Sot më 5 dhjetor në katër komunat në veri të Kosovës, në atë të veriut të Mitrovicës, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut u mbajt seancat konstituive e kuvendeve komunale.

Në këto seanca u bë edhe betimi i kryetarëve të rinj, të katërt nga Lista Serbe.


Ceremonia e betimit është zhvilluar në prani të simboleve të shtetit të Kosovës.

Sot seancat konstituive mbahen edhe në Graçanicë, Novobërdë, Partesh, Ranillug, Shtërpcë dhe Kllokot.

Ndryshe, seancat konstituive të kuvendeve komunale mbahen pas certifikimit të zgjedhjeve lokale nga KQZ. Zgjedhjet lokale janë mbajtur më 12 tetor.

05/12/2025 12:15- Betohet kryetari i ri i Leposaviqit

Edhe kryetari i ri i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq ka bërë betimin e tij bashkë me asamblistët e kësaj komune.

Ndërkaq, Todiq vjen nga radhët e Listës Serbe.

Ndryshe, në mandatin e kaluar me këtë komunë ka udhëhequr, Lulzim Hetemi.

05/12/2025 12:00- Betohet kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut

Në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut është betuar edhe kryetari i ri, Millan Radojeviq.

Ndryshe, mandatin e kaluar me këtë komunë ka udhëhequr, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

05/12/2025 11:39- Asamblisti serb vendos flamurin e Serbisë para vetës

Ka nisur seanca konstitutive e Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, ku pritet të betohet kryetari i ri Milan Radojeviq.

KP raporton se një prej asamblistëve serb, Marko Jakshiq ka vendosur para vetës flamurin e Serbisë në seancë.

Afër komunës së Mitrovicës së Veriut janë parë forca të Policisë së Kosovës dhe monitorues të KFOR-it.

Në sallën e kuvendit komunal është vendosur fotografia e presidentës, Vjosa Osmani dhe flamuri i Kosovës.

05/12/2025 11:37- Betohet kryetari i ri i Zveçanit: Do të bashkëpunoj me të gjitha institucionet në Prishtinë

Dragisha Miloviq është betuar si kryetar i ri i Zveçanit. Ceremonia u zhvillua pasi Ilir Peci i PDK-së ia dorëzoi atij zyrtarisht detyrën, duke shënuar kështu edhe rikthimin e Listës Serbe në krye të komunës.

Në fjalën e tij pas betimit, Miloviq u zotua për bashkëpunim me të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë dhe institucionalë që veprojnë në Kosovë.

“Do të bashkëpunoj edhe me përfaqësuesit e misioneve me KFOR me EULEX me OSBE me të gjitha institucionet në Prishtinë, MAPL dhe juve mediave. Duhet të kuptojmë që qeverisja lokale duhet të jetë e fokusuar të qytetarët. Kushdo që vjen këtu të mirëpritet… për të mirë të qytetarëve tanë”, ka thënë Miloviq.

Siç transmeton Dukagjini, kur u pyet nga gazetarët se a i respekton simbolet e Kosovës, Miloviq është përgjigjur shkurt.

“Do ta shihni ditëve në vazhdim, sot nuk flas”, është përgjigjur ai.

05/12/2025 11:35- Betohet kryetari i ri i Komunës së Zubin Potokut

Milosh Peroviq ka kryer betimin e tij si kryetar i Zubin Potokut, i cili vjen nga Lista Serbe.

Ndërkaq, në krye të kësaj komune ishte Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

05/12/2025 11:26- Nis procesi i konstituimit të kuvendit komunal në Zveçan

Ka nisur procesi i konstituimit të kuvendit komunal edhe në Zveçan. I pranishëm është edhe kryetari i zgjedhur i Zveçanit, Dragisha Milloviq.

Procesi i konstituimit të kuvendit komunal po bëhet me simbolet e Kosovës.

05/12/2025 11:18- Serbët në Leposaviq pritet të betohen para flamurit të Kosovës

Ka nisur seanca konstitutive e kuvendit komunal në Leposaviq, ku pritet të betohet kryetari Zoran Todiq nga Lista Serbe.

Përreth e para Komunës së Leposaviqit janë para forca të shtuara të Policisë.

Në sallën e kuvendit komunal, është vendosur fotografia e presidentes, Vjosa Osmani dhe flamuri i Kosovës.

Në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok mbahen sot seancat konstitutive, ku kryetarët e rinj të cilët vijnë nga Lista Serbe do të marrin zyrtarisht detyrat.

Millan Radojeviq në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në Leposaviq, Dragisha Milloviq në Zveçan dhe Millosh Peroviq në Zubin Potok.

05/12/2025 11:12- Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut dërgon ftesat për seancë konstituive edhe në gjuhën shqipe

Në Kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut, pritet që të betohet kryetari i ri i zgjedhur nga Lista Serbe, Milan Radojeviq dhe përbërja e re e asamblistëve.

Ftesa fizike e cila iu është dërguar anëtarëve të Kuvendit komunal është edhe në gjuhën shqipe dhe me të gjitha simbolet e Republikës së Kosovës.

Fotografinë e ftesës e ka siguruar ekipi i KALLXO.com.


05/12/2025 11:08- Prezencë e shtuar e policisë, kryetarët serbë sot marrin drejtimin e komunave në veri

Në orën 11:00 pritet të fillojë seanca konstitutive e kuvendeve komunale në katër komunat veriore.

Në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok mbahen sot seancat konstitutive, ku kryetarët e rinj të cilët vijnë nga Lista Serbe do të marrin zyrtarisht detyrat.

Millan Radojeviq në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në Leposaviq, Dragisha Milloviq në Zveçan dhe Millosh Peroviq në Zubin Potok.