Situata me vërshime mbetet nën vëmendje edhe sot, ku po vazhdojnë reshjet e dendura të shiut.

Juniku dhe Malisheva të martën kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të situatës së krijuar.


Ekipet e emergjencës janë të angazhuara në terren dhe autoritetet janë në monitorim të vazhdueshëm.

Rajonet më të prekura vazhdojnë të jenë Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj dhe Gjakova, ku janë raportuar vërshime në oborre, bodrume dhe rrugë të caktuara, ndërsa në Gjakovë është kërkuar edhe evakuimi i mbi 20 familjeve, në koordinim me FSK-në.

Si pasojë e situatës dhe për arsye sigurie, është shtyrë edhe procesi i nisjes së mësimit, i cili do të fillojë më 12 janar.

Këtu po e përmbyllim këtë raportim për sot, do të vazhdojmë t'iu mbajmë të informuar edhe nesër për çdo zhvillim të ri nga terreni. Faleminderit që na lexoni! /Telegrafi/





06/01/2026 22:30- Vërshimet në Mitrovicë, Peci thërret Shtabin Emergjent

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se i gjithë mekanizmi shtetëror, në nivel lokal dhe qendror, është në gjendje gatishmërie për intervenim të menjëhershëm për shkak të rrezikut nga vërshimet në rajonin e Mitrovicës.

Peci ka njoftuar se, duke marrë parasysh motin e përkeqësuar nga reshjet e vazhdueshme të shiut dhe rrezikun për vërshime të mundshme, sonte në ora 21:00 ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme me të gjithë akterët kompetentë në zinxhirin e sigurisë dhe intervenimit emergjent.

Sipas tij, në këtë mbledhje është diskutuar për koordinimin ndërmjet institucioneve, vlerësimin e gjendjes aktuale në terren dhe masat që duhet të ndërmerren për menaxhimin e situatës.

“Si kryetar i Komunës, jam i gatshëm që të vë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme në menaxhim të kësaj situate,” ka shkruar Peci, duke shtuar se në gatishmëri janë edhe ekipet vullnetare për intervenim të menjëhershëm.

Në fshatin Koshtovë në Mitrovicë ka vërshime si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

Sipas banorëve, janë njoftuar të gjitha ekipet emergjente, ndërsa në zonë kanë dalë edhe vullnetarë për të ndihmuar në përballimin e situatës.

Nga terreni, KosovaPress mëson se të pranishme janë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), njësitë e zjarrfikësve, si dhe kompania “Toni”, e angazhuar nga komuna për pastrimin dhe hapjen e kanaleve për largimin e ujit, raporton KosovaPress.

Ekipi i KosovaPress raporti më parë se edhe lumi Lushta ka dalë nga shtrati dhe është përmbytur stacioni i autobusëve në Mitrovicë si pasojë reshjeve të fundit.

06/01/2026 21:59- Vërshohet Koshtova, FSK-ja në ndihmë banorëve

Në fshatin Koshtovë në Mitrovicë ka vërshime si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

Sipas banorëve, janë njoftuar të gjitha ekipet emergjente, ndërsa në zonë kanë dalë edhe vullnetarë për të ndihmuar në përballimin e situatës.

Të pranishme janë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), njësitë e zjarrfikësve, si dhe kompania “Toni”, e angazhuar nga komuna për pastrimin dhe hapjen e kanaleve për largimin e ujit.

Edhe lumi Lushta ka dalë nga shtrati dhe është përmbytur stacioni i autobusëve në Mitrovicë si pasojë reshjeve të fundit.

06/01/2026 20:08- Lehtësohet qarkullimi në rrugën Drenas–Komoran

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, bën të ditur se rruga Drenas–Komoran është lehtësuar për qarkullim, pasi niveli i ujit ka rënë dhe aktualisht është e kalueshme.

Lladrovci ka ftuar qytetarët që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë shiritët për ndalim të qarkullimit në disa rrugë dhe pranë urave, duke theksuar se situata kërkon vëmendje të shtuar.

