Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se në Asamblenë e Jashtëzakonshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) është miratuar prezantimi i propozimit dhe vazhdimi i procedurave për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Rama e ka përshkruar këtë vendim si një arritje të rëndësishme për kryeqytetin dhe mbarë Kosovën, duke theksuar se Prishtina “po ecën e sigurt drejt vitit 2030, me vizion të qartë, plan të strukturuar dhe energjinë e një gjenerate që beson se mund të shkruaj histori”.


Sipas tij, Lojërat Mesdhetare shkojnë përtej sportit – ato nënkuptojnë zhvillim urban, infrastrukturë moderne, mundësi të reja për rininë dhe një platformë të rëndësishme për ta prezantuar Prishtinën në arenën ndërkombëtare.

Rama shprehu falënderim për Komitetin Olimpik të Kosovës, administratën e kryeqytetit dhe Qeverinë e Kosovës për mbështetjen dhe bashkëpunimin në këtë proces.

Ai gjithashtu falënderoi Qeverinë e Shqipërisë dhe Komitetin Olimpik të Shqipërisë për mundësimin e qasjes në det, duke e cilësuar këtë si një shembull bashkëpunimi që e forcon dimensionin mesdhetar të projektit.

“Së bashku gjithmonë mund të bëjmë më shumë dhe më mirë. Puna e madhe sapo ka nisur dhe ne do ta bëjmë bashkë”, ka deklaruar Rama./Telegrafi/

telegrafi sport app