Pas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, procesi i konstituimit të plotë mbetet ende i papërfunduar.

Ngërçi ka vazhduar në pikën e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb. Lista Serbe, me nëntë deputetë, këmbënguli në kandidaturën e Sllavko Simiq, i cili dështoi në tri raunde radhazi të votimit.


Pasi kjo parti refuzoi të propozonte ndonjë emër tjetër, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha aktivizoi procedurën e shortit si masë për të zhbllokuar situatën.

Nga shorti dolën katër kandidatë: Verica Çeraniq, Stefan Kovaçeviq, Nenad Rashiq dhe Ljiljana Stefanoviq (e cila refuzoi të futet në votim). Asnjëri prej kandidatëve nuk siguroi votat e nevojshme për t’u zgjedhur, çka bëri që seanca të shtyhet për të enjten.

Ndërkohë, Kuvendi ka zgjedhur katër nënkryetarë nga partitë kryesore shqiptare: Albulena Haxhiu (LVV), Vlora Çitaku (PDK), Kujtim Shala (LDK) dhe një nënkryetar nga komunitetet joshumicë joserbe me rotacion: Emilja Rexhepi, Fidan Gjilta dhe Artan Asllani.

Procesi pritet të vazhdojë të enjten, me përpjekje të reja për të zgjedhur edhe nënkryetarin nga komuniteti serb, një hap kyç për të përmbyllur konstituimin e Kuvendit të Kosovës pas më shumë se gjashtë muajsh bllokadë institucionale.

Faleminderit që na ndoqët. Do të rikthehemi me zhvillimet në seancën e radhës.

26/08/2025 16:51-Abdixhiku: Vota për Bashën nga PDK e AAK, gabim trashanik – Kosova po hyn në krizë tjetër

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet krejtësisht, pasi që ngërçi vazhdoi me zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Pas kësaj kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pati kritika për PDK-në dhe AAK-në që votuan për zgjedhjen e Dimal Bashës në krye të Kuvendit.

“Është shumë e qartë dallimi vleror që kemi ne me ta edhe sa i përket respektimit të Kushtetutës dhe përmbajtës së njerëzve që ne besojmë që duhet tu prijnë institucioneve të Kosovës. Ky dallim kristal i qartë sot u kurorëzua me triumf të injorancës, zërit përqarës e ndarës. Shpresoj që votuesit e partisë së parë sot ndjehen të përfaqësuar. E ndjej si gabim trashanik votën e dy partive tjera të ish opozitës PDK e AAK që institucioneve të Kosovës të u japin një emër të tillë. Megjithatë ky është vullnet 73 deputetëve shumicës, LDK e respekton këtë vullnet sepse është parti institucionaliste por s’mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione”, tha Abdixhiku.

Sa i përket moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, Abdixhiku u shpreh se po futemi në një krizë tjetër.

Lajmi i plotë KËTU.

26/08/2025 16:05-Pas Simiq, dështojnë edhe kandidatët e tjerë për nënkryetar nga komuniteti serb

Pas dështimit të Slavko Simiq për tu zgjedhur nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb, e njëjta ndodhi edhe me kandidaten Verica Çeraniq.

Simiq dështoi tri herë radhazi të votohet, ndërkaq Çeraniq u përzgjodh me short për shkak se Lista Serbe nuk propozonte tjetër kandidat përveç Simiqit.

Verica Çeraniq, në raundin e parë të votimit nuk mori asnjë votë për madje as nga kolegët e saj partiak, 51 vota ishin kundër dhe 20 abstenime.

Edhe në raundin e dytë të votimit, ajo pati të njëjtat vota.

LVV dhe deputeti i AAK-së Lahi Brahimaj votuan kundër, deputetët e PDK-së abstenuan kurse ata të LDK-së dhe AAK-së nuk morën pjesë fare në votim.

Në votim nuk morën fare pjesë as deputetët e Listës Serbe.

Shorti u hodh sërish, dhe pas Verica Çeraniq në votim për nënkryetar u hodh Stefan Kovaçeviq.

Kovaçeviq gjithashtu nuk mori votat e mjaftueshme. Ai kishte 48 vota kundër, 19 abstenime dhe asnjë votë për.