Ai ka falënderuar qytetarët për respektimin e urdhrave të organeve kompetente, si dhe të gjithë kontribuuesit për, siç është shprehur, “lehtësimin e gjendjes” gjatë vërshimeve që i ka cilësuar si të përmasave të mëdha në komunën e Drenasit.

Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar vërshime në disa zona të Komunës së Drenasit, duke sjellë rritje të nivelit të ujit dhe vështirësi në qarkullim në disa segmente rrugore. Ekipet komunale dhe shërbimet emergjente kanë qenë të angazhuara për të menaxhuar situatën, ndërsa qytetarët janë ftuar të respektojnë ndalesat e përkohshme të qarkullimit, sidomos në rrugët dhe urat që paraqesin rrezik.

06/01/2026 19:34- Vërshimet në Kosovë, reagon presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas gjendjes aktuale në vend, me përmbytjet e shkaktuara nga vërshimet.

Osmani ka shprehur mirënjohje për institucionet dhe qytetarët që, përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve gjatë ditës së sotme, po reagojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet në mbrojtje të jetës dhe pronës.

Osmani ka njoftuar se gjatë ditës ka qenë në komunikim me kryetarët e komunave të prekura, të cilët, sipas saj, po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren në koordinim të ngushtë dhe me mbështetjen e institucioneve qendrore.

Ajo theksoi se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po punon pareshtur në bashkëpunim me organet e rendit, ndërsa ka falënderuar edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për gatishmërinë e plotë për të ofruar mbështetje të menjëhershme, duke vënë në dispozicion kapacitetet e saj njerëzore dhe logjistike nëse paraqitet nevoja.

“Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente,” ka shkruar Osmani, duke theksuar se bashkëpunimi dhe reagimi profesional janë vendimtare për përballimin me sukses të situatës.

Reshjet e dendura të shiut gjatë ditës kanë shkaktuar vërshime dhe rritje të nivelit të ujërave në disa zona, duke krijuar vështirësi dhe rrezik për dëme materiale. Shërbimet emergjente dhe autoritetet lokale janë angazhuar në terren për menaxhimin e situatës dhe parandalimin e rrezikut për qytetarët.

06/01/2026 19:33- Reshjet e dendura të shiut, kjo është situata në Prizren

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime në disa zona të Komunës së Prizrenit, ndërsa ekipet emergjente janë angazhuar vazhdimisht në terren për menaxhimin e situatës dhe ndihmën ndaj qytetarëve.

Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, ekipet emergjente të kontraktuara nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, si dhe nga Drejtoria e Emergjencave dhe Sigurisë, kanë qenë të pranishme në zonat më të prekura, duke ofruar mbështetje me të gjitha kapacitetet në dispozicion.

Komuna ka bërë të ditur se angazhimi i ekipeve emergjente do të vazhdojë edhe më tej, me qëllim të menaxhimit të situatës dhe mbështetjes së qytetarëve në vendbanimet më të prekura nga reshjet e rrëmbyeshme.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, bëri të ditur se kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme si pasojë e vërshimeve të mëdha në këtë komunë.

Kastrati thekson se Komuna e Malishevës ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, të cilat kanë shkaktuar shumë dëme dhe kanë shqetësuar qytetarët të cilët gjatë natës dhe ditës së sotme kanë përjetuar këto reshje.

Në komunën e Drenasit, konkretisht në Komoran, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, disa biznese janë përballur me vërshime, ndërsa që nga orët e hershme të mëngjesit po tentojnë të largojnë ujin nga ambientet e tyre. Edhe në disa komuna tjera të vendit gjendja është e rënduar nga vërshimet.

06/01/2026 18:04- Edhe Juniku shpall gjendjen e jashtëzakonshme pas vërshimeve

Vërshimet kanë prekur shumë zona të Kosovës, e një ndër to edhe Komunën e Junikut, e cila sapo shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.

