LAJMI I FUNDIT:

Limaj: Qeveria e Kosovës nuk e përballon projektin Morinë–Merdare

I nderuari Kryeministër,
Të nderuar zv. Kryeministra,
Të nderuar Ministra,
Të nderuar ambasadorë dhe drejtues të zyrave ndërlidhëse,
Zonja dhe Zotërinj,

Kam nderin dhe kënaqësinë të flas para jush në takimin e parë të Forumit të Nivelit të Lartë.

MTPT-ja, ka shënuar përparim të madh në të gjitha fushat e përgjegjësisë së saj, duke realizuar shumicën dërrmuese të objektivave vjetore, në përputhshmëri me objektivat strategjike.


Infrastruktura Rrugore dhe Siguria

Me investimet e bëra në ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës themelore rrugore është zhvilluar dukshëm rrjeti rrugor. Vetëm brenda vitit të kaluar janë realizuar mbi 160 projekte me mbi 600 km rrugë. Përqindja e realizimit financiar të shpenzimeve kapitale ishte rreth 98%. Është me rëndësi të theksohet fakti që të gjitha këto punë, që paraqesin dhjetëfishin e punëve dhe projekteve të realizuara për shumë vite në të kaluarën, janë realizuar me të njëjtat burime njerëzore dhe fizike. Ndonëse në fillim objektivat vlerësoheshin si tepër ambicioze nga ana e disa ekspertëve, ato u përmbushën, madje dhe u tejkaluan. Suksesi duhet atribuar vizionit të qartë që kemi për zhvillimin e këtij sektori, i radhitur ndër synimet më prioritare strategjike në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ky vizion që aspiron nga eurointegrimet përmes zhvillimit dhe modernizimit të infrastrukturës, mbështetet në misionin tonë për krijimin e një sistemi cilësor e funksional të qëndrueshëm dhe të sigurt të transportit që ruan mjedisin jetësor dhe që i shërben zhvillimit shoqëror e ekonomik dhe integrimit ndërkombëtar. Kur këtij vizioni i shtohen vendosmëria dhe gatishmëria për punë, analiza cilësore e gjendjes, identifikimi i plotë i nevojave dhe prioritizimi i qëllimeve, planifikimi kualitativ, menaxhimi efikas dhe efektiv, shrytëzimi racional i të gjitha burimeve, serioziteti dhe përkushtimi në kryerjen e detyrave nga ana e personelit të ministrisë, del që të arriturat dhe suksesi ishin të pashmangshme.

Investimet e bëra gjatë vitit të kaluar në dhjetëra projekte kapitale dhe realizimi e madje tejkalimi i shumë objektivave të parashtruara sektoriale, kanë rezultuar me efekte të shumanshme. Qindra kilometrat e shtruara kanë nxitur zhvillimin ekonomik, kanë përmirësuar dukshëm kushtet dhe standardin e jetesës së qytetarëve, janë hapur vende të reja pune, janë gjallëruar shumë biznese të vogla dhe të mesme etj.

Ministria e Transportit dhe e Postë – Telekomunikacionit, prioritetet e saj strategjike për zgjerimin e infrastrukturës esenciale i ka orientuar në katër drejtime: ndërtimi i autostradave, zgjerimi i rrugëve nacionale, ndërtimi i rrugëve të reja dhe rehabilitimi i atyre ekzistuese dhe ndërtimi i rrugëve lokale.

