Miratohet Projekt-ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Gërvalla: Mandati publik nuk është mundësi për pasurim

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë si një nga nismat kryesore reformuese në kuadër të forcimit të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti, tha se Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përbën një nga zotimet më të rëndësishme të Qeverisë në fushën e drejtësisë.
“Angazhimin tonë të madh për jetësimin e Byrosë, fatkeqësisht, ish-pushtetarët iu përgjigjën me kundërshtim e zell të paimagjinueshëm. Jemi sfiduar, por nuk jemi ndalur e as nuk do të ndalemi. Do ta jetësojmë Byronë përkundër atyre që motivet e vërteta i fshehin prapa ankesave në Gjykatën Kushtetuese”, tha Kryeministri Kurti.
Ndërsa Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi rëndësinë e këtij ligji për rritjen e llogaridhënies dhe besimit qytetar në institucione.
“Ky ligj jep një mesazh të qartë: Mandati publik nuk është mundësi për pasurim personal, si dhe është përgjegjësi që duhet kryer bazuar në dispozitat dhe obligimet ligjore. Në anën tjetër, për qytetarët, kjo nismë dhe ky ligj do të thonë më shumë barazi, pastaj drejtësi dhe gjithashtu, më shumë besim në institucionet shtetërore”, deklaroi ajo.
Ministrja Gërvalla tha se ky projektligj është rezultat i një procesi disa vjeçar reformash që ka nisur në vitin 2021 dhe është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke reflektuar rekomandimet e Komisionit të Venedikut dhe gjetjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Ky moment shënon edhe fillimin e një rrugëtimi maratonik pothuajse 5-vjeçar drejt jetësimit të kësaj nisme reformuese, e cila, bazuar në analizat dhe hulumtimet paraprake, derivon nga nevoja e shtimit të instrumenteve dhe kompletimit të infrastrukturës ligjore në fushën kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar”, u shpreh ministrja Gërvalla.
Projektligji për Byronë Shtetërore, sipas Ministres Gërvalla, ka për qëllim të forcojë llogaridhënien e zyrtarëve publikë, duke e bërë të qartë se pasuria duhet të jetë në përputhje me të ardhurat e ligjshme si dhe të ruajë standardet kushtetuese dhe të drejtat themelore, duke siguruar që çdo ndërhyrje në pronë të bëhet vetëm me vendim gjyqësor dhe mbi bazë prove.
Në fund, Ministrja Gërvalla tha se miratimi i këtij projektligji konsiderohet hap i rëndësishëm drejt kompletimit të infrastrukturës ligjore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe drejt rritjes së besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore. /Telegrafi/



















































