Mjedisi dhe vetëvrasjet

Periudha e maj-qershorit është koha gjatë vitit kur numri i vetëvrasjeve është më i lartë dhe e ky fenomen zë më shumë vëmendjen e shoqërisë. Në Shqipëri kemi një dyfishim të numrit të vetëvrasjeve gjatë viteve të tranzicionit. Statistikat e OBSH-së flasin për një mesatare prej 63 personash në vit për periudhën 1987-1996, dhe 134 persona në vit për periudhën 1997-2004. Numri i tyre duhet të jetë më i lartë se ai i raportuar në OBSH, sepse burime të ndryshme në media flasin për 2502 të vetëvrarë në periudhën 2000-2007 dhe një mesatare prej 200 të vetëvrarësh në vit.
Përse është shtuar numri i vetëvrasjeve vitet e fundit?
Shpesh fajësohet gjendja ekonomike si faktori më i rëndësishëm. Por, kur Shqipëria ishte vendi më i varfër në Evropë, e ushqimi blihej me tollon, numri i vetëvrasjeve ishte 2-3 herë me i vogël se sot. Vetëvrasja është një ndër simptomat unike të depresionit. Ndër faktorët riskues ndaj depresionit mjekët dhe studimet përmendin disa syresh. Mungesa e aktivitetit fizik (qytetet tona janë të tejndërtuara, me pak hapësira të gjelbra për sporte e aktivitet fizik; universitetet i organizojnë provimet në sezone, gjatë të cilave studentët kalojnë muaj pa aktivitete fizike). Ndotja nga zhurmat: numri i automjeteve në Shqipëri këto 20 vjet është trefishuar, automjetet janë burim i konsiderueshëm zhurme.
Lokalet prezente në çdo pallat, shpesh janë burim zhurme. Ankesat e qytetareve, sidomos ne kryeqytet, janë të shumta sa i përket ndotjes akustike; ndotjen nga drita artificiale: ndriçimi artificial ka aftësinë unike të çrregullojë orën biologjike të njeriut, ritmet fiziologjike të ushqyerjes dhe gjumin. Sot njerëzit flenë më pak e më keq se një shekull më parë, në sajë të ndriçimit të kudogjendur e zhurmave. Hartat e NASA-s që tregojnë botën natën në vitet 1992-2012 tregojnë qartë sa shumë është shtuar ndriçimi natën në Shqipëri. Sidomos studentët gjatë sezonit të provimeve, kur mësojnë deri në orët e vona të natës, e ekspozohen pak ndaj diellit gjatë ditës, shtojnë ekspozimin e tyre ndaj këtij faktori.
Ndotja nga smogu dhe kimikatet: studimet tregojnë se ekspozimi ndaj çrregulluesve endokrinë (disa lloje kimikatesh kryesisht pesticide, plastika, metale të rënda), sidomos në barkun e nënës, shton prirjen për depresion gjatë jetës. Smogu gjithashtu shton riskun për depresion. Ndoshta jo rastësisht psikiatri Neli Demi, vë re në një intervistë të tij të dhënë para disa kohësh se sipas statistikave më shumë vrasin veten ata që banojnë në Fier e Elbasan. Këto janë dhe dy ndër qytetet më të ndotura të Shqipërisë me kimikatet e industrisë së rëndë.
Dieta e keqe: ushqyerja me ushqime të pasura me kalori (sidomos me karbohidrate), por të varfra në vlera ushqimore, gjithashtu fajësohet për rastet e shtuara të depresionit. Ushqyerja e gabuar është pjesërisht dhe pasojë e ndotjes: njerëzit e stresuar nga ndotja janë të prirur të abuzojnë me ushqimin. Studentët mund të jenë ndër grupet e popullsisë më të ekspozuara ndaj këtyre faktorëve, por ka pak sensibilizim mes tyre për pasojat e rënda që mund të sjellë ndotja në shëndet.
(Shekulli)




















































