Lushtaku përkujton dëshmorët Veliu dhe Asllani, zbulohet pllakë përkujtimore në Prekaz

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka përkujtuar dy dëshmorët e rënë më 11 prill 1999, duke vlerësuar sakrificën e tyre për lirinë e vendit.
Ai ka kujtuar se në këtë datë ranë dëshmorët Driton Veliu nga Polaci dhe Islam Asllani nga Makërmali, të cilët, sipas tij, mbeten figura të përjetshme në kujtesën kolektive.
“Më 11 prill 1999, ranë për të mos vdekur kurrë në kujtesën tonë dy luftëtarë të denjë të këtij vendi, dëshmorët Driton Veliu nga Polaci, i rënë heroikisht në Koshare, dhe Islam Asllani nga Makërmali, i rënë në Drenicë”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka theksuar se sakrifica e tyre përbën bazë të lirisë që gëzon sot Kosova.
“Sakrifica e tyre është gur themeli i lirisë që gëzojmë sot dhe dëshmi e pathyeshme e vendosmërisë për çlirim. Lavdia e tyre nuk zbehet me kohën por ajo rritet në çdo përvjetor, duke na kujtuar se liria ka emra, ka histori dhe ka gjak të derdhur për të”, ka theksuar ai.
Lushtaku ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë kësaj dite është zbuluar një pllakë përkujtimore për dëshmorët dhe martirët e lagjes Kodra në Prekaz, duke e cilësuar këtë zonë si një nga vatrat kryesore të luftës së UÇK-së.
“Sot, me nderim të veçantë, zbuluam edhe pllakën përkujtimore për dëshmorët dhe martirët e lagjes Kodra në Prekaz. Kjo lagje ishte çerdhe e luftëtarëve të UÇK-së, vatër e luftës, qëndresës dhe e krenarisë sonë kombëtare. Nga kjo tokë dolën burra që nuk kursyen as jetën për lirinë e Kosovës, të prirë nga komandanti i brigadës 114, heroi Ilaz Kodra”, ka deklaruar ai.
Në fund, ai ka theksuar se kujtimi për dëshmorët mbetet obligim i përhershëm për institucionet dhe qytetarët.
“Kujtimi për dëshmorët dhe martirët tanë është obligim i përhershëm. Rruga që ata hapën është e larë me gjak, e cila na obligon të ecim përpara me krenari, respekt e dinjitet. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të kombit!”, ka përfunduar Lushtaku. /Telegrafi/



















