“Për shkak të kushteve të vështira klimatike, reshjeve të shumta dhe vërshimeve në Komunën e Junikut, Komuna e Junikut ka shpallur gjendje të emergjente dhe ka formuar shtabin emergjent”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, është bërë e ditur se edhe fillimi i gjysmëvjetorit të dytë shkollorë është shtyrë për datën 12.01.2026.

“I lusim qytetarët për kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

Ditët e humbura të mësimit do të kompensohen”, thuhet ndër tjera.

06/01/2026 17:58- Shembet një pjesë e një rruge në Veternik të Prishtinës

Si pasojë e rrëshqitjes së dheut më 06.01.2026 është shembur një pjesë e rrugës “Fatmir Mulliqi” në lagjen Veternik në Prishtinë.

Sipas pamjeve, rrëshqitja e dheut ka ndodhur skaj rrugës, në afërsi të një vendpunishte.

Enis Pllana, zëdhënësi i Policisë së Kryeqytetit.

“Po, mund të ju konfirmojmë se ka shembje të dheut te Dogana. Deri më tani nuk ka të lënduar të raportuar. Inspektorati komunal ka dalë në vendin e ngjarjes”- tha Enis Pllana.

06/01/2026 17:54- Malisheva shpall gjendje të jashtëzakonshme

Kryetari i Malishevës Ekrem Kastrati, ka njoftuar se është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në këtë komunë pas përmbytjet që ndodhën sot atje.

“Që nga orët e mesnatës, Komuna jonë po përballet me një situatë të rënduar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona të territorit tonë. Si Kryetar i komunës, që nga momentet e para jam në terren bashkë me ekipet emergjente të shpëtimit, strukturat komunale, zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës, duke monitoruar nga afër situatën dhe duke koordinuar veprimet për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve”, ka deklaruar ai.

Kastrati theksoi se fatkeqësisht, vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, rrugë, prona private, toka bujqësore dhe objekte të ndryshme, duke krijuar vështirësi serioze për shumë familje.

“Për këtë situatë të rëndë, shpreh keqardhjen time më të thellë dhe solidaritetin e plotë me të gjithë qytetarët e prekur. Dua të falënderoj të gjitha ekipet emergjente, zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe vullnetarët, të cilët pa u lodhur, në kushte të vështira dhe me përkushtim të lartë profesional, janë duke punuar pa ndërprerë për menaxhimin e situatës dhe ofrimin e ndihmës aty ku ka nevojë”, theksoi Kastrati.

Kreu i Malishevës, u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat e rrezikuara, të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse dhe të bashkëpunojnë me ekipet në terren.

“Komuna e Malishevës do të vazhdojë të jetë në gatishmëri të plotë derisa situata të stabilizohet dhe më pas do të angazhohemi maksimalisht për vlerësimin e dëmeve dhe përkrahjen e familjeve të prekura”, shtoi kreu i Malishevës.

06/01/2026 15:51- Rruga Graboc i Epërm – Drenas e pakalueshme për shkak të daljes nga shtrati të lumit Drenica

Komuna e Obiliqit ka njoftuar qytetarët për situatën e vështirë në rrugën që lidh fshatin Graboc i Epërm me Drenasin, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Drenica në segmentin rrugor Guri i Plakës.

“Rruga është e pakalueshme dhe qarkullimi është i rrezikuar”, thuhet në njoftimin e komunës, ku qytetarët ftohen të përdorin rrugë alternative deri në përmirësimin e gjendjes.

Lajmi i plotë>>>

06/01/2026 15:50- Komuna e Shtimes apelon qytetarët për kujdes për shkak të reshjeve

Komuna e Shtimes apelon qytetarët për kujdes për shkak të reshjeve

Komuna e Shtimes ka lëshuar një njoftim për qytetarët lidhur me reshjet e dendura që kanë përfshirë rajonin dhe që pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

“Situata aktualisht në komunën tonë është jashtë rrezikut, por kërkohet vigjilencë e vazhdueshme,” thuhet në njoftimin e komunës.

