Ylli i Besiktas dhe përfaqësuesi i Kosovës, Milot Rashica, ka folur për median turke SÖZCÜ në prag të ndeshjes vendimtare të playoff-it, duke e cilësuar atë si momentin më të rëndësishëm të karrierës së tij dhe të ekipit kombëtar.

Ai pranoi se kundërshtari konsiderohet favorit, por theksoi se besimi dhe motivimi i Kosovës mbeten të larta.


“Kjo është ndeshja më e rëndësishme për Kombëtaren tonë dhe për karrierat tona. Jemi vetëm një hap larg nga të bërit histori”, u shpreh fillimisht Rashica.

Sipas tij, përvoja dhe cilësia individuale e kundërshtarit e bëjnë atë favorit në letër, por kjo nuk e zbeh aspak ambicien e Kosovës.

“Pavarësisht kësaj, ne jemi të uritur për sukses dhe krenarë që përfaqësojmë vendin tonë. Besojmë në cilësinë tonë dhe në mundësinë për të shkruar histori”.

Rashica nënvizoi se arma më e fortë e ekipit është fryma e grupit dhe uniteti.

“Forca jonë më e madhe është puna në ekip. Nuk ndiejmë presion, përkundrazi, po e shijojmë këtë rrugëtim dhe momentin që po jetojmë”, tha ai.

Duke qenë prej vitesh pjesë e futbollit turk, ai e cilësoi sfidën edhe si emocionale në aspekt personal.

“Turqia është një vend që e dua dhe ku ndihem si në shtëpi. Por kjo është një ndeshje futbolli dhe unë jam gati të jap gjithçka për vendin tim”, u shpreh Rashica.

Në fund, ai theksoi se pavarësisht krenarisë për arritjet deri tani, objektivi kryesor mbetet ende për t’u realizuar.

“Kemi bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe i kemi dhënë krenari një kombi të tërë. Por ende nuk e kemi arritur ëndrrën tone, dhe do të luftojmë deri në fund për ta bërë këtë realitet”, përfundoi Rashica. /Telegrafi/

telegrafi sport app