Është fjala për modelin e “dy Gjermanive” si referencë lidhur me arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare midis Prishtinës dhe Beogradit që po riqarkullon në Ballkan dhe në metropole evropiane; tregues i shqetësimit, por dhe shterpësisë së politikës ndërkombëtare në gjetjen e një zgjidhjeje tërësore dhe të qëndrueshme për dialogun e lartpërmendur. Për fat të keq, ka dhe ndonjë personalitet e publicist të huaj të njohur që le pas dore “frymën”, përmbajtjen dhe mundësitë praktike të realizimit të këtij modeli, sado i spikatur që është, duke u dhënë kryesisht pas “gërmave”, formës dhe qëllimit.
Le të hyjmë drejt e në temë, duke u ndalur në mënyrë të përmbledhur në 10 arsyet, akterët dhe faktorët madhorë politikë që çuan në “Traktatin Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës Federale të Gjermanisë (RFGj) dhe Republikës (komuniste) Demokratike të Gjermanisë (RDGj)” me anekset e zbatimit të tij, të nënshkruar më 21 Dhjetor 1972 në Berlinin Lindor, që hyri në fuqi më 12 Qershor 1973; bashkë me plus/minuset, vonesat, mungesat dhe pengesat te dy Gjermanitë, Serbia, Kosova dhe komuniteti ndërkombëtar. Veç të tjerash, në këtë analizë krahasuese kam avantazhin e përvojës së gjatë diplomatike me çështjen gjermane, sidomos në Berlin në vitet 2000 e më tej.
Së pari, ndryshe nga Kosova dhe Serbia, bëhet fjalë për një komb dhe popull të vetëm gjerman, me një gjuhë dhe kulturë, që nuk kanë luftuar ndaj njeri-tjetrit, as e kanë keqtrajtuar e masakruar atë si serbët në Kosovë. Të ndarë pas Lufës së Dytë Botërore, në rrethana të njohura politike, krejt të ndryshme nga aneksimi i padrejtë dhe krijimi i shtetit të pavarur pas dhunës së pashembullt serbe mbi Kosovën. Tejet e rëndësishme, RFGj dhe RDGj nuk kishin asnjë problem apo pretendim territorial, siç ndodh me Serbinë, që kërkon kompensimin përkatës për njohjen e Kosovës.
Së dyti, historikisht, modeli i dy Gjermanive u realizua pesë dekada më parë gjatë Luftës së Ftohtë. Gjatë periudhës 1945-1990 , RFGj dhe RDGj u përkisnin dy sistemeve diametrialisht të kundërta ideologjike dhe politike – Lindjes dhe Perëndimit; kur RFJ-ja brenda 10 viteve krijoi mrekullinë ekonomike dhe u bë bashkëthemeluese e KiE-së dhe BE-së; ndërsa Beogradi dhe Prishtina janë të dyja shtete demokratike, në një “paqe të nxehtë” të cilat i bashkon synimi i përbashkët i anëtarësimit në BE – tjetër gjë që Serbia kullot në katër grazhde me një sjellje si nata me ditën krahasuar me RFGj-në.
Së treti, lidershipi gjerman e sidomos ai i RFGj-së nuk mund të krahasohet me atë të Serbisë; Adenauer, “babai” i Gjermanisë moderne ishte i burgosur i Hitlerit, ndërsa lideri socialdemokrat Willy Brandt, u shtrëngua të emigronte në Norvegji për t’i shpëtuar nazizmit. Të dy ata u bënë epokalë dhe si liderë të BE-së, NATO-s dhe multilaterizmit. Ndërsa, Serbia drejtohet prej vitesh nga ish-ministri i Informacionit i Miloseviqit e të tjerë; liderët e RFGj-së kanë kërkuar ndjesë për Holokaustin jo vetëm me fjalë; Ish-kancelari Brandt u përul në gjunjë më 1970 në Varshavë para kujtimit të tyre, ndërsa më 22 qershor, presidenti gjerman Steinemeier e konsideroi “barbari” agresionin ndaj ish BRSS-së 80 vjet më parë. Çfarë kontrasti me Beogradin që vazhdon të nderojë gjeneralët kriminelë që bënë kërdinë mbi popullsinë e pafajshme të Kosovës, të promovojë veprat e tyre dhe pa denjuar ende të paktën të kërkojë ndjesë!