Lajmi i plotë>>>

06/01/2026 15:49- Reshjet e shiut shkaktojnë vështirësi në Prishtinë, autoritetet paralajmërojnë qytetarët

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës ka njoftuar qytetarët për situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të vazhdueshme, duke bërë apel për respektimin e masave të sigurisë.

“Sipas raportimeve tona, ekipet e Kryeqytetit kanë intervenuar deri tani në mbi 40 raste, në bashkëpunim të plotë me të gjitha strukturat relevante. Situata është nën monitorim të vazhdueshëm”, theksojnë nga Drejtoria.

Lajmi i plotë>>>

06/01/2026 15:48- Situatë e rënduar në Rahovec, Bytyqi: Evakuime dhe dëme në infrastrukturë pas reshjeve të shiut

Ekipet e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, në bashkëpunim me zjarrfikësit, janë në terren që nga orët e hershme të mëngjesit edhe në Komunën e Rahovecit për t’u përballur me situatën e krijuar nga reshjet e mëdha të shiut.

Drejtoresha për Mbrojtje dhe Shpëtim në këtë komunë, Besmire Bytyqi, thotë për KosovaPress se gjendja ka qenë jashtëzakonisht e rënduar në orët e para të ditës, por se aktualisht niveli i ujit ka shënuar rënie.

Lajmi i plotë>>>

06/01/2026 15:47- Kryetari i Malishevës, Kastrati: Vërshimet shkaktuan dëme të mëdha

Komuna e Malishevës po përballet me një situatë të rënduar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, të cilat kanë shkaktuar vërshime dhe dëme të konsiderueshme në disa zona të territorit.

Lajmi i plotë>>>

06/01/2026 14:38- Vërshimet bllokojnë akset kryesore të Drenasit, Lladrovci bënë thirrje për kujdes

Komuna e Drenasit po përballet me vërshime të rënda, që kanë goditur dhjetëra shtëpi, biznese dhe hapësira publike.

Kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci njoftoi se nga mëngjesi, niveli i ujit është rritur vazhdimisht, me ç’rast ka vërshuar dhjetëra shtëpi, biznese dhe hapësira publike.

Lajmi i plotë>>>

06/01/2026 14:37- Kryetari i Deçanit apelon qytetarët për kujdes të shtuar për shkak të vërshimeve

Komuna e Deçanit ka raportuar se reshjet e vazhdueshme të shiut kanë krijuar rrezik në disa zona, ndërsa ekipet emergjente kanë qenë të angazhuara pa ndërprerje në terren. Kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, ka bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët.

“Për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut është krijuar një situatë e cila paraqet rrezik në disa zona, mirëpo ekipet e emergjencës së Komunës së Deçanit kanë qenë pandërprerë në terren, veçanërisht në Carrabreg të Ulët, Prilep, Baballoq, Ratishë të Ulët, Dubovik dhe në qytet”, tha Ramosaj.

Lajmi i plotë>>>

06/01/2026 14:19- Vërshime në Gjakovë pas reshjeve të dendura, zjarrfikësit evakuojnë disa familje

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, shumë zona të qytetit të Gjakovës janë përfshirë nga vërshimet, duke krijuar situatë të rënduar për një numër qytetarësh.

Nga Njësia e Zjarrfikësve në Gjakovë bëhet e ditur se ekipet emergjente janë angazhuar në terren që nga orët e hershme të mëngjesit dhe po intervenojnë pa ndërprerë për menaxhimin e situatës dhe ndihmën ndaj qytetarëve të prekur.

Lajmi i plotë KËTU.

06/01/2026 13:54- Vërshimet godasin Suharekën, pamje nga Semetishti tregojnë dëmet

Pamje të reja të shpërndara nga fshati Semetisht i Suharekës dëshmojnë për pasojat e rënda të reshjeve të fundit të shiut, të cilat kanë shkaktuar vërshime të mëdha në këtë zonë.

