Më falni që nuk pi duhan
Jam i vetëdijshëm se duke jetuar në atë që “Scotsman” e ka quajtur “kryeqyteti evropian i pirjes së duhanit”, një shkrim kundër kësaj dukurie mund të ngrys vetullat e shumicës. Por ka ardhë koha për të thyer tabunë e fundit: joduhanxhinj, ngrihuni për të drejtat tuaja. E kam seriozisht!
PAVARËSISHT SE ÇKA ZË vendet e para në listat e sektorëve të diskriminuar të shoqërisë në Kosovë, besoj fuqishëm se joduhanxhinjtë do të mund të dalin më të diskriminuarit. Dhe kjo fare nuk ka ndikuar me fillimin e zbatimit të Ligjit për Duhanin, edhe pse në mjedise shumë të selektuara. Kjo për shkak se edhe ky zbatim i Ligjit - më vjen inat që po detyrohem ta them – në mënyrën kosovare. Teksa më herët një joduhanxhi e ka pasur të qartë se në qoftë se do të qëndrojë në një lokal nuk do të mund t’i shpëtojë thithjes pasive të tymit të duhanit, as tash me Ligjin “në fuqi” tash e nëntë muaj po shihet se nuk mund të llogarisë se mund ta shmangë të njëjtën.
Kjo pasi që edhe në ato lokale ku është shprehur vullneti që të respektohet Ligji, kryesisht nuk janë përmbushur as për së afërmi standardet për krijimin e hapësirave të ndara për ata që pinë dhe ata që nuk e pinë duhanin. Zakonisht, dallimi i vendit ku pihet dhe ku ndalohet duhani (që respektivisht duhet të jetë në proporcion 70 me 30 për qind) qëndron vetëm në prezencën e taketukeve, shenjave dhe përkushtimin e menaxherit të ndërrimit.
E inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës ankohen se nuk kanë staf të mjaftuar për të siguruar implementimin e plotë të Ligjit. Ndoshta, duhet menduar në kushtëzimin e vazhdimit të lejeve të lokaleve hoteliere me adaptimin e hapësirave sipas standardeve të Ligjit, ose t’i refuzohet dhënia e lejeve lokaleve të reja që nuk e përmbushin standardin.
E sa u përket institucioneve, ajo është krejt një problematikë e veçantë.
NËSE JENI DUHANXHI, sigurisht se tashmë i keni të qarta disa fakte që flasin për “realitetin e respektimit të Ligjit të Duhanit në Kosovë”.
Një, ju mund të uleni në pjesën ku nuk pihet duhani dhe t’i kërkoni kamerierit që të ju sjell një taketuke dhe ai do të ju sjell menjëherë.
Dy, ju mund të uleni në pjesën ku nuk pihet duhani dhe kamerieri të mos ju sjell taketuke, por një gotë me ujë, ku ju mund të shkundni hirin dhe kështu në qoftë se ziheni nga inspektorët e rrallë, ta merrni fajin mbi vete dhe i njëjti të mos i mbetet pronarëve të lokalit, edhe pse me dije të tyre e keni bërë veprimin e ndaluar.
Dhe, tre, po, gjithmonë mund të pini duhan në pjesën e ndaluar dhe hirin ta hidhni në tokë, duke qenë i inkurajuar edhe nga veprime të ngjashme të vetë personelit që punon në lokal.
Nëse nuk jeni duhanxhi, edhe ju i dini disa fakte të tjera për këtë jetën e lidhur me duhanin.
Një, do të duhej të vendosni të qëndroni i vetmuar në lokal, ose ta gjeni një shok joduhanxhi, në qoftë se dëshironi së paku të uleni në atë pjesën ku nuk do të duhej pirë duhani (qëllimisht po e përdor “ku nuk do të duhej” pasi që kurrë s’i dihet).
Dy, në qoftë se leni takim në lokal me ndonjë duhanxhi, ai nuk do të harrojë të ju porosisë me egoizëm: “Ulu aty ku lejohet duhani”, duke mos i bërë fare përshtypje se ju nuk pini duhan.
Dhe tre, s’ka shumë lidhje se ku do të uleni, tymi i duhanit do të ju arrijë, për shkak të mosventilimit të mjaftueshëm dhe mosndarjes së standardizuar të hapësirave.
