Lirohen dy hapësira publike në plazhin e Golemit, hiqen 190 komplete me çadra dhe shezlonë

Policia e Kavajës ka njoftuar se ka ndërhyrë për lirimin e dy hapësirave publike në plazhin e Golemit, të cilat ishin zënë pa leje përkatëse.
Policia hoqi nga këto dy zona në plazhin e Golemit rreth 190 komplete me çadra dhe shezlonë, të vendosura sipas saj në mënyrë të paligjshme në hapësirat publike përgjatë bregdetit.
Sipas njoftimit zyrtar këto hapësira ishin zënë nga një shtetase nga Tirana, e cila pretendonte se kishte leje për shfrytëzimin e zonës, si dhe nga një qytetar tjetër.
"Shtetasja L. S., banuese në Tiranë u procedua penalisht, ndërsa ka pretenduar se dispononte leje për shfrytëzimin e hapësirës, gjë që po verifikohet nga autoritetet përkatëse. Ndërhyrja u bë në kuadër të plan-operacionit 'Plazhi i lirë', i cili synon lirimin e hapësirave publike në bregdet të zëna në mënyrë të paligjshme nga subjekte private apo pushues individualë", thuhet në njoftim. /Telegrafi/







