Siç shihet në pamje, uji ka përfshirë shtëpi, oborre dhe sipërfaqe bujqësore, duke e vështirësuar ndjeshëm jetën e banorëve dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Lajmi i plotë>>>

06/01/2026 13:54- Komuna e Obiliqit me intervenime në terren për përmirësimin e sigurisë së qytetarëve nga vërshimet

Nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Berat Gashi, së bashku me Drejtorin e Shërbimeve Publike, Valon Svirca, dhe Drejtorin e Mjedisit, Rinor Kurteshi, kanë dalë në terren për të vlerësuar nga afër rastet e evidentuara në disa zona të komunës.

Sipas njoftimit të Komunës së Obiliqit, pas inspektimit në terren janë ndërmarrë intervenime konkrete me qëllim të eliminimit të problemeve në prona të caktuara, duke synuar përmirësimin e gjendjes mjedisore dhe rritjen e nivelit të sigurisë për qytetarët.

Lajmi i plotë>>>

06/01/2026 13:53- Haradinaj: Përmbytjet janë urgjencë kombëtare, institucionet të shumëfishojnë përpjekjet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas situatës së krijuar nga reshjet e vazhdueshme të shiut, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Kosovës.

Haradinaj ka theksuar se gjendja është shqetësuese, duke bërë të ditur se në disa vendbanime ka nisur edhe evakuimi i banorëve.

Lajmi i plotë>>>

06/01/2026 13:00- Situatë e rënduar nga vërshimet në Drenas, disa familje të evakuara

Komuna e Drenasit ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për qytetarët, pas reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve përgjatë lumit Drenica.

Uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë bërë të pakalueshme. Disa familje janë evakuar për shkak të rrezikut nga përmbytjet, ndërsa rryma elektrike është ndërprerë në zona të prekura.

Lajmi i plotë>>>

06/01/2026 12:53- Komuna e Rahovecit u kërkon banorëve të Fortesës që ta shkyçin energjinë elektrike për arsye sigurie

Komuna e Rahovecit, në bashkëpunim me KEDS-in, ka bërë apel për banorët e fshatit Fortesë për ndërprerjen e energjisë elektrike në shtëpitë e tyre, si pasojë e reshjeve të fundit të shiut.

Sipas njoftimit, kjo masë është e domosdoshme për të parandaluar dëmtimin e pajisjeve elektrike dhe instalimeve të brendshme kur energjia rikthehet në gjithë fshatin.

“Për shkak të situatës së krijuar nga reshjet e shiut, KEDS-i dhe organet komunale kërkojnë nga secili banor i fshatit Fortesë që të ndërpresë menjëherë energjinë elektrike në shtëpinë e tij”, thuhet në njoftimin e komunës.

Komuna falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë zbatimit të kësaj mase emergjente.

06/01/2026 12:34- Uji arrin deri te dritaret, disa zona të Gjakovës nën ujë

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar gjendje të rënduar edhe në qytetin e Gjakovës dhe në disa fshatra përreth.

Në disa zona, niveli i ujit ka arritur deri te dritaret e shtëpive, ndërsa në disa raste ka depërtuar edhe brenda tyre.

Pamje nga rrugët “Myrtë Zeneli”, “Jakova” në Pjetërshan dhe “Bekim Fehmiu”, si dhe nga fshatrat Shqiponjë, Babaj i Bokës, Rracaj dhe përgjatë rrjedhës së lumit Erenik, tregojnë përmbytje të konsiderueshme.

Lajmi i plotë KËTU.

06/01/2026 12:19- Çahet rruga në Polluzhë të Rahovecit, fshati rrezikon të bllokohet

telegrafi.com

Rruga në fshatin Polluzhë të komunës së Rahovecit është dëmtuar rëndë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, duke rrezikuar bllokimin e plotë të qarkullimit drejt këtij fshati.

Banorët e zonës kanë shprehur shqetësim për situatën, pasi çarja e rrugës ka vështirësuar lëvizjen e automjeteve.