Së katërti, konteksti politik historik krejt i ndryshëm. Traktati i lartpërmendur gjerman erdhi si reagim ndaj shqetësimit të krijuar nga pushtimi i Çekosllovakisë më 1968 dhe vështirësitë e sajuara për kalimin nga pjesa lindore në atë perëndimore; por veçanërisht nga sofistikimi i Murit të Berlinit që vazhdonte dhe në vitet 1970, duke e kthyer atë në një impiant vdekjeprurës. Nga kjo pikëpamje, Kosova dhe Serbia ndodhen në pozita shumë më komode, vetëm se Serbia është e burgosur e të kaluarës së vet me plot mure.
Së pesti, Berlini ishte fronti ballor dhe më kritik i ballafaqimit politik dhe ushtarak Lindje-Perëndim; nisur nga nevoja e kapërcimit të këtyre situatave dhe shembjes së mureve, gardheve dhe bunkerëve, sapo erdhi në pushtet më 1969, kancelari Villy Brandt lansoi Ostpolitikën e famshme. Duke nxjerrë jashtë loje doktrinën Hallstein të ish-këshilltarit të Adenauer, Walter Hallstein. Përvoja e saj 15-vjeçare dëshmonte qartë se izolimi diplomatik i RDGj-së që ajo synonte, kishte dështuar. Mirëpo, si do të shkohej drejt paqes, sigurisë dhe ribashkimit gjerman? Pikërisht këtij objektivi madhor i dha përgjigjen e duhur Ostpolitik ose politika e ndryshimit nëpërmjet afrimit me vendet lindore. Një doktrinë tërësore, mbi bazën e të cilës RFGj-ja ndërmori hapa të mëdhenj e të shpejtë; një prej tyre ishin marrëveshjet me RDGj-në, por dhe me të gjitha vendet lindore, me përjashtim të vendit tonë që e refuzoi atë. Për këtë qëllim, RFGj-ja ofroi programe të shumta e të mëdha ndihmash të çdo lloji dhe shtoi ndjeshëm kontaktet njerëzore, kulturore etj. Kështu, dora-dorës, Perëndimi po kthehej në një vitrinë të dinjitetit dhe begatisë njerëzore.
Në këtë fushë, edhe Serbia me Kosovën nuk ngelen prapa; në mbi 20 vjetët e fundit ato kanë qenë përfituese dhe pjesëtare të shumë programeve, strategjive dhe fondeve të mëdha sidomos nga ShBA/BE; duke filluar me Paktin e Stabilitetit, Procesin e Stabilizim-Asociimit dhe tani Procesi i Berlinit; ndonëse jo me efekte të ndjeshme, sidomos në rrëzimin e mureve në kokat e njerëzve.
Së gjashti, në planin dypalësh, më 1970 dhe 1971, Willy Brandt kishte bërë vizitë zyrtare në Moskë, në Berlinin Lindor dhe gjetkë, duke krijuar terrenin dhe klimën e nevojshme për hapat e mëtejshëm. Ndërsa, liderët e Kosovës takohen me ata serbë vetëm në forume shumëpalëshe; dhe, atje më shumë për incidente e duke treguar muskujt, për përfitime të brendshme dhe të çastit, shpesh personale; kështu, në vend t’i venë vetullat, i nxjerrin sytë bashkëpunimit dypalësh.
Së shtati, faktori ndërkombëtar, pa mbështetjen e të cilit modeli gjerman do të ishte i pamundur. Traktati i lartpërmendur si nevojë e brendshme u realizua me kërkesën dhe pëlqimin e ShBA-së, Francës, Britanisë së Madhe dhe ish-Bashkimit Sovjetik, si katër fuqitë e mëdha përcaktuese për çështjen gjermane dhe mbi bazën e traktateve të ngjashme me Moskën, Pragën, Varshavën etj. Madje, ishin ata që garantuan edhe anëtarësimin e të dy Gjermanive në OKB më 18 Shtator 1973.
Këtu do theksuar se atëherë Rusia kishte interes për njohjen e RDGj-së, sepse forconte pozitat e saj ndërkombëtare, me shpresë që të ndikonte Lindja mbi Perëndimin dhe jo anasjelltas. Po sot, a ka interes Rusia për njohjen e Kosovës, kur dhe tematika është shumë më e ngatërruar? Nga ana tjetër, Rusia nuk anashkalohet dot, se është anëtare e KS të OKB-së. Ja një çështje tjetër e vështirë për përgjigje e ca më pak bindëse.
Kjo tablo bëhet dhe më e zymtë mbasi ndryshe nga atëherë, kur sapo kishte venë këmbët atje, tani ka fjalën dhe veton në OKB dhe Kina. Ka jo pak tregues se interesi i tyre, e sidomos i Rusisë është ta kthejnë Kosovën në një konflikt të ngrirë dhe në gur shahu për ujdi të mundshme me Ukrainën dhe rajone të tjera.
Nuk po hyjmë te Franca, Britania e Madhe dhe BE-ja, si lehtësuese e dialogut Prishtinë-Beograd, që ndryshe nga 50 vjet më parë kanë dhe ato diferenca dhe nuanca për këtë temë, veç pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën.
Së teti, pika ku kapen më shumë ithtarët e dy Gjermanive është mosnjohja e RDGj-së dhe si kompensim, pranimi i saj në OKB, çka nuk është e saktë dhe aq e thjeshtë. Po, RFG-ja nuk e njohu RDGj-në në sensin strikt juridik (Volksrecht). Dhe, kjo jo se nuk deshi, por sepse Ligji Themeltar gjerman më 1949 e kishte përcaktuar Gjermaninë si entitet të pandarë me synimin për ribashkim. Po ta njihte RDGj-në në kuptimin klasik të fjalës, do të nënkuptonte se hiqte dorë nga synimi strategjik, çka Bundestagu dhe populli në shumicë nuk do ta pranonte.
Por, në një pikëpamje më të gjerë të së drejtës kushtetuese (Staatsrecht), RFGj-ja praktikisht e njohu RDGj-në. Kjo del qartë në Traktatin e lartpërmendur me 10 pika, ku përmenden açik me emër dy shtete fqinje, sovrane, me integritet territorial, që respektojnë njëra-tjetrën kudo, duke hequr dorë nga dhuna dhe konfliktet dhe që mbështetin njëra-tjetrën në OKB. Dhe, në aspektin diplomatik, ata caktuan përfaqësues të përhershëm që ishin pothuajse ambasadorë. Më 1 Gusht 1975, Kancelari Schmidt dhe Honeker nënshkruan dhe Aktin Final të Helsinkit etj. Kësisoj, praktikisht RFGj-ja e njohu si shtet më vete RDGj-në.
Këtu lind pyetja: Po Serbia, a pranon të bëjë qoftë dhe këtë njohje elegante pothuajse të plotë de fakto të Kosovës? Apo që në këmbim të kësaj mosnjohjeje klasike të pranojë që Kosova të hyjë në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare nga pozita të barabarta, siç ndodhi me dy Gjermanitë? Kurrsesi, madje ajo vazhdon fushatën e çnjohjeve të Kosovës! Mirëpo, edhe vetë Kosova nuk e pranon këtë ndarje artificiale. Disa ditë parë, në Takimin e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosja, kryeministri Kurti theksoi se Kosova kërkon detyrimisht njohjen nga Serbia dhe pranimin në OKB, pa ndarje dhe kushtëzim!
