Pasi pranoi se organizoi sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës, Milan Radoiçiq është shfaqur për herë të parë në publik.
Ai i është përgjigjur ftesës së autoriteteve shtetërore të Republikës së Serbisë dhe sot në orën 10:00, i shoqëruar nga avokati i tij, Goran Petrnijevq ka hyrë në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, transmeton Telegrafi.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe raportohet se ka dhënë deklaratë në cilësinë e qytetarit për rrethanat e sulmit të armatosur në Banjskë, herët në mëngjesin e së dielës, 24 shtator 2023.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka raportuar se do të ndërmarrë masat dhe veprimet e mëtejshme procedurale brenda juridiksionit të saj, shkruan gazeta beogradase novosti.
Të premten, Milan Radoiçiq e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.
Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij, Petronijeviq.
“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”, thuhet në letër.
Ndryshe, Policia e Kosovës u sulmua me armë zjarri më 24 shtator, nga një grup terroristësh serbë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Ndërkaq nga gjuajtjet me armë zjarri, Policia vrau tre pjesëtarë të grupit terrorist.
Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës është dënuar fuqishëm nga SHBA, BE dhe vendet e rajonit, ndërsa autoritetet në Kosovë janë zotuar se përgjegjësit e sulmeve terroriste do të dalin para drejtësisë.
Dy prej anëtarëve të grupit terrorist janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë në masën e paraburgimit prej një muajsh. /Telegrafi/