Autoritetet komunale janë njoftuar për rastin dhe pritet që ekipet përkatëse të dalin në terren për të vlerësuar dëmet dhe për të ndërmarrë masa emergjente për sanimin e dëmit të shkaktuar.

06/01/2026 12:11- Fushë Kosova përballet me vështirësi pas reshjeve, ekipet komunale në gatishmëri

Si pasojë e reshjeve të shiut gjatë 24 orëve të fundit, Komuna e Fushë Kosovës po përballet me vështirësi në disa zona.

Autoritetet komunale kanë njoftuar se situata po monitorohet nga afër dhe ekipet përkatëse janë në gatishmëri të plotë.

“Në disa zona të komunës janë evidentuar vështirësi si pasojë e reshjeve të shiut”, thuhet në njoftimin e Komunës së Fushë Kosovës.

Lajmi i plotë KËTU.

06/01/2026 12:03- Disa zona të Malishevës dhe Rahovecit pa rrymë shkaku i vërshimeve

KEDS ka njoftuar qytetarët për ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me energji elektrike në zonat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV.

Sipas KEDS: “Uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik”.

Autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë dhe Zjarrfikësit, janë njoftuar dhe janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës.

Lajmi i plotë KËTU.

06/01/2026 12:01- Kolona në magjistralen Fushë Kosovë - Prishtinë si pasojë e reshjeve të shiut

Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

06/01/2026 11:55- Ratkoci dhe Fortesa, fshatrat më të prekura nga vërshimet në Rahovec

Komuna e Rahovecit është goditur nga vërshimet, pas reshjeve të dendura që kanë përfshirë gjithë vendin në këto ditët e fundit.

Disa fshatra të kësaj komune janë duke hasur në vështirësi, pasi vërshimet kanë kapluar shpejtë zonën.

Në fshatin Fortesë është një gjendje më e rënduar, pasi vërshimet kanë prekur të gjithë pjesën, duke hyrë edhe nëpër shtëpi.

Lajmi i plotë KËTU.

06/01/2026 11:54- Shiu sjell vështirësi në rrugë, Durmishi bën thirrje për kujdes në qarkullim

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar qytetarët se autoritetet janë në gjendje gatishmërie për menaxhimin e reshjeve të shiut, të cilat kanë ndikuar në disa rrugë të vendit.

“Që nga mbrëmë jemi në gjendje gatishmërie për të menaxhuar sa më mirë reshjet e shiut, të cilat kanë ndikuar edhe në disa nga rrugët tona. Ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po ndërhyjmë kudo që është e mundur për të përmirësuar kushtet e qarkullimit”, ka shkruar ministri Durmishi.

Lajmi i plotë KËTU.

06/01/2026 11:50- KOSTT ndërpret përkohësisht furnizimin me energji elektrike në Drenas për shkak të reshjeve

Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu, KOSTT, ka njoftuar qytetarët për ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët që furnizohen nga Nënstacioni 220/10 kV Drenasi 2.

Sipas KOSTT, masa është ndërmarrë për shkak të reshjeve të dendura të shiut, të cilat kanë shkaktuar depërtim të ujit në objektet e nënstacionit, duke ndikuar në sigurinë e operimit.

Lajmi i plotë KËTU.

06/01/2026 11:49- Komuna e Prishtinës paralajmëron qytetarët për rrezik nga përmbytjet

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës ka dalë me një paralajmërim për qytetarët, pas reshjeve të shumta të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në territorin e kryeqytetit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, në Prishtinë janë regjistruar mbi 25 milimetra reshje shiu për metër katror, ndërsa parashikimet tregojnë se reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë orëve dhe ditëve në vijim, me intensitet dhe intervale të ndryshme.

Lajmi i plotë KËTU

06/01/2026 11:47- Pas reshjeve të dendura, Komuna e Drenasit apelon qytetarët për kujdes të shtuar

Komuna e Drenasit ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj qytetarëve, pas reshjeve të dendura të shiut që kanë shkaktuar vërshime në disa segmente rrugore dhe zona të ndryshme të komunës.