Teksa, rastet e mësipërme mund të duken si tragjikomike, ka edhe të tjera ku komikja më nuk ka fare kuptim dhe e tërë skena i ngjan vetëm një trileri tragjik. Ndonëse jam kundër përgjithësimeve, e kam vështirë të kujtoj një vend tjetër që e mëton ta quaj veten të kultivuar dhe jo gjysmë të egër, ku duhani pihet lirisht nga të gjithë edhe në lokalet e dedikuar për lojëra të fëmijëve nën moshën dhjetëvjeçare. Por, natyrisht se këtu ndoshta fajin më të vogël e ka menaxheri i lokalit - i cili së paku do të duhej të respektonte një ligj të natyrës në qoftë se jo të shtetit – sa kanë faj vetë prindërit që pinë duhan në prani të fëmijëve të tyre ose të tjerë që kanë ardhur për lojë.
E tash vlerësoj se nuk ka pamje më bizare se sa një nënë shtatzënë me bark të fryrë që pi duhan pa ia nda. Personalisht – më falni që jam kaq i drejtpërdrejtë - më duket si një tentimvrasje. E besoni, raste të tilla shohim të gjithë non-stop në Kosovë.
PËRSE KY VES KAQ I shprehur te ne? Përse gjithë kjo mospërfillje? Ose kjo mosdije?
Duket se ka të bëjë pikërisht me injorancën në masë dhe me varfërinë. Së paku, kështu e tregojnë shifrat zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të organizatave të tjera që merren me çështjet e lidhura me duhanin.
Ja disa fakte:
Vlerësohet se një nga tre të rritur në botë pinë duhan, me rreth 1.2 miliardë njerëz në gjithë rruzullin. Shumica e duhanxhinjve banojnë në vendet e spektrit socioekonomik më të ulët e deri në atë gjysmë të ulët, në një masë prej rreth 80 për qind. Evropa Lindore, ku bën pjesë edhe Kosova, ka përqindje prej 59 për qind të meshkujve të rritur që pijnë duhan, teksa femrat ka ky regjion pinë më tepër duhan se sa ato në Azi dhe në rajonin e Pacifikut.
Fakte të tjera:
Gjatë shekullit të kaluar, duhani ka shkaktuar vdekjen e rreth 100 milionë njerëzve në botë.
Duhani mbyt një person në çdo dhjetë minuta dhe deri në vitin 2025 llogaritet se do të jetë shkaktar i vdekjes së 10 milionë njerëzve për çdo vit, që i bie 10 fish më tepër se një shekull më parë.
Thithja e tymit të duhanit, e quajtur pirje pasive e duhanit, shkakton rreth 604 mijë vdekje çdo vit, prej të cilëve rreth 165 mijë janë fëmijë. Në një studim për vitin 2004, nga pirja pasive e duhanit 5.94 milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare janë diagnostifikuar me infeksione të traktit të ulët respirator, kurse 1.25 milionë të tjerë kanë fituar astmën.
Femrat shtatëzëna që i ekspozohen pirjes pasive të duhanit kanë 23 për qind më shumë gjasa që të lindin para kohe dhe 13 për qind të kenë defekte gjatë lindjes.
Çdo 30 sekonda, një person në botë vdes nga kanceri i mushkërive.
Më shumë amerikanë çdo vit vdesin nga sëmundjet e lidhura me pirjen e duhanit se që vdesin nga AIDS, aksidentet në trafik, vrasjet dhe abuzimi me drogat, të gjitha këto të kombinuara bashkë.
NATYRISHT SE LISTA e mbrapshtë do të mund të vazhdojë edhe me shumë te zeza tjera të lidhura me pirjen e duhanit. E këtu jam i vetëdijshëm se duke jetuar në atë që “Scotsman” e ka quajtur si “kryeqyteti evropian i pirjes së duhanit”, një shkrim i këtillë mund të ngrys vetullat e shumicës. Por ka ardhë koha për të thyer tabunë e fundit: joduhanxhinj, ngrihuni për të drejtat tuaja.
E kam seriozisht!




















































