Liria konfirmon bisedimet me Lacina Traoren, dikur pjesë e Monacos dhe Evertonit

Klubi prizrenas, Liria ka konfirmuar se po kërkojnë përforcime për sezonin e ri në Albi Mall Superligën e Kosovës dhe njëri nga ta është sulmuesi i njohur Lacina Traore.
Liria mposhti Ferizajn me penallti para disa ditësh në ndeshjen e barazhit të zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”, duke siguruar inkuadrimin në Superligë.
Me inkuadrimin në Superligë kërkohen edhe përforcime të skuadrës pasi niveli është më i lartë dhe gjithashtu shpenzimet janë më të mëdha.
Këtë trend duket se po e ndjek klubi i madh prizrenas, pasi tashmë po eksploron për përforcime të reja dhe ka konfirmuar se pritet transferime kualitative.
Sipas faqes zyrtare të Lirisë, pronari i klubit, Rahman Kice merret ekskluzivisht me transferime dhe njëri nga emrat që po synon ta sjell në Prizren është sulmuesi Lacina Traore.
Traore është emër i njohur pasi ka bërë karriere në kampionate të mëdha evropiane, ndër to edhe Liga Premier me Evrtonin dhe Ligue 1 me Monacon.
Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ka luajtur edhe në Rumani, Rusi, Spanjë, Hungari, Turqi dhe së fundmi në Portugali te skuadra Varzim.






















































