Nga: Jonathan Schanzer, drejtor ekzekutiv në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive / New York Post
Përkthimi: Telegrafi.com

Presidenti Trump po bën lëvizje të mëdha në mbarë botën. Nga kapja e diktatorit venezuelas Nicolás Maduro, te kërcënimi për pushtimin e Grenlandës, te shtytja për një armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë, politika e jashtme e Trumpit është e ngarkuar. Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës ende po flet për këtë.


I lënë në hije nga këta tituj më të mëdhenj, jo më pak i rëndësishëm është Bordi i Paqes i sapokrijuar nga Trumpi.

Bordi është krijuar për të zbatuar planin 20-pikësh të paqes të presidentit për Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta, siç është miratuar fjalë për fjalë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në nëntor.

Kritikë të rëndësishëm, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, pohojnë se Trumpi - përmes këtij bordi të ri që ai mbikëqyr personalisht dhe në mënyrë të pacaktuar - po përpiqet të zëvendësojë Kombet e Bashkuara si pjesë e një reformimi më të gjerë të sistemit ndërkombëtar i cili pas Luftës së Dytë Botërore krijoi OKB-në, NATO-n dhe shumë nga organizata të tjera që sot po humbin vazhdimisht rëndësinë.

Dikush mund ta kuptojë shqetësimin e Macronit: statuti i bordit nuk përmend Gazën, por përshkruan një vizion më të gjerë për të promovuar stabilitetin dhe për të siguruar paqe në çdo zonë të kërcënuar nga konflikti. Kjo tingëllon goxha shumë si OKB.

Jo një aleancë ushtarake

Megjithatë, sipas zyrtarëve të administratës Trump, të cilët nuk folën publikisht, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj OKB-së.

Përkundrazi, duhet parë si një nga disa entitete shumëpalëshe, si G20 apo Grupi i Bankës Botërore, që mund të ndihmojnë në shtytjen e një OKB-je të lëkundur kah drejtimi i duhur.

Po ashtu nuk është një aleancë ushtarake, përderisa NATO është.

Megjithatë, disa vende janë të shqetësuara se bordi do të minojë qëllimin e NATO-s si aleancë e krijuar për të kundërshtuar ndikimin rus. Për tmerrin e aleatëve tanë të NATO-s, Trumpi ftoi liderin e fortë rus, Vladimir Putin, që të bashkohet me këtë bord të ri - së bashku me aleatin e tij, diktatorin bjellorus, Alexander Lukashenko.

Kjo vjen në një kohë kur NATO po përballet me tensione të paprecedenta mbi mosmarrëveshjen mes Uashingtonit dhe kryeqyteteve evropiane për fatin e Grenlandës dhe mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Muajt në vijim do të japin një ndjenjë më të qartë për drejtimin e bordit. Gaza është një sfidë e madhe. Do të ishte zgjuarsi që bordi të merret i pari me atë situatë përpara se të kalohet te konfliktet e tjera ndërkombëtare.

Administrata Trump tashmë ka ndërmarrë disa hapa fillestarë, duke formuar një nënkomitet brenda bordit i cili do të jetë përgjegjës për menaxhimin e Gazës. Figura të njohura amerikane dhe ndërkombëtare janë bashkuar (edhe pse Franca dhe Gjermania kanë refuzuar).

Një figurë palestineze tani qëndron në krye të Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës. Dhe, ngadalë po ndërtohet momentumi për një Gazë pa Hamasin.

Por, detyrat kryesore të bordit - çarmatimi i terroristëve të Hamasit dhe vendosja e një Force Stabilizuese Ndërkombëtare - mbeten përpara.

Megjithatë, përfshirja e figurave që përfaqësojnë Katarin dhe Turqinë, të dyja mbështetëse të vjetra dhe të vazhdueshme të Hamasit, ngre një pyetje të pakëndshme: A do të vazhdojnë Doha dhe Ankaraja të mbështesin klientin e tyre terrorist në Gazë, apo do të punojnë me administratën Trump për të përfunduar sundimin e Hamasit në Gazë dhe për të filluar rindërtimin e Rripit?

Për të qenë të qartë, Katari dhe Turqia mbajnë përgjegjësi të konsiderueshme për sulmin brutal të 7 tetorit ndaj Izraelit dhe luftërat pasuese që kanë vazhduar për më shumë se dy vjet. Përfshirja e tyre në Bordin e Paqes duket si shpërblim për sjellje të keqe.

Pozicion ndikimi

Përderisa disa kritikë kanë pohuar se bordi është test i besnikërisë ndërkombëtare ndaj Trumpit, ky perceptim në fakt mund të rezultojë në dobi të Trumpit.

Ai duhet të kërkojë që Katari dhe Turqia të dëbojnë Hamasin nga territoret e veta dhe ta përfundojnë çdo mbështetje. Ky duhet të jetë kushti për përfshirjen e tyre të vazhdueshme.

Nëse Gaza shndërrohet në një histori suksesi, atëherë mund të imagjinohet lehtësisht që bordi të merret me sfida të tjera globale, nga lufta ruse kundër Ukrainës te kriza e tmerrshme humanitare e shkaktuar nga konflikti në Sudan.

Çakejtë në OKB po shikojnë me ankth. Nëse Trumpi ka sukses, kjo do të jetë një tjetër shenjë e dështimeve të tyre. /Telegrafi/