Projekti kapital i autostradës Morinë – Merdare ka një kosto shumë të lartë, të cilën nuk mund ta përballojë Buxheti i Kosovës. Për këtë arsye ne bëmë shpalljen e trasesë së kësaj autostrade si zonë me interes të veçantë, shpallëm shprehjen e interesit për operatorët ekonomikë si ndërtues potencialë të kësaj autostrade, si dhe ofertimin publik për kontraktimin e një kompanie profesionale dhe eksperte për konsulencë financiare dhe për rishikim të projektit me të cilën do të përzgjedhet modaliteti më i favorshëm për fillimin e ndërtimit të këtij projekti madhor, bazuar në arsyeshmërinë teknike dhe ekonomike. Përfundimi i suksesshëm i kësaj etape do t’i paraprijë etapës së ardhshme të fillimit të ndërtimit të autostradës, e cila do të nisë nga gjysma e dytë e këtij viti. Po ashtu para pak ditësh Qeveria aprovoi propozim vendimin për shpronësimin e pronave për nevoja të ndërtimit të autostradës Vërmicë – Merdar në segmentin Vërmicë – Prizren që është thelbësor për nisjen e realizimit të projektit kapital të kësaj autostrade. Rëndësia kapitale e kësaj autostrade, përveç tjerash, qëndron në faktin se ajo krijon avantazhe të mëdha pothuajse në të gjitha sferat, në veçanti në ato ekonomike dhe integruese. Si e tillë, kjo autostradë do t’i japë një tjetër frymëmarrje ekonomisë së vendit tonë, duke shfrytëzuar optimalisht dhe racionalisht të gjitha përparësitë që t’i ofron të qenët nyje ekonomike e strategjike në rajon, sepse ajo lidh tregjet e kësaj hapësire evropiane me arteriet kryesore transportuese ndërkombëtare.

Edhe projekti tjetër kapital i autostradës Prishtinë – Han i Elezit është në rrugë të mirë drejt realizimit të fazës së disenjimit të projektit zbatues nga ana e kompanisë projektuese. Kemi pranuar projektin me alternativat preliminare dhe presim për ta miratuar alternativën më të mirë.

Si pjesë e synimeve prioritare strategjike ka qenë zgjerimi i dy rrugëve nacionale më të rëndësishme, me qarkullimin më të frekuentuar të automjeteve, rruga Prishtinë – Han i Elezit dhe rruga Prishtinë – Pejë. Për sa i takon të parës, projekti i zgjerimit nga Çagllavica e deri te Udhëkryqi i Lipjanit tanimë ka përfunduar. Ndërkaq, për sa i takon të dytës, aktualisht janë duke u ekzekutuar punimet në zgjerimin e rrugës nga Fushë Kosova deri në Sllatinë. Deri më tani punimet në zgjerimin e këtij aksi po ecin sipas dinamikës së paraparë dhe ato pritet të përfundojnë gjatë këtij viti.

Në kuadër të programit për ndërtimin e rrugëve të reja dhe rehabilitimin e atyre ekzistuese janë realizuar 34 projekte dhe janë shtruar 213 km.
Në kuadër të programit për rrugë lokale janë realizuar 127 projekte dhe janë shtruar 375 km. Faktorët kyçë që kanë ndikuar në vendimin për investime në komuna ishin: numri i madh i rrugëve të paasfaltuara (nga 6571 km, vetëm 1071 kanë qenë të asfaltuara), lidhja e drejtpërdrejtë e varfërisë me mungesën e infrastrukturës rrugore, evitimi i migrimit të popullsisë, rivitalizimi i ekonomive familjare, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, rritja e punësimit etj.

Për sa i takon shtimit të sigurisë në komunikacion, janë arritur rezultate të shkëlqyeshme. Si rezultat i zbatimit të Ligjit mbi Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, ndërtimin e shumë nënkalimeve dhe trotuareve, përmirësimin e sinjalizimit horizontal dhe vertikal, zbatimin e akteve të shumta nënligjore lidhur me automjetet dhe me kontrollat teknike, numri i aksidenteve totale dhe i atyre fatale është zvogëluar dukshëm krahasuar me vitet e kaluara. Sipas të dhënave zyrtare, të konfirmuara nga institucionet përkatëse relevante, ndërmarrja e të gjitha këtyre veprimeve dhe masave ka rezultuar me ulje aksidentesh totale për 7.8%, ndërsa aksidentesh fatale për 12.7%.

