Mijëra prona të regjistruara në emër të bashkëshortëve - Leonora Selmani tregon si ndryshoi regjistrimi i pronës së përbashkët në Kosovë

Barazia gjinore në letër ekziston, por në terren realiteti shpesh është tjetër. Çështja e pronës dhe trashëgimisë vazhdon të mbetet një nga pikat më të ndjeshme për gratë në Kosovë, sidomos kur përballen me presione familjare, mendësi të vjetra dhe mungesë informacioni.
Në podcastin për pronat në Telegrafi me redaktoren Jehona Hulaj, Leonora Selmani udhëheqëse e Divizionit për Legjislacion në kuadër të Agjencisë për Barazi Gjinore, ka sqaruar atë se çfarë thotë ligji dhe çfarë ndodh në praktikë.
Selmani theksoi se barazia gjinore është e garantuar si me Kushtetutë ashtu edhe me Ligjin për Barazi Gjinore, por problemi kryesor qëndron në zbatim.
“Normat ligjore nuk janë diskriminuese. Së paku në shikim të parë nuk duket që janë diskriminuese, por në praktikë kemi probleme, sepse ka probleme edhe për shkak të mendësisë, për shkak të paragjykimeve të ndryshme, stereotipeve gjinore që i kemi ende prezente në vendin tonë”, u shpreh ajo.

Ajo sqaroi se Agjencia ka mandat të hartojë politika publike me perspektivë gjinore dhe se çdo dokument që miratohet nga Qeveria duhet të kalojë përmes këtij filtri.
“Asnjë politikë publike nuk mund të kalojë në qeveri pa e marrë perspektivën gjinore nga Agjencia për Barazi Gjinore. Agjencia gjithmonë i jep komentet dhe sugjerimet e veta dhe mundohet që t’i përfshijë të gjitha brenda ligjit, sepse fillimisht duhet të arrijmë barazinë gjinore me ligj dhe mandej të shohim në praktikë sa mundemi me realizu një gjë të tillë”, tha Selmani.
Një nga ndërhyrjet më konkrete ka qenë masa afirmative për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të të dy bashkëshortëve, e nisur në vitin 2015 në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale të Kosovës.
Sipas Selmanit, arsyeja ka qenë e qartë pasi në praktikë pronat regjistroheshin kryesisht në emër të burrave.
“Ka shumë prona të regjistruara vetëm në emër të burrave. Gratë madje nuk e kanë ditë as të drejtën e tyre që e kanë, nuk e kanë ditë që kjo pronë mund të jetë edhe e tyre. Ne kemi dashur së paku prej momentit kur krijohet martesa, kur të rinjtë regjistrojnë diçka në emrin e tyre, të fillojnë prej tyre, sepse në qoftë se ti sot e ke të regjistruar në emrin tënd dhe në emrin e burrit, në momentin e divorcit e ki shumë lehtë, sepse ke diçka në emrin tënd”, theksoi ajo.
Rezultatet, sipas saj, janë të matshme. Në vitin e parë të zbatimit janë regjistruar vetëm 105 raste, ndërsa në fund të vitit 2024, fillimi i vitit 2025, shifra ka arritur në 27 mijë e 830 prona.
“Kanë qenë vetëm 105 raste kur e kemi bërë masën afirmative për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve. Sot kur ne po flasim, ose më saktë të themi në fund të vitit 2024 dhe fillimi i 2025, janë 27 mijë e 830 prona. Kjo i bie shumë më tepër se sa është llogaritë që do ta ketë efektin e vet dhe mendojmë që e ka pasë efektin”, tha Selmani.
- YouTube www.youtube.com
Ajo e bëri të qartë se prona e krijuar gjatë martesës konsiderohet pronë e përbashkët dhe duhet të regjistrohet si e tillë.
“Gjithçka që është krijuar mas martesës, me mundin e përbashkët të të dy bashkëshortëve, konsiderohet pronë e përbashkët dhe si e tillë duhet të regjistrohet në emër të të dyve. Do të thotë është obligative. Nëse e njëjta regjistrohet në emër të të dyve, lirohet nga taksa e regjistrimit. Nëse regjistrohet vetëm në emër të njërit, ajo duhet mandej me u vërtetu prej tjetrit që prona është edhe e imja”, tha Selmani.
Selmani sqaroi edhe dallimin në mes të pasurisë së përbashkët dhe asaj të veçantë, duke thënë që pasuria e përbashkët është ajo që krijohet pas martesës me kontribut të përbashkët, ndërsa pasuria e krijuar para martesës është pasuri e veçantë.
“Pasuria e përbashkët është ajo që krijohet mas martesës me mundin e përbashkët të të dyve. Mundi i përbashkët nuk nënkupton vetëm gratë që punojnë. Edhe gruaja që nuk punon jashtë shtëpisë ka punu mjaftueshëm në familje. Puna e saj në shtëpi konsiderohet kontribut i barabartë”, u shpreh ajo.

Një nga problemet më të mëdha, sipas saj ka qenë mënyra si është vlerësuar kontributi i grave në raste të ndarjes së pasurisë.
“Ka pasur raste kur një grua për njëzet vite ka bashkëjetuar ose ka qenë e martuar me një burrë dhe mundi i saj ka qenë me 2 mijë euro i vlerësuar. Nuk i janë vlerësu sa herë ka punu ajo, sa herë ka mirëmbajt shtëpinë, sepse edhe mirëmbajtja e shtëpisë është mund”, u shpreh tutje Selmani.
Një tjetër çështje shqetësuese mbetet heqja dorë e grave nga trashëgimia, shpesh për shkak të presioneve familjare dhe frikës se “po e prishin familjen”.
“Gratë në Kosovë heqin dorë nga trashëgimia me vite. Shumica pikërisht për faktin që nuk duan të konsiderojnë që po e prishin familjen. Heqja dorë nga trashëgimia, heqja dorë nga e drejta jote dhe detyrimisht po ndikon tek pasardhësit e tu, sepse po heq dorë nga diçka që ty të takon”, tha Selmani.
Ajo theksoi se ligji i trajton të barabartë djemtë dhe vajzat në trashëgimi.
“Duhet me kuptu që janë të barabartë para ligjit, që edhe djemtë edhe vajzat trashëgojnë njëjtë edhe nëna trashëgon njëjtë. Prandaj rekomandoj të gjitha që ta kërkojnë të drejtën e tyre të trashëgimisë. Duke pasë pronë në emrin tënd, e vogël apo e madhe qoftë ajo, ti ki të drejtë edhe me marrë kredi, edhe me marrë kolateral, edhe me u fuqizu ekonomikisht”, u shpreh Selmani.
Në fund, mesazhi i saj ishte i drejtpërdrejtë: ligji i garanton të drejtat, por ato duhet të kërkohen.
“I sugjeroj të gjitha gratë që të mos hezitojnë t’i kërkojnë të drejtat e tyre. Gjithçka që ka kontribuar në familje ndahet pesëdhjetë-pesëdhjetë dhe konsiderohet pasuri e përbashkët, e krijuar në martesë, pavarësisht a ke punu apo nuk ke punu. I kanë të drejtat të rregulluara me ligj, vetëm se duhet t’i kërkojnë dhe të mos hezitojnë të shkojnë deri në fund në realizimin e tyre”, tha Selmani. /Telegrafi/



















































