Mbappe kujton periudhën te PSG me Messin dhe Neymarin: Messi është i pabesueshëm

Sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappe, ka vlerësuar ish-bashkëlojtarin e tij Lionel Messi, duke e cilësuar atë si “të pabesueshëm”, teksa rikujtoi periudhën kur luanin së bashku te Paris Saint-Germain.
Në një intervistë për “The Bridge Podcast”, sulmuesi francez ndau një episod që ilustron aftësitë e jashtëzakonshme realizuese të argjentinasit.

“Messi është i pabesueshëm, vërtet. Ai nuk është i njëjtë (si Neymar). Ai bën gjithçka mirë”, ka thënë fillimisht Mbappe.
Ai tregoi për një seancë stërvitore në Paris, ku ai dhe Neymar konsideroheshin ndër përfunduesit më të mirë, deri në momentin kur Messi ngriti standardin në një nivel tjetër.
“Në Paris, unë dhe Ney ishim ndër më të mirët. Bëmë nga 10 goditje dhe shënuam 6 ose 7 gola. Leo bëri 9 goditje dhe shënoi të njëjtin gol 9 herë. Të gjitha goditje të pastra, të sakta në rrjetë”, rrëfeu Mbappe.
Mbappe pranoi se mbeti i habitur nga saktësia dhe qëndrueshmëria e jashtëzakonshme e Messit.

“E shikoja dhe mendoja: ‘A e kupton çfarë po bën?’ Është e pabesueshme”.
Aktualisht, Kylian Mbappe është pjesë e Real Madridit, ndërsa Lionel Messi aktivizohet në MLS me Inter Miamin.
Nga ana tjetër, Neymar ka vijuar karrierën e tij në Santos, duke i dhënë fund një epoke të artë të treshes sulmuese që dikur shkëlqeu në Paris. /Telegrafi/


















