Aviacioni dhe Hekurudhat

Sa i përket transportit ajror dhe atij hekurudhor, gjatë vitit 2008, është punuar në realizimin e aktiviteteve të dala nga objektivat e implementimit të Ligjit mbi Aviacionin Civil, e përmirësimit të infrastrukturës dhe rritjes së kapacitetit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, e implementimit të Ligjit mbi Hekurudhat e Kosovës dhe e përmirësimit të infrastrukturës dhe rritjes së kapacitetit të Hekurudhave të Kosovës.

Në kuadër të fushës së aviacionit civil janë arritur shumë rezultate. Është plotësuar kuadri ligjor dhe është bërë përafrimi i tij me atë të UE-së. Autoriteti i Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës ka marrë përsipër certifikimin dhe mbikëqyrjen e sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Ky aeroport ka ngritur dukshëm sasinë dhe cilësinë e shërbimeve dhe përgjithësisht ka përmirësuar ndjeshëm performansën ekonomike. ANP-ja prej tash do të nisë të operojë brenda 24 orëve. Qeveria e Republikës së Kosovës, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike sektoriale, ka për qëllim zhvillimin efikas të transportit ajror. Në kuadër të këtij angazhimi, pas procesit ndёrkombёtar tё prokurimit ёshtë përzgjedhur Kёshilltari i Transaksionit për të analizuar opsionet dhe implementimin e Partneritetit Publiko-Privat për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Ky Këshilltar, pas kombinimit tё opsioneve tё identifikuara pёr disenjimin teknik, sё bashku me rezultatet financiare dhe ligjore, do t’i prezantojë Qeverisё së Republikës së Kosovës njё meny opsionesh tё analizuara, prej të cilave pastaj do të vendosim se cili nga opsionet është më i favorshmi dhe më i përshtatshmi.

Në kuadër të fushës së transportit hekurudhor, sipas Ligjit mbi Hekurudhat e Republikës së Kosovës, është paraparë themelimi i Autoritetit Rregullativ Hekurudhor dhe organeve të tjera rregullative hekurudhore. Kështu tanimë është paraparë buxheti për themelimin e ARH-së për vitin 2009 dhe deri në qershor të vitit 2009 do të punohet në themelimin e ARH-së. Në kuadër të reformimit cilësor të sektorit hekurudhor, e një rëndësie të veçantë do të jetë asistenca teknike e ofruar nga Komisioni Evropian për themelimin e këtij autoriteti. Pasi që viteve të kaluara nuk ka pasur investime të mjaftueshme në sektorin e infrastrukturës hekurudhore, orientimet e MTPT-së në të ardhmen e afërt janë në drejtim të krijimit të politikave dhe strategjive të mirëfillta të cilat do të ndihmojnë zhvillimin e këtij sektori. Një gjë e tillë mund të arrihet vetëm me rritjen e investimeve dhe të fondeve potenciale nga donatorët dhe partnerët e tjerë zhvillimorë.

Telekomunikacioni

Sektori i telekomunikacionit bashkë me teknologjinë informative dhe komunikuese po ashtu renditen ndër prioritetet qeveritare. Megjithëse të ballafaquar me shumë vështirësi, siç janë mungesa e kodit shtetëror të telefonisë dhe e domenit nacional të internetit, falë angazhimeve tona dhe përkushtimit maksimal kemi arritur që të krijojmë një ambient dhe klimë të sigurtë investive, ashtu që tregu i hapur dhe konkurrenca e lirë po rezultojnë me rritje rapide të penetrimit të teknologjive të reja dhe të shërbimeve të avansuara që mbështeten në këto teknologji. Kosova me popullatën më të re në rajon dhe me njerëzit me sens të zhvilluar të ndërmarrësisë ka potencial të madh për përvetësimin, përdorimin dhe zhvillimin e teknologjive të reja. Duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e Teknologjisë Informative dhe Komunikuese, MTPT ka krijuar bazën ligjore në përputhshmëri të plotë me legjislacionin në këto fusha të Unionit Evropian (acquis communautaire), me Strategjinë Nacionale për Shoqëri Informatike dhe Politikat e Sektorit të Telekomunikacionit. MTPT-ja është protagoniste në projektet madhore qeveritare siç janë Sistemi Informativ Gjeografik Nacional (GIS), Qeverisja Eektronike (eGov), Strategjia për Mësim Elektronik etj. Ministria e Transportit dhe e Postë-Telekomunikacionit së bashku me të gjitha palët e tjera të interesuara për përparim të Shoqërisë së Informacionit do të intensifikojë përpjekjet që kushtet e krijuara për zhvillim të teknologjisë informative dhe komunikuese të sjellin edhe zgjerim dhe zhvillim të gamës së shërbimeve dhe përdorim të kësaj teknologjie në fushat e biznesit, të edukimit, të hulumtimit, në rritjen e transparencës, në shtimin e efikasitetit të bizneseve dhe të institucioneve të tjera në përgjithësi. Në këtë rrugëtim MTPT pret që investimet e huaja dhe partneritetet publiko-private me mundësitë që ofrojnë të ndikojnë në ngritjen e cilësisë në të gjitha fazat zhvillimore.

