Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama ka akuzuar kandidatin për kryetar të kryeqytetit nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili se ka gisht në kompaninë “Pastrimi” që menaxhon mbeturinat në qytet.

Rama në “Përballje Podcast” në Telegrafi me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se aksionarët e Uran Ismailit janë në kompaninë “Pastrimi”.


“Në momentin kur kanë fillu me sabotu asamblenë edhe projektet e mira në kryeqytet kanë fillu me sabotu edhe kompaninë “Pastrimi” sepse aksionarët e Uran Ismailit janë aty në “Pastrim”. Aksionarët bashkë me bordin e Uran Ismailit janë ata që e bëjnë bërllok Prishtinën”, ka thënë Rama.

Kryetari ka përmendur situatën që kishte ndodhur në kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave, duke theksuar se qëllimi ka qenë puro politik.

“Kur na para dy viteve e zgjidhem këtë problem, opozita u bënë bashkë u bënë destruktiv na ndaluan neve mundësinë për me marrë sektorin privat edhe fillun protestat para komunës edhe e 3-4 ditë e bënë bërllok krejt qytetin. E shfrytëzuan rastin kur unë isha në konferencë jashtë qytetit për me bo bërllok”, ka shtuar tutje Rama.

Rama ka theksuar se opozita kanë marrë procese joligjore ku e kanë cenua shëndetin e qytetarëve të kryeqytetit, e pikërisht asamblistët e opozitës që janë votu nga qytetarët e kryeqytetit për me arrit një efekt me qit keq kryetarin dhe komunën.

“Qëllimi i tyre ka qenë puro politik dhe sabotues, i vet PDK-së. Ai i Pastrimit bashkë me këtë që pretendon tash mu bë kryetar, që i ka dalë gjumi pas 4 viteve”, tha Rama. /Telegrafi/