Në qytet fillon të përhapet gripi. Ti nuk e merr seriozisht, sepse beteja me gripin është një ritual vjetor që nuk meriton as vëmendje. Pastaj ti dëgjon thashetheme lartë e poshtë që njerëzit po vdesin nga gripi. Kryesisht të rinjtë. Mirëpo, nuk i beson, sepse mediat dhe autoritetet zyrtare thonë se nuk ka arsye për tu shqetësuar dhe bëhet fjalë për një grip të zakonshëm. Madje, qeveria vendos në mbajë një marshim masiv të ushtrisë në qytet, për të festuar suksesin ushtarak të vendit.
Dy ditë më vonë gjërat fillojnë të degradojnë dita ditës, qeveria fillon të pranojë se situata është serioze dhe merr masa ekstreme. Anulohen aktivitetet masive, mbyllen shkollat, izolohet qyteti dhe bëhet e ndaluar me ligj të dalësh në publik pa vendosur maskë. Spitalet mbushen tej kapacitetit. Vdesin me qindra njerëz në ditë, por nuk ka kush t’i varrosë. Priftërinjë dalin nëpër qytet duke i bërë thirrje njerëzve të mos i mbajnë të vdekurit në shtëpi. I gjithë ky makth zgjat gati një vit dhe mbaron duke marrë me vete deri në 100 milionë njerëz në të gjithë botën…
Kjo nuk është ndonjë faqe nga romani “Murtaja” e Kamysë, por një pasqyrë e perspektivës së banorëve të Filadeflisë në Amerikë, që jetuan pandeminë e “gripit Spanjoll” rreth 100 vite më parë (1918-1919). Një pandemi që shkaktoi dyfishin e viktimave të Luftës së Parë Botërore, dhe që njihet si pandemia që ka vrarë më shumë njerëz në historinë e botës moderne.
E megjithatë, për të paktën 10 mijë vite sëmundjet masive janë një kërcënim i vazhdueshëm për njerëzimin. Vetëm në 500 vitet e fundit bota ka njohur të paktën 15 pandemi gripi, të cilat kanë vrarë deri në tre milionë njerëz. Ndërkohë gripi i zakonshëm përllogaritet se vret 250-650 mijë njerëz çdo vit.
Qëkur bota filloi të njohë perandoritë e para, bashkë me to erdhi edhe përhapja e sëmundjeve në nivel global (pandemi), rrezikshmëria e të cilave ka shkuar krah për krah me nivelin e dijes apo injorancës njerëzore.
Rreth 2400 vite më parë, në botën antike u përhap Malaria. Një sëmundje që u zvarrit ndër shekuj në botën antike dhe që mendohet se i mori jetën Aleksandrit të Madh, të cilin nuk e kishin mposhtur dot ushtritë më të fuqishme të kohës. Që paraziti që shkakton malarien ndodhej në barkun e mushkonjave do të zbulohej vetëm 2300 vite më vonë. Kështu që njerëzit e kohës as nuk e dinin nga iu vinte e keqja, dhe as nuk dinin si të mbroheshin.
Rreth 1800 vite më parë, ushtarët romak që ktheheshin nga Azia Perëndimore kishin marrë me vete edhe sëmundjen e lisë. Mark Aurelius, perandori filozof që i kishte mbijetuar betejave ushtarake, do të vdiste nga kjo sëmundje misterioze. Bashkë me të vdiq edhe një e treta e popullsisë së perandorisë (rreth pesë milionë njerëz). Perandoria Romake kishte arritje të jashtëzakonshme në shkencë, por në atë kohë askush nuk e kishte idenë çfarë ishin viruset dhe si transmetoheshin. Ato do të zbuloheshin 17 shekuj më vonë, dhe misteri i tyre do vazhdonte edhe për ca dekada të tjera.