Fondet e Donatorëve

Ndihma e jashtme e koordinuar dhe e harmonizuar në një vijë me programin qeveritar, kornizën afatmesme të shpenzimeve dhe planin e veprimit për partneritet evropian i shërben zhvillimit ekonomik të vendit tonë, rritjes së mirëqenies dhe të standardit të jetesës së qytetarëve tonë dhe integrimit të vendit tonë në familjen e madhe evropiane.

Nga totali i fondeve të zotuara nga donatorët në sektorin e transportit për periudhën 2008-2011, duke u bazuar në të dhënat që janë raportuar nga donatorët, për vitin 2008 janë zotuar 16.69 milion Euro, ndërsa janë duke u realizuar 1 milion Euro; për vitin 2009 janë zotuar 1 milion Euro, ndërsa janë duke u realizuar 2 milion Euro. Danatorët kryesorë në sektorin e transportit janë Komisioni Evropian, USAID-i dhe Austria.

Objektivat

Objektivat e vitit 2009, ashtu siç janë paraqitur edhe në Programin e Qeverisë, në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve dhe në Planin e Veprimit për Partneritet Evropian, janë të definuara qartë, janë të arritshme dhe janë reale.
Përveç dy autostradave të përmendura më lart, do të vazhdojmë me zgjerimin e dy arterieve më të mëdha transportuese, rrugëve nacionale M2 në drejtimin Prishtinë – Mitrovicë, nga Shkabaj deri në Milloshevë, dhe Prishtinë – Pejë, nga Sllatina deri në Gjurgjicë.

Po ashtu ka filluar një projekt tjetër me rëndësi kapitale që është ndërtimi i rrethrrotullimit te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, i cili do të bëjë lidhjen funksionale në mes të rrugëve më të mëdha nacionale që kryqëzohen në këtë pikë, do ta shkarkojë ndjeshëm vëllimin e trafikut dhe do të mundësojë një komunikacion më të sigurtë dhe më efikas.

Një pjesë e projekteve të infrastrukturës rrugore do të përfundojë gjatë këtij viti, një pjesë do të vazhdojë edhe gjatë viteve të ardhshme.

Gjithashtu kemi definuar qartë objektivat e tjera sektoriale dhe nënsektoriale, me theks të veçantë për fushën e aviacionit dhe të hekurudhave dhe për atë të telekomunikacionit.

Koordinimi me donatorë dhe me partnerët e tjerë është thelbësor për realizimin e qëllimeve dhe përballimin me sfidat zhvillimore në rrugëtimin tonë drejt eurointegrimeve. Të arriturat e gjertanishme në këtë drejtim janë shumë të kënaqshme falë përkrahjes së vazhdueshme dhe të pakursyeshme të donatorëve dhe të partnerëve tonë zhvillimorë. Përkushtimi dhe angazhimi i treguar nga të gjitha palët është shumë inkurajues për të ardhmen.

/Fjalimi i Ministrit Fatmir Limaj, në takimin e Forumit e Nivelit të Lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komunitetit të Donatorëve/