me gji.
Pamje të tilla janë parë më herët në institucione të tilla si Parlamenti Evropian apo Senati italian, por jo në Kosovë.
Me këtë gjest, Ferati Doli theu një tabu të gjatë, duke normalizuar amësinë dhe pjesëmarrjen aktive të grave në jetën institucionale.
Ajo e ka ndarë vetë momentin emocional me ndjekësit e saj, duke shkruar:
“Sot, bashkë me Ninzën, u betuam në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, në Republikën tonë.
Me nder e përgjegjësi, fillojmë një kapitull të ri të angazhimit qytetar e institucional, në shërbim të komunitetit dhe vendit tonë.”
Ky veprim i saj ka marrë vëmendje të gjerë në rrjete sociale, ku shumë qytetarë e kanë cilësuar si shembull të fuqizimit të grave, normalizimit të rolit të nënës dhe guximit për të sfiduar normat e vjetra në institucionet publike./Telegrafi/


































