Nusja e djalit të Enver Hoxhës, Liljana Hoxha, flet me detaje për prapaskenat që bëheshin në majën e kupolës së shtetit komunist pa dijeninë e Enver Hoxhës, por sipas saj nën regjinë e Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë.
Ajo tregon gjatë intervistës se djali i madh i Enverit, Iliri ishte i përgatitur bashkë me Nexhmijen për të marrë pushtetin dhe në këtë pakt përfitues do të ishte edhe djali i Ramiz Alisë.
“Iliri ka qenë i përgatitur për të trashëguar pushtetin bashkë më të ëmën, Ramizin dhe djalin e tij, Arben Alia. Mua kjo tendencë më dukej qesharake, se nuk ishim dinasti. Por nuk ishte qesharake. Ishte një plan shumë më i hershëm se Katovica.
Kjo e fundit vetëm sa iu shpërndau pushtetin në disa duar, që do përfaqësonin pozitë-opozitë krejtësisht të kapura prej tyre. Pasi likuiduan të gjitha pengesat, iludoheshin që u erdhi radha atyre.
Kush tradhtoi njeri-tjetrin, Ramizi Nexhmijen apo e kundërta, le ta zbulojë kush të dojë. E sigurt është që likuiditetin ekonomik të Shqipërisë e përvetësoi Arben Alia, që punon bankier në Paris”, thotë ajo gjatë intervistës në gazetën “Panorama”.