Rreth 600 vite më parë, mongolët gjatë luftës me evropianët në qytetin që është sot Krimea, iu kaluan murtajën. Bakteret do të zbuloheshin vetëm 300 vite më vonë, kështu që në atë kohë njerëzit nuk e kuptonin mirë nga vinte sëmundja, si transmetohej dhe si mund të kurohej. Prandaj, kur në brigjet e Sicilisë mbërriti anija e parë me ushtarë të sëmurë (një pjesë e të cilëve kishin vdekur rrugës), askush nuk e kuptoi rrezikun që iu kanosej. Shumë shpejt sëmundja u përhap në të gjithë qytetin, dhe nga aty në të gjithë Evropën.
Pasi bakteri filloi të bënte kërdinë, njerëzit kuptuan se duhet të qëndronin larg tregjeve ku mblidheshin turmat, dhe të shmangnin kontaktet me njerëzit e sëmurë. Elitat filluan të linin qytetet dhe të largoheshin për në rezidencat e tyre në fshat, e në mal, duke e marrë sëmundjen me vete. Nga ana tjetër, anijet vazhdonin të përhapnin bakterin në çdo breg. Pikërisht në atë kohë, dhe për ironi të fatit, në Italinë e Veriut, u aplikua për herë të parë izolimi për 40 ditë i njerëzve që kishin ardhur nga zonat e prekura. Nga aty buron edhe termi ‘karantinë’ (dyzetë).
Por, ishte shumë vonë. Pandemia u përhap kudo duke zhdukur komunitete të tëra, dhe duke vrarë rreth 60 për qind të popullsisë evropiane (50 milionë njerëz), përfshirë edhe mbretëreshën e Anglisë dhe një nga piktorët e mi të preferuar, Holbein.
Rreth 200 vite më pare, në Indi u shfaq sëmundja e kolerës e cila u soll në Evropë nga ushtarët britanik dhe vrau miliona njerëz për vite të tëra. John Snow, që njihet si një nga themeluesit e epidemiologjisë, arriti të kuptojë se sëmundja përhapej nga uji dhe bindi autoritetet që të mbyllnin çezmat publike në Londër. Autoritetet në Paris bënë të njëjtën gjë, dhe urdhëruan që të mos pihej uji i çezmës pa u zierë, duke ulur kështu në mënyrë të ndjeshme përhapjen e sëmundjes.
Mirëpo, 40 vite mbas këtij zbulimi, kompozitori i famshëm Tchaikovsky, mendonte se bakteri ishte fans i muzikës klasike. Kështu që një natë, teksa luante me miqtë në një nga klubet e Parisit, i sfidoi ata duke iu thënë se udhëzimet e qeverisë ishin budallallëqe. Dhe, për ta vërtetuar këtë, piu një gote ujë nga çezma, duke injoruar këshillat e kamerierit. Mirëpo, doli që murtaja nuk pyeste për “Liqenin e Mjellmave”, kështu që të nesërmen, Tchaikovsky u be viktima e njëqindmijë e një e kolerës në Francë.
Rreth 100 vite më parë, në mars 1918 në mes të ushtarëve amerikanë u shfaq një grip agresiv, i cili vriste kryesisht të rinjtë, pasi provokonte një reaksion ekstrem të sistemit imunitar. Megjithëse ky grip ishte tepër i rrezikshëm dhe përhapej me shpejtësi, qeveria amerikane vendosi ta mbante të fshehte lajmin dhe të detyronte mediat të mos raportonin.
Siç u përmend në fillim të këtij shkrimi, kulmi i papërgjegjshmërisë ishte kur më 19 shtator te atij viti, gjashte muaj pas nisjes së epidemisë, kundër këshillave të mjekëve autoritetet vendosën që të zhvillonin një paradë ushtarake në Filadelfia. Përpara paradës zyrtaret siguruan publikun se qeveria kishte gjithçka nën kontroll. Por, një javë më vonë, qyteti u kthye në një varrezë masive, ku autoritetet spitalore, por edhe kompanitë funerale, u gjetën krejt të papërgatitura për të menaxhuar situatën. Qyteti u vendos në izolim total dhe qindra të sëmurë vdiqën nga uria, pasi nuk guxonte të shkonte njeri t’i ndihmonte.
