Mjegulla që ka përfshirë kryeqytetin në ditët e fundit, jo vetëm që ka ulur dukshmërinë, por ka shtuar edhe rrezikun në komunikacion. Prandaj Policia e Kosovës apelon për kujdes të shtuar, pasi ngasja në mjegull mund të jetë e rrezikshme.

Ekspertët e komunikacionit këshillojnë që në mjegull të kemi më shumë kujdes, t`i ndjekim rregullat dhe t`i shmangim daljet e panevojshme.


“Çfarëdo situate që është si mjegull, si shi, si borë, nëse kemi kujdes, normal që mund t’ia dalim më lehtë dhe më mirë. Në ditët me mjegull duhet të ulet shpejtësia, nëse na zë gjatë rrugës mjegulla, por nëse kemi mundësi t’i shmangemi trafikut është më mirë t’i shmangemi sidomos në orët e hershme e në orët e vona sepse është më e vështirë vozitja”, tha Lavdim Hamiti, ekspert i komunikacionit.

Por, në trafikun ajror, zyrtarë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës deklaruan se nuk janë shkaktuar vështirësi apo anulime të fluturimeve si shkak i mjegullës.

Sidoqoftë, mjegulla u tha se ka ndikim negativ edhe në shëndetin e njeriut.

“Mjegulla në përgjithësi ndikon si e vetme, në mënyrë direkte tek njerëzit që kanë probleme resipiratore që kanë astmë apo bronkit. Efekti i dëmshëm i mjegullës rritet me ndotje, pra efekti i dëmshëm i mjegullës është sepse në momentin kur kemi mjegull, ndotja e ajrit bëhet shumë më e efektshme, në atë aspektin e keq”, tha Besim Morina, pulmolog.

Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik ka njoftuar se pritet stabilizim i kushteve meteorologjike./RTK