Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, Mbreti Charles III ka shprehur urimet më të ngrohta për popullin e Kosovës, duke vënë theksin te raportet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.
“Kjo ditë shërben si një mundësi e çmuar për të reflektuar mbi miqësinë e qëndrueshme midis vendeve tona. Jam thellësisht i inkurajuar nga fuqia e lidhjeve tona bilaterale dhe mbetem i përkushtuar për të nxitur një bashkëpunim edhe më të ngushtë në vitet që vijnë. Ndërsa përballemi me sfidat e përbashkëta të kohës sonë, veçanërisht ato që lidhen me klimën dhe ruajtjen e botës sonë natyrore, shpresoj që vendet tona të vazhdojnë të punojnë së bashku për zgjidhje domethënëse dhe të qëndrueshme”, thuhet në letrën e urimit të Mbretit Charles III, të cilin e ka publikuar Ambasada britanike në Kosovë.
Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla kanë uruar paqe, prosperitet dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës.




















































