Në vigjilje të festave të fundvitit, Policia shqiptare ka sekuestruar qindra kapsolla dhe fishekzjarrë me fuqi të lartë plasëse, të cilat janë të ndaluara me ligj për përdorim të paautorizuar.
Plani i masave për festa, sipas policisë parashikon kontrolle të vazhdueshme, për zbatimin e kritereve të prodhimit, magazinimit dhe përdorimit, të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve, për të mos rrezikuar qetësinë dhe sigurinë publike, si dhe jetën e shëndetin e qytetarëve.
Me qëllim krijimin e mjedisi të sigurtë për qytetarët, në prag të festave të fundvitit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka kërkuar të gjitha strukturave vendore të Policisë, zbatimin me rigorozitet të detyrave të përcaktuara në planin e masave, detyra të cilat konsistojnë në:
Zbatimin me rigorozitet të planeve të përbashkëta me Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin (MZSH), për kontrollin, verifikimin dhe zbatimin e rregullave të magazinimit, tregtimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, nga subjektet e licencuara, si dhe
Intensifikimin e kontrolleve në territor dhe në këtë kuadër, ndihmës specialistët e Policimit në Komunitet/SPZ-të, patrullat e përgjithshme, ndihmësspecialistët për kontrollin e armëve, duhet të shtojnë kontrollet sipas zonave që mbulojnë, dhe në rast të konstatimit të shkeljeve, të bëjnë dokumentimin e tyre dhe bllokimin e sendeve të kundërligjshme. /Telegrafi/