LAJMI I FUNDIT:

Mbeturinat nga Tetova sërish barten në Rusino

Mbeturinat nga Tetova sërish barten në Rusino

Bllokada për mbeturinat nga Tetova drejt deponisë Rusino janë mënjanuar. Nga e shtuna në mbrëmje kamionët e Ndërmarrjes publike komunale “Tetova” i bartin mbeturinat në Rusino, sepse banorët e fshatrave të Gostivarit kanë arritur marrëveshje me Qendrën e rajonit planor të Pollogut për plotësimin e kushteve minimale për bartje dhe deponim të mbeturinave në Rusino, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Marrëveshja për bartjen dhe deponimin e mbeturinave e cila u arrit të martën, dhe që parashihte që mbeturinat të barten në ora një pas mesnate dhe të pastrohet rruga deri në Rusino, fillimisht nuk u respektua. Por, të premten sërish u takuam me banorët e fshatrave të Gostivarit dhe ata të shtunën e hoqën bllokadën drejt Rusinos, sepse marrëveshja tashmë fillon të realizohet”, ka deklaruar Nazif Jashari, udhëheqës i Higjienës komunale pranë NPK “Tetova”.

Për shkak të bllokadës, por edhe për shkak të bartjes së vështirësuar të mbeturinave nga Tetova deri në deponinë Drisla, gjatë dy javëve në stacionin grumbullues në Tetovë për çdo ditë shtresoheshin me qindra tonelata mbeturina.


Nga NPK “Tetova” shpresojnë se brenda disa ditëve stacioni grumbullues në Tetovë do të pastrohet tërësisht./Telegrafi/