Së nënti, e që hedh poshtë çdo iluzion për modelin e dy Gjermanive është se gjithçka atëherë u bë në funksion të shembjes së Murit të Berlinit dhe ribashkimit gjerman që u bë realitet 17 vjet pas asaj marrëveshjeje. Mirëpo, po të ishte që Kosova të ribashkohej me Serbinë, atëherë si kjo e fundit, Kina dhe Rusia do të nxitonin ta pranonin modelin gjerman. Por, dhe kjo nuk ka shans të ndodhë.
Së dhjeti, edhe sikur të mund të “kopjohej” modeli gjerman, do të duhej shumë kohë, mund e demarshe, me plot të papritura të brendshme dhe të jashtme. Ja, shihni, kur nisi procesi i ripajtimit në rajonin tonë, të gjitha shpresat ishin te Ostpolitika e Ballkanit – anëtarësimi në BE dhe NATO që i bashkonte të gjithë. Në dispozicion të atij objektivi gjeostrategjik u vunë mbi 20 nisma rajonale dhe së fundi Procesi i Berlinit. Mirëpo, ndryshe nga dy Gjermanitë, ndonëse pas 10 vjet dialog rezultatet nuk mungojnë, ato janë larg pritshmërive dhe objektivave madhore të komunitetit ndërkombëtar dhe vendeve tona. Dhe, Serbia që filloi gati 10 vjet më parë negociatat është në vendnumëro dhe pse e mbajnë me hatër.
Si përfundim, në diplomaci kërkohet kujdes kur është për të mësuar, e ca më tepër imituar modele të mëparshme si ky i dy Gjermanive. Vërtet që prej tyre mund të mësohet apo të shërbejnë si pika referimi/reflektimi, por jo mekanikisht “copy- paste” siç veproi presidenti i Koresë së Jugut në fund të viteve 1980, i cili kur pa suksesin e Ostpolitikës lansoi Nord Politikën ndaj fqinjit verior. Më vonë e quajti Politika Diellore, por sërish dështoi mbasi koha, kushtet dhe rrethanat në Gadishullin korean ishin krejt të ndryshme dhe nuk kishte Willy Brandt “korean”.
Ja pse modeli i dy Gjermanive është i pavend, jo relevant dhe i pamundur të zbatohet në rastin e Serbisë dhe Kosovës. Veç ndonjë elementi teknik, prej saj mund të mësohet nga fryma dhe vullneti politik; tejet deficitarë, sidomos te Serbia. Mirëpo, pa këtë frymë nuk ka germa dhe modele në botë që ndihmojnë për të dalë nga ngërçi i gjatë.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Eskalon situata pas hedhjes së proteinave, përfshihen edhe banorët e tjerë
"Hykmete ku është paswordi?" - Kelmendi kërkon llogari nga ish-ministrja për platformën e digjitalizimit prej 5.6 milionë euro
Pasagjerët të tmerruar, gjërat filluan të bien në dysheme – pamje të aeroplanit të Scandinavian Airlines, teksa po përballej me turbulenca në ajër
Lista e ndihmave ushtarake për Ukrainën, top 10 shtetet që e ndihmuan në luftën kundër Rusisë
Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Faktet më të çuditshme që mund të mos i dini për Elon Musk
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë armët amerikane në Rusi, reagon Zelensky
“Më mirë të më shajnë nënën, sesa të këndojnë “Serbi, Serbi”” - Llullaku shpjegon për mediat rumune se pse lojtarët e Kosovës vendosën të largohen
“Do thyejmë të gjitha rekordet”, Ronaldo thotë se mysafiri i tij i radhës në YouTube është më i famshëm se ai
“E dimë si ke shkuar në finale” - përplasje në mes të Edona James dhe Santianës live gjatë emisionit