Me 65 vota "Për", Kuvendi miratoi Rezolutën për dënimin e manipulimeve të opozitës dhe për konfirmim të politikave kundër emigrimit të paligjshëm

Kuvendi me 65 vota “për” dhe pesë vota “kundër” sot pasdite e miratoi “Rezolutën për dënim të manipulimeve të opozitës dhe për konfirmim të politikave kundër emigrimit të jashtëligjshëm”.
Koordinatori i grupit parlamentar të OBRM-PDUKM-së, Nikolla Micevski në shpjegim theksoi se shumica parlamentare dhe Qeveria kanë qëllim të qartë, dinjitoz dhe të pandryshueshëm kundër emigrimit të jashtëligjshëm. Potencoi se Qeveria asnjëherë nuk ka kërkuar, nuk është dakorduar dhe nuk do të lejojë ndërtim të kampeve emigruese ose strehim të përhershëm të emigrantëve në territorin e komunave në shtet. Me këtë Rezolutë, siç theksoi, i jepet fund të gjitha spekulimeve dhe të pavërtetave të plasuara me qëllim të cilat i dëgjojmë.
Micevski theksoi se Rezoluta ka edhe rol të qartë parandalues – ajo dërgon porosi se çështjet në lidhje me sigurinë, emigrimin dhe paqen publike nuk guxojnë të jenë mjet i gënjeshtrave dhe konstruksioneve politike.
Deputeti Sali Murati nga Lëvizja e Turqve në Maqedoni, tha se propozim rezoluta përfaqëson “sulm direkt mbi vlerat themelore të demokracisë parlamentare” dhe përpjekje për “heshtje institucionale të opozitës dhe vendosje të mendimit një partiak”.
Deputetja dhe koordinatore e grupit parlamentar të BDI-së, Rina Ajdari, tha se propozim rezoluta e pushtetit është “atipike dhe e dëmshme për demokracinë parlamentare”, duke theksuar se me këtë rezolutë krijohet precedent i rrezikshëm dhe e polarizon shoqërinë dhe e transferon debatin drejt etiketimit politik”.
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, reagoi se në rezolutë dënohet e gjithë opozita dhe parashtroi pyetje “pse dënohet edhe ai” dhe me çka ai si përfaqësues i opozitës “ e ka dëmtuar balancin dhe i ka informuar keq qytetarët”.
Deputeti Malisha Stankoviq nga PSM, pjesë e Koalicionit “Maqedonia e juaj”, tha se kjo çështje nuk duhet të shfrytëzohet si vegël ditore politike, por për fat të keq, siç theksoi, kjo bëhet nga opozita.
Deputetja Jovana Mojsovska nga partia E majta, në replikë, tha se argumenti i vetëm për “këtë rezolutë të hartuar keq” është se “kryeministri Mickoski premtoi”.
Anëtarët e Komisionit kuvendor për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, paraprakisht sot në mbledhje dhanë mbështetje për Rezolutën për dënim të manipulimeve të opozitës dhe për konfirmim të politikave kundër emigrimit të jashtëligjshëm, të parashtruar nga deputetët e OBRM-PDUKM-së.













































