Diplomati britanik John Duncan është duke vazhduar ende me dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Aktualisht ai është duke u marrë në pyetje nga paneli i gjyqtarëve të Speciales rreth marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së.


Duncan tha se nuk pranuan që kjo marrëveshje të nënshkruhej nga Hashim Thaçi në cilësinë e kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

Ai u pyet nga gjyqtari Kristof Barthe nëse Thaçi donte të nënshkruante këtë marrëveshje në cilësinë e tij si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës?

Gjyqtari gjerman Kristof Barthe

“Po bëni pyetje shumë të hollësishme për negociata që kanë zgjatur 13 orë. Po përpiqem të kujtoj se çfarë ka ndodhur saktësisht. Nëse më kujtohet si duhet…na thanë që duhet të nënshkruante z.Thaçi e jo gjenerali Çeku. Përgjigja jonë ishte se nëse doni këtë gjë jemi të gatshëm ta pranojmë këtë por ne nuk do ta përmendim këtë në cilësinë e tij si kryeministër i qeverisë së përkohshme, pasi do të minonte të tërë operacionin. Prandaj, arritëm në kompromisin që kishim arritur në dy ditët e shkuara”, tha dëshmitari.

Duncan theksoi se UÇK-ja dëshironte që ky dokument i marrëveshjes, në mënyrë të tërthortë të ishte edhe pranim i Kosovës.

“Ne, iu kemi thënë që nuk mund ta pranojmë këtë gjuhë dhe e shpjeguam përsëri. Kjo ka vazhduar gjatë gjithë kohës derisa i mbaruam bisedimet”, tha ai.

Diplomati britanik u pyet edhe për një takim “privat” që kishin mbajtur, për të cilin gjyqtari i kërkoi të tregonte me emra se kush ishin në takim.

“Ishim unë, gjenerali Reeth dhe James Rubin, nga pala kosovare ishin gjenerali Agim Çeku, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi”, tha Duncan. /Telegrafi/