Pas Kovaçeviq nga shorti u zgjodh Ljiljana Stefanoviq, por e njëjta refuzoi që të votohet për të dhe e njëjta u hoq nga lista.

Lajmi i plotë KËTU.

26/08/2025 16:03-Nenad Rashiq dështon të bëhet nënkryetar i Kuvendit, mori vetëm 55 vota

Nenad Rashiq nuk ka arritur të votohet si nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.

Pro tij votuan vetëm 55 deputetë, një ishte kundër dhe 17 abstenime.

Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha tha se për zgjedhjen e Rashiqit si nënkryetar nga komuniteti serb nevojiten së paku 61 vota.

Seanca u ndërpre, për të vazhduar ditën e enjte, në ora 11:00

26/08/2025 15:40-“Faleminderit që respektoni Kushtetutën e Kosovës” – Basha ia ndal tri herë fjalën deputetit serb Igor Simiq

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha gjatë seancës për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve joshumicë ka pasur një përballje me deputetin e Listës Serbe, Igor Simiq.

Gjatë propozimit për herë të tretë të Slavko Simiq për nënkryetar, Basha kërkoi nga regjia që t’ia ndalojë fjalën deputetit Igor Simiq.

“Regjia ndalja fjalën ju lutem. Veq shkurt i nderuar koleg. Faleminderit që respektoni Kushtetutën e Kosovës dhe uroj dhe shpresoj ti respektoni edhe ligjet tona. Për ne është e rëndësishme që ju të bëni vetëm propozimin”, iu drejtua Basha deputeti serb.

Lajmi i plotë KËTU.

26/08/2025 14:58-Slavko Simiq nga Lista Serbe nuk arrin të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit

I propozuari i Listës Serbe për nënkryetar, Slavko Simiq nuk ka arritur të zgjidhet.

Për Simiqin votuan vetëm 10 deputetë, 55 ishin kundër dhe 23 abstenime.

Lajmi i plotë këtu.

26/08/2025 14:58-Votim jo në pako për nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë, Lista Serbe kundërshton

Pas zgjedhjes së Bashës, Kuvendi zgjodhi edhe tre nënkryetarë nga radhët e partive kryesore. Nga LVV u zgjodh Albulena Hahxhiu, nga PDK Vlora Çitaku dhe nga LDK, Kujtim Shala.

Pas kësaj radha ishte për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet.

Elbert Krasniqi nga komunitetet pakicë propozoi tre emra me rotacion për pozitën e nënkryetarit.

“Propozojmë Emilja Rexhepi nga data 26.8.25 deri 26.12.26, Fidan Jilta 26.12.26 deri 26.06.27 dhe Artan Asllani nga 26.06.27 deri në përfundim të mandatit”, tha Krasniqi.

Krasniqi kërkoi që votimi për nënkryetarin nga komunitetet jo shumicë, në këtë rast serbët të bëhet ndaras.

Mirëpo Lista Serbe nuk e pranoj një gjë të tillë. Deputeti Igor Simiq kërkoi që edhe votimi për nënkryetarët nga komunitetet të bëhet në pako.

Ata propozuan emrin e Sllavko Simiq për nënkryetar.

Megjithatë në foltore ka marrë fjalën edhe deputeti i vetëm serb që nuk i takoj këtij grupi, Nenad Rashiq që e propozoi emrin e vet për nënkryetar.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit, Dimal Basha kërkoi që votimi të bëhet veç e veç.

26/08/2025 14:22-Zgjedhën nënkryetarët e Kuvendit nga tri subjektet më të mëdha

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur tre nënkryetarët e subjekteve më të mëdha, nga LVV, PDK dhe LDK.

Për votimin e tyre votuan 101 deputetë.

26/08/2025 14:17-LVV, PDK dhe LDK propozojnë nënkryetarët për Kuvend të Kosovës

Po vazhdojnë punimet për konsitutimin e Kuvendit të Kosovës.

Më herët, deputetët kanë zgjedhur kryeparlamentar Dimal Bashën (LVV), transmeton Telegrafi.

LVV ka propozuar për nënkryetare: Albulena Haxhiun.

PDK ka propozuar për nënkryetare: Vlora Çitakun.