Duke qene në mes të Luftës së Parë Botërore, ushtarët amerikane e përhapen virusin në Evropë nga ku mori edhe emrin ‘Gripi Spanjoll’. Mori këtë emër pasi Spanja ishte i vetmi shtet ku mediat raportonin lirisht për ecurinë e sëmundjes. Në përfundim të luftës, raportohet se bilanci i viktimave të saj ishte 16 deri ne 40 milionë njerëz. Ndërsa, gripi mendohet se vrau deri në 100 milionë vete dhe zuri rreth 40 për qind të popullsisë botërore. Mes të prekurve ishte edhe mbreti i Spanjës dhe presidenti i SHBA-së, Wilson, të cilit raportohet se i ra të fikët gjatë konferencës së Versajës.
Më 2020 bota po njeh një pandemi tjetër. Është një sëmundje që po vazhdoi me këto ritme, mund të prekë deri në 70 për qind të popullsisë dhe të vrasë mbi 10 milionë njerëz brenda pak muajve. Deri tani ka shënuar rreth 5000 viktima dhe ka sëmurur rëndë mijëra të tjerë. Pa kursyer mjekë, liderë fetarë, ministra shëndetësie, kongresmenë apo senatorë. Madje, dyshohet se mund të ketë prekur edhe papa Françeskon dhe presidentin Trump, gjyshi i të cilit vdiq nga gripi i Spanjës 100 vite më parë.
Pavarësisht teorive qesharake se shqiptarët kanë imunitet nga virusi, Shqipëria mbetet brenda zonës së rrezikut. Madje, ne kemi një rrezik të shtuar për shkak të disa arsyeve shtetërore, ekonomike dhe sociale. Nga pikëpamja shtetërore, ne po paguajmë pasojat e mënyrës se si është qeverisur për 30 vite. Spitalet tona edhe pa filluar pandemia mezi ia dalin të ofrojnë shërbimet e nevojshme. Buxheti për shëndetësinë në vend që të shkojë për spitalet, përfundon ose në xhepat e oligarkëve dhe politikanëve. Nga ana tjetër, prej vitesh po vuajmë nga largimi i personelit spitalor, duke patur më pak mjekë dhe infermierë për numër popullsie se shumë vende të Ballkanit.
Nga pikëpamja ekonomike, ndryshe nga shoqëritë më të zhvilluara në botë, ne ende i bëjmë pagesat me para në dorë, çka rrit qarkullimin e virusit përmes shkëmbimit të parave. Së dyti, sektorët më të mëdhenj të ekonomisë janë të tillë që kërkojnë prezencën fizike të punëtorit në punë. Por, edhe në sektorët e tjerë ku puna mund të bëhet nga shtëpia, kjo nuk ndodh pasi shumë prej shefave shqiptarë vuajnë nga sindroma e gjermanit tek filmat e Kinostudios, dhe duan t’i numërojnë punëtorët në zyrë tre herë në ditë. Për pasojë, shpesh ditët e mos prezencës në punë nuk paguhen, duke detyruar kështu mijëra punonjës të shkojnë në punë të sëmurë, duke përhapur virusin në nivele të pamenaxhueshme.
Nga pikëpamja sociale, ne i përkasim një kulture mesdhetare, ku kontaktet fizike i kemi të afërta. Ne japim dorën, ne puthemi në dy faqe, ne qëndrojmë shumë afër njëri-tjetrit kur flasim dhe ne e kemi për turp t’i themi tjetrit që po ruajmë veten, pasi perceptohemi si “frikacakë” apo “egoistë”. Në përgjithësi, kjo kulturë është e mirë për shëndetin mendor, por kur vjen puna tek përhapja e virusit bëhet e vështirë që njerëzit të tejkalojnë zakone të trashëguara brez pas brezi.
Që kjo të ndodhë duhet që frika të jetë shumë e madhe dhe që konsensusi social të jetë shumë i gjerë. Por, të dyja këto rrezikohen nga një virus tjetër social: vetëbesimi i tepruar.
Ky vetëbesim i tepruar fillon me politikanët tanë, të cilët e morën me nge çështjen e virusit. Me parimin “virusi pret, partia s’pret”, kryeministri Rama e injoroi situatën në Italinë fqinje dhe organizoi kongresin disaditor të partisë së tij, megjithëse (siç po mësojmë tani) kishte paktën një javë që virusi kishte hyrë në Shqipëri. Për të mos mbetur mbrapa, presidenti Meta organizoi një manifestim masiv për pjesëmarrjen në të cilin u angazhuan ish-kryeministri Berisha dhe kryetari i opozitës Basha. Pra, ashtu siç kanë bërë për 30 vite, ata që janë në krye të elitës politike vendosën në rrezik shëndetin e një populli të tërë vetëm për agjendat e veta politike.
Por, ndryshe nga herët e tjera ku pasojat i paguajmë vetëm ne, këtë herë duket se as ata nuk janë të mbrojtur, pasi në skenën botërore ky virus ka shpalosur një sens të paparë ironie. E nisi me zëvendësministrin e shëndetësisë së Iranit, i cili dilte nëpër media për të treguar se qeveria e kishte situatën në kontroll. Vazhdoi me Italinë fqinje, ku kryetari i një partie në Firence u sëmur pikërisht në festën që organizoi për të kundërshtuar “masat e panevojshme” të qeverisë ndaj pandemisë. Apo në SHBA ku zuri pikërisht kongresmenin që ankohej se kongresi po shpenzonte shumë para për këtë sëmundje, ndërkohë që numri i prekurve ishte i vogël. Të shohim se si do sillet me ‘cubat’ e politikës shqiptare, të cilët, për më tepër kanë probleme respiratore.
Ana tjetër e medaljes është një pjesë e publikut që e njohin veten si të pathyeshëm. Është një grup personazhesh mitike që duken sikur kanë dalë nga librat e historisë së mesjetës. Disa besojnë që si Mujo Uqinaku mund t’i dalin ballas gripit, se kanë pirë qumësh zanash. Disa e pandehin veten për Gjergj Elez Alinë dhe janë të bindur që do triumfojnë mbi bajlozin që vjen nga përtej detit. Të tjerë mendojnë se virusi nuk e kap dot furgonin e Vlorës dhe për pasojë zë vetëm ata të Fierit. Pasuar këta nga një ushtri e tërë bullistësh injorantë e të papërgjegjshëm që kanë marrë situatën në dorë, duke vënë në siklet çdo njeri që përpiqet të bëjë gjënë e duhur. Për pasojë, ashtu si një shofer i papërgjegjshëm vë në rrezik jetën e shumë kalimtarëve, edhe këta kamikazë virologjik mund të marrin në qafë jo vetëm veten, por njerëzit më vulnerabël në shoqëri.
Sigurisht, kjo lidhet edhe me mungesën e besimit ndaj institucioneve, si dhe me dëshirën për të qetësuar veten nga ankthi që të jep mospasja e situatës në kontroll. Por, lidhet edhe me mentalitetin primitiv të disave, të cilët e shohin jetën e njeriut sikur të jetë skedinë futbolli. E kam fjalën për ata të cilëve nuk ua mbush syrin virusi, meqë maksimumi mund të vrasë vetëm 3-4 për qind të popullsisë. Mentalitete të tilla monstruoze nuk meritojnë përgjigje serioze, por do të doja vetëm tu kujtoja se ata vetë përbëjnë më pak se 0.000000001 të popullsisë së botës, por kjo nuk na jep të drejtë t’i heqim qafe. Maksimumi mund t’i mbledhim në një anije kozmike dhe t’i çojmë të kolonializojnë Marsin, ku mund të mbijetojnë lirisht pa larë duart. Por, Elon Musk është ende mbrapa me këtë projekt.
Kështu që, deri atëherë, na duhet të përballemi me ta këtu në tokë dhe ta marrim situatën në dorë, jo vetëm në kuptimin e parë të fjalës. Sepse, vërtet shkencëtarët mund të shpikin ilaçe dhe vaksina kundër gripit, por dija (fatkeqësisht) nuk mund të injektohet me shiringë. /Lapsi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje