Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku ka shfrytëzuar profilin privat në Facebook për të dhënë sot disa lajme të mira nga Cyrihu i Zvicrës sa i përket futbollit kosovar.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka pritur gjatë të enjtes kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademin dhe Ministrin e Sportit, Hajrulla Çekun.
Në lidhje me këtë takim ka folur vet ministri Çeku, i ka thënë se është diskutuar për zhvillimin e infrastrukturës sportive, konkretisht për planin e përbashkët pesë vjeçar për renovimin e stadiumeve ekzistuese dhe ndërtimin e stadiumeve të reja në vend.
Postimi pa ndërhyrje i Hajrulla Çekut
Lajme të mira për futbollin e Kosovës nga FIFA
Në vazhdën e takimeve për sport, në Cyrih të Zvicrës u pritëm nga Gianni Infantino, i pari i FIFA-s. Në takimin e zhvilluar me të, së bashku me Presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, diskutuam për zhvillimin e infrastrukturës sonë sportive, konkretisht për planin e përbashkët 5-vjeçar për renovimin e stadiumeve ekzistuese dhe ndërtimin e stadiumeve të reja në vend.
Ndërtimi i urave të bashkëpunimit u theksua nga Presidenti i FIFAS-s, duke shtuar se do të gjejnë rrugë për mbështetje financiare për projektet e tilla madhore që ngritin kapacitetet e sportistëve kosovarë për arritjen e rezultateve kulminante në arenën ndërkombëtare.
/Telegrafi/