Site icon Telegrafi

Mesazhi i kryeministrit izraelit për iranianët, në të cilin Netanjahu shfaqet me një gotë ujë (Video)

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u ka dërguar një mesazh publikut iranian, përmes rrjeteve sociale, në të cilin ai shihet duke pirë ujë.

Siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ky mesazh u dërgua vetëm pak ditë pas një proteste në Iran kundër kontrollit izraelit mbi Jerusalemin.

“Sot unë do t’i jap një ofertë të paparë Iranit. Ajo ka të bëjë me ujin”, ka thënë Netanyahu, pasi ka hedhur ujë nga një enë në një gotë dhe e ka pirë atë.

Netanyahu shpjegoi se Organizata Meteorologjike iraniane thotë se pothuajse 96 për qind e iranianëve vuajnë nga thatësira dhe pastaj vuri në dukje arritjet e Izraelit në menaxhimin e ujërave dhe ofroi ndihmë në këtë drejtim.

“Izraeli qëndron pranë popullit të Iranit dhe kjo është arsyeja pse unë dua të shpëtoj jetë të iranianëve të shumtë”, tha udhëheqësi izraelit.

Ai ka shtuar se “populli iranian është viktimë e një regjimi mizor që i privon ata nga uji i pijes”.

“Për fat të keq, Irani ndalon izraelitët për ta vizituar. Kështu ne duhet të jemi kreativë. Ne do të krijojmë një faqe interneti me detaje se si iranianët mund të bëjnë procedimin e ujërave të zeza. Ne do t’u tregojmë fermerëve iranianë se si ata mund të kursejnë të lashtat e tyre dhe ushqejnë familjet e tyre”, ka thënë kryeministri i Izraelit. /Telegrafi/

Exit mobile version