E tmerrshme, të nderuara lexuese dhe lexues të respektuar të kësaj rubrike! Pa diskutim ishte një kataklizëm me përmasa në mos planetare, të paktën kontinentale.
Po, as nuk gënjej e as nuk bëj shaka, besomëni. Po, po, fill pas lajmit që dëgjova në televizor me veshët e mi të sipërm dhe jo me ata të poshtmit, atje ku kurrizi nuk quhet më kurriz. Ç’është e vërteta, isha shumë i lodhur dhe gjumi gati po më mbyllte sytë, por unë po i bëja qëndresë sepse doja me çdo kusht e çdo çmim të ndiqja bisedën e disa analistëve, që flisnin për aq të përfolurin Mini-Shengen Ballkanik duke kritikuar Kryeministrin Rama, ndër të tjera, edhe për sfidën – më saktë karshillëkun – që po i bënte Bashkimit Evropian e veçanërisht Francës së Macronit, lidhur me refuzimin e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Befas, në një moment që m’u duk ogurzi, pata përshtypjen e frikshme sikur ra një tërmet dhe vura re se drejtuesja e takimit në televizion ngjeshi fort kufjen e padukshme te vrima e veshit, u zbeh, kafshoi buzën e sipërme dhe, zëdridhur, lëshoi bombën.
Po, qe një bombë që më la pa mend e pa gojë; njëri prej analistëve nderoi me grusht teksa djersiste e gulçonte njëherazi, tjetri përbri atij u fut poshtë tavolinës, i treti bëri shenjën e kryqit, kurse i katërti, më saktë e katërta, pasi lëshoi klithmën “Olele, mami”, u alivanos. Megjithatë, në ekran – nuk e mora dot vesh në ç’mënyrë – u shfaqën disa pamje apokaliptike: Nuk qe e domosdoshme të ishe mësuese apo mësues gjeografie për të konstatuar se në hartën satelitore të Evropës sapo kishin ndodhur, brenda disa sekondash, një sërë ndryshimesh të përmasave monumentale:
Ishte diçka e pabesueshme, por e vërtetë: Italia, si gadishull në formë çizmeje me takë, ishte tkurrur dhe ishte bërë sa Karaburuni ynë modest, por duke këmbyer vendin me këtë të fundit! Liqeni i Shkodrës ishte shtrirë deri në kufijtë e Sllovenisë duke gllabëruar Malin e Zi, Kroacinë dhe Bosnjën; për sa i përket Serbisë, ajo ishte tkurrur në përmasat e Beogradit dhe të rrethinave të tij; nga ana tjetër, kufiri lindor i vendit tonë ishte zhvendosur deri në Stamboll dhe rrjedhimisht, Maqedonia e Veriut nuk dukej më gjëkundi, vetëm Kosova i kishte bërë ballë pa më të voglin ndryshim tronditjes ballkanike. Ndërkaq, analistët tanë e kishin marrë aq shpejt veten dhe ishin ftilluar aq habitshëm, saqë të gjithë ranë njëkohësisht në gjunjë; pastaj, njëzëri, me sytë e përlotur, i kërkuan publikisht ndjesë Kryeministrit Rama për kritikat që kishin formuluar në drejtim të tij lidhur me Mini-Shengenin dhe nxituan të fshikullonin çdo shqiptar antiminishengenist me epitetin “minilegen”.
Ndërkohë, zonja Olele Mami, me një pamje prej murgeshe të shenjtëruar para vdekjes, erdhi në vete, mori frymë thellë dhe kapi mikrofonin për të bërë deklaratën e mëposhtme:
“Zonja e Zotërinj! E shikoni se si realiteti gjeopolitik objektiv i dha plotësisht të drejtë veprimit subjektivist të kryetarit… shokut… Mao… më falni… të shokut Env… më falni, të zotit Rankov… më falni të zotit Ra…Ra… Makiav… më falni, doja të thosha të kryezotit Rama, duke konfirmuar largpamësinë e tij politike dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në realizimin e idesë së dikurshme të jugosllavit Tito, të mbështetur prej bullgarit Dimitrov me dimi… më falni, me dijeni edhe të Partisë gomiste… më falni, gomuniste të vendit tonë për krijimin e një konfederate ballkanike nën drejtimin e …”
Papritmas, ajo reshti së foluri dhe, e emocionuar, shpalosi në fytyrë një buzëqeshje prej shenjtoreje të shastisur pas vdekjes para se të nxirrte nga goja e mavijosur një xhevahir mavi, duke u shprehur solemnisht si vijon: “Le ta festojë, pra, populli ynë këtë datë të shënuar të zmadhimit hapësinor të vendit tonë si pasojë e udhëheqjes mavi të Partisë Socialiste të brumosur me filozofinë qelbë… më falni, qelibar të liderit të saj të pavdirë Edi Rama…!” Pastaj, si në gjendje ekstaze apo si e droguar me kokainë, hipi mbi tavolinë dhe me një ton e një pozë prej drejtoreshe kopshti, deklaroi: “Vëreni sa bukur shkon minifundi im mavi, si edhe tangat e mia po aq mavi me Mini-Shengenin e Supermenit tonë legendar… me falni, legjendar!”
Befas, kudo pllakosi një errësirë e thellë dhe unë ndjeva zërin e sime shoqeje që, duke më shkundur lehtë, tha: “Çohu, se ikën dritat… Çohu, pra, të biem për të fjetur”.
Atë natë, ç’është e vërteta, pashë në ëndërr vetëm supermenë shqiptarë me pelerina jo të kuqe, por mavi, të cilët endeshin krenarë në hapësirën ndëryjore, veçse në gjoks nuk kishin shkronjën S, por atë M… M si… Mini-Shengen! Tek fluturonin, pelerinat u hapeshin herë pas here duke lënë t’u dukeshin – çudi e çudive – minifundet dhe tangat e tyre detyrimisht mavi! /Panorama/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Egli zgjidh litarin dhe çon gjithë grupin në dënim: Vij nga një Prime i rënduar, Rizarta: Nuk është e drejtë kjo

Trump i lodhur nga mënyra se si Zelensky e trajton luftën: E kam parë këtë njeri për vite, qytetet e tij shkatërrohen, njerëzit e tij vriten

"Rizarta nuk është e rrezikuar për dy javët e ardhshme", plas debati mes vajzave, pas tërheqjes së Eglit nga sfida

Mbyllja e katër Qendrave serbe për punë sociale në veri, reagon Ambasada amerikane në Prishtinë

Qytetarët thonë se ndihen të mashtruar nga 'marketet' për mosvendosjen e ekraneve nga ana e konsumatorëve

Asnjë minoritet në Drenas por marrin 201 vota

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Livia eliminohet nga Big Brother VIP Albania

Muhamet Dragusha zbulon klubin që ia ndërtoi shtëpinë

Si përfundoi në fajde furrtari nga Prizreni?

Analistët: LVV-ja synon të “peshkojë” deputetë opozitarë për formimin e qeverisë

Paradoksale: Në Dragash mbi 240 vota për partitë serbe, edhe pse atje nuk ka serbë

Palestinezi që ka qëndruar më së gjati në burg, izraelitët pritet ta lirojnë