Sipas njoftimit zyrtar të komunës, rrugë dhe zona si Drenas–Grabovc, Çiktova e Vjetër, Qendra Zejtare në Drenas dhe qendra e Komoranit janë ndër më të prekurat nga vërshimet e shkaktuara nga sasia e madhe e reshjeve.

Lajmi i plotë KËTU.

06/01/2026 11:46- Malisheva përballet me vërshime - 6 familje të evakuuara, po vëzhgohet diga e lumit

Reshjet e dendura që kanë përfshirë Kosovën në ditët e fundit kanë shkaktuar vërshime në disa zona të vendit.

Një nga më të prekurat është Komuna e Malishevës, ku disa familje janë evakuuar.

Sipas zyrtarit për informim të komunës, Artan Paçarizi, deri më tani janë evakuuar gjashtë familje, ndërsa po mbahet nën vëzhgim digën e lumit Mirusha.

Lajmi i plotë KËTU.

06/01/2026 11:45- Evakuohen banorët në Malishevë për shkak të reshjeve të shiut

Banorët e Turjakës në komunën e Malishevës kanë filluar të evakuohen nga zonat e rrezikuara pas reshjeve të dendura të shiut që kanë rritur nivelin e ujit në digën e lumit Mirusha.

Largimi i banorëve po bëhet për shkaqe sigruie, ndërkaq autoritetet komunale po vazhdojnë të monitorojnë situatën nga afër.

Lajmi i plotë KËTU.

06/01/2026 11:44- Vërshohet qyteti dhe disa fshatra, Komuna e Malishevës apelon qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme

Komuna e Malishevës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj qytetarëve, për shkak të gjendjes së rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera të shiut që kanë përfshirë territorin e komunës.

Sipas njoftimit të Shtabit Emergjent për Menaxhimin e Situatave Emergjente, niveli i lumenjve dhe përroskave është rritur ndjeshëm, duke shkaktuar bllokim të disa rrugëve dhe vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

Lajmi i plotë KËTU.

06/01/2026 11:42- IKSHPK del me këshilla për qytetarët pas reshjeve të shiut

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka apeluar tek qytetarët për kujdes të shtuar pas reshjeve të shtuara të shiut në disa zona të vendit, duke theksuar ndikimin e mundshëm të tyre në shëndetin publik.

Sipas njoftimit të IKSHPK-së aktualisht nuk ka të dhëna për ndotje të ujit.

Megjithatë Instituti shprehet se qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarë të pambrojtur, për arsye sigurie nga aspekti bakteriologjik, rekomandohet që uji të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative për furnizim me ujë të sigurt.

Lajmi i plotë KËTU.

06/01/2026 11:40- Vërshime në disa rajone në Kosovë, IHMK paralajmëron rritje të nivelit të lumenjve

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshjet e pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime lokale në disa zona të vendit.

Më së shumti janë prekur rajonet perëndimore, përfshirë Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Klinë, si dhe pjesa qendrore e vendit, ku disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtrati i tyre.

Sipas IHMK-së, reshjet, të cilat kanë intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.

Lajmi i plotë KËTU.

06/01/2026 11:38- Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë vërshime në disa komuna të Kosovës

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime dhe probleme të shumta në disa komuna të Kosovës, duke rrezikuar infrastrukturën dhe sigurinë e qytetarëve.

Në Drenas, shira të pandërprerë gjatë 24 orëve të fundit kanë përmbytur disa zona të qytetit, ndërsa sipas disa ankesave që ka marrë Telegrafi nga qytetarët, ata kanë mbetur të ngujuar në shtëpitë e tyre.

Komuna e Gjakovës ka njoftuar se për shkak të shkrirjes së shpejtë të borës në zonat malore dhe reshjeve të vazhdueshme të shiut, gjendja në disa pjesë të komunës paraqitet e paqëndrueshme.

Lajmi i plotë KËTU.