LDK ka propozuar për nënkryetar: Kujtim Shala.

26/08/2025 13:50-Deputetët fillojnë të kthehen në sallë

Pas një pauze më shumë se një orë, deputetët kanë filluar të kthehen në sallë ku pritet të vazhdohet me zgjedhjen e nënkryetarëve.

Në sallë tashmë janë deputetët e LDK-së dhe PDK-së.

Kuvendi sot zgjedhi kryeparlamentar, Dimal Bashën (LVV). Për të votuan PDK dhe AAK.

26/08/2025 12:46-Spiropali uron homologun e saj, Dimal Bashën

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka uruar kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

Ajo ka shkruar se mezi pres të rifillojnë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Urime e sukses Kryetarit të ri, të sapozgjedhur, të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha! Përgëzime Kuvendit të Kosovës, për çeljen e rrugës për ndërtimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve”, tha ajo.

Lajmi i plotë këtu:

26/08/2025 12:44-Basha kryeparlamentar, kush janë emrat që janë përmendur për nënkryetarë nga subjektet politike?

Pas gjashtë muajve të ngërçit politik, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë arritur ta zgjedhin për kryeparlamentar, deputetin e LVV-së, Dimal Basha.

Pasi Basha u bë kryeparlamentar, Kuvendi ka shkuar në pauzë për një orë.

Me vazhdimin e seancës pritet edhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Më herët, Telegrafi ka raportuar se PDK për nënkryetare do ta propozojë Vlora Çitaku dhe se LDK do ta propozojë Kujtim Shalën, ndërsa nga LVV dhe Lista Serbe nuk ka pasur ndonjë emër që është bërë publik.

26/08/2025 12:16-Nisin urimet e para për Dimal Bashën, presidenti i Shqipërisë përshëndet zgjedhjen e tij

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar Dimal Bashën për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës.

Në urimin e tij, ai ka shkruar se bashkëpunimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri.

“Urime, Dimal Basha, për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës! Bashkëpunimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri që uroj dhe shpresoj të vijojë në të mirë të Kosovës e qytetarëve të saj”, ka deklaruar Begaj.

26/08/2025 12:16-Dimal Basha ulet në krye të Kuvendit, fjalët e tij të para si kryeparlamentar

Dimal Basha është zgjedhur sot kryetar i Kuvendit. Për votimin e tij votuan edhe deputetët e PDK-së.

Basha në fjalimin e tij si kryeparlamentar falënderoi deputetët që e votuan, transmeton Telegrafi.

“E ndjej nderin për votën dhe mbështetjen tuaj, njëkohësisht e ndjej edhe përgjegjësin që më është dhënë. Ky institucion është zemra e demokracisë tonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve tanë. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica, liria dhe shteti ynë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm”, tha ai.

Lajmi i plot këtu.

26/08/2025 12:13-Biografia e Dimal Bashës, kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës

Pas zgjedhjes së tij si kryetar i Kuvendit të Kosovës, vëmendja publike është përqendruar tek Dimal Basha, figura më e re në krye të institucionit më të lartë ligjvënës në vend.

Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në Ferizaj.

Ai ka një formim të fuqishëm akademik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Studimet universitare i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”

Lajmi i plotë KËTU.

26/08/2025 12:12-Haradinaj konfirmon: Votova për Dimal Bashën, ky është realiteti politik në Kosovë

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka folur pas zgjedhjes së Dimal Bashës në krye të Kuvendit.

Haradinaj tha se ia dha votën Bashës.

“Ne kemi pasur një votim të lirë si grup parlamentar. Unë personalisht jam kam dhënë votën. I pyeta se a e keni seriozisht që ky është kandidati më i preferuar i VV-së thanë po, dhe kështu vepruam e votuam”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se ky është realiteti i Kosovës.

26/08/2025 12:11-Limaj pas zgjedhjes së Dimal Bashës: VV duhet të shpjegojë pse e vonoi vendin

Kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj ka folur pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha.

Limaj ka thënë se pret që VV të japë shpjegim se përse e kanë vonuar vendin deri më tani.

“Pres që të jepet një shpjegim pse e kanë vonuar vendin deri më tani. Votim pa marrëveshje politike këtë kanë mundur me bë ditën e parë. Shpresoj që do të kenë një shpjegim për qytetarët pse kanë vonuar deri sot..”, tha Limaj.

I pyetur nëse do të hyjë në qeveri tash, Limaj nuk u përgjigj.

26/08/2025 11:49-Kuvendi në pauzë, më pas pritet votimi për nënkryetarët

Kuvendi i Kosovës pas zgjedhjes së kryeparlamentarit Dimal Basha ka shkuar në pauzë njëorëshe.

Pas pauzës, pritet të nisë edhe pika e katërt e rendit të ditës, zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

26/08/2025 11:43-Dima Basha ulet në krye të Kuvendit, fjalët e tij të para si kryeparlamentar

Dimal Basha është zgjedhur sot kryetar i Kuvendit. Për votimin e tij votuan edhe deputetët e PDK-së.

Basha në fjalimin e tij si kryeparlamentar falënderoi deputetët që e votuan, transmeton Telegrafi.

“E ndjej nderin për votën dhe mbështetjen tuaj, njëkohësisht e ndjej edhe përgjegjësin që më është dhënë. Ky institucion është zemra e demokracisë tonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve tanë. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica, liria dhe shteti ynë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm”, tha ai.

26/08/2025 11:30-Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës sot në tentativën e 58-të për konstituimin e Kuvendit arriti që kryetar të Kuvendit të zgjedh deputetin Dimal Basha.

Basha mori 73 vota për, kundër ishin 30 dhe 3 kanë abstenuar.

26/08/2025 11:06-Limaj: Pa marrëveshje politike, nuk mund të ndërtohen institucionet

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur para nisjes së seancës konstituive.

Ai tha se pa marrëveshje politike nuk mund të ndërtohen institucionet.

"Nisma Socialdemokrate vazhdon me qenë e qëndrimit të njëjtë, se duhet marrëveshje politike", tha ai.

26/08/2025 11:03-Krasniqi: Dimal Basha nuk i plotëson kriteret për kryeparlamentar, mirëpo nëse LVV nuk ka kandidat më të mirë ne do ta votojmë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi para nisjes së seancës konstituive tha se kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha nuk i plotëson kriteret për kryetar të Kuvendit, mirëpo sipas tij, nëse LVV nuk ka kandidat më të mirë atëherë do ta votojnë.

Krasniqi theksoi se edhe para kësaj seance kanë kërkuar nga kryesuesi Avni Dehari një konsultë paraprake.

26/08/2025 10:40-“Një magar nuk mund t’u prijë 100 luanëve” – deputeti Nura godet Dimal Bashën

Deputeti i PDK-së, Jakup Nura ka thënë se është fyerje për votuesit në Kosovë që Dimal Basha të jetë në krye të Kuvendit.

Ai tha se propozimi i Bashës nga VV në seancën e kaluar ishte befasi.

“Sa i përket propozimit të VV-së vërtetë është me të ardh keq që VV vendos me qit një propozim që i ka befasu edhe vetë ata. Një njeri që besoj që edhe votat e VV-së nuk do të shkonin për Dimal Bashën”, tha Nura.

Nura tha se edhe për PDK-në ka qenë befasi dhe se kërkuan të marrim një pauzë dhe të njoftohen se a është vërtetë vullneti dhe qëndrimi i tyre që Dimal Basha të jetë në krye të Kuvendit.

“Në ushtri e kemi një term që thotë më mirë është një luan me ju pri 100 magarëve, se një magar me ju pri 100 luanëve. Tash Dimal Basha me qenë në krye të Kuvendit është fyerje për votuesit e VV-së dhe fyerje për votuesit e tërë Kosovës”, tha Nura.

26/08/2025 10:39-Haradinaj: Ne e kishim preferuar Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është deklaruar para nisjes së seancës konstituive.

Haradinaj tha se ata kishin preferuar për kryetar të Kuvendit, Glauk Konjufcën.

“Ne kishim preferuar Glauk Konjufcën, ose edhe tjerë që i kemi përmendur. Ta shohim tash procesin, por Dimal Basha nuk është preferenca jonë”, tha